Dr. Dorian Koçi: Tokat çeke dhe shqiptare – pikëtakime historike, kulturore dhe diplomatike përmes shekujve

217
Sigal

Akademia Shkencave e Shqipërisë dhe Ambasada e Republikës Çeke në Tiranë në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Çekisë, organizojnë promovimin e librave “Tokat çeke dhe shqiptare, pikëtakime historike, kulturore e diplomatike përmes shekujve” me autor dr. Dorian Koçin dhe “Njëqind vjet marrëdhënie shqiptaro-çekosllovake, simpati reciproke dhe kontakte në rritje” të autorit doc. Adrian Brisku.

Duke lexuar librin “Tokat çeke dhe shqiptare, pikëtakime historike, kulturore e diplomatike përmes shekujve” të studuesit Dorian Koçi mësojmë se fillimi i kontakteve të para shqiptaro-çeke e ka zanafillën që nga shekulli XV, shekulli i Motit të Madh të qëndresës arbëre. Në atë kohë çekët qenë të organizuar në shtetin e Bohemisë. Në radhët e popujve të Europës Qendore, që kontribuan për mbrojtjen e Shqipërisë, të Europës së Mesme dhe asaj Juglindore kundër agresionit osman në vitet 30-60 të shekullit XV, nuk kanë munguar as forcat çeke, as eksperienca ushtarake, as edhe armët bashkëkohore çeke. Por s’duhet lënë mënjanë edhe fakti, që tradita e luftës heroike të popullit nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut si në vende të tjera, ashtu edhe në territorin bohem, shekuj me radhë ka qenë e gjallë dhe ka çuar drejtpërsëdrejti ose edhe tërthorazi në përpjekje për arritjen dhe forcimin e lirisë dhe të pavarësisë çekosllovake. Kontaktet e para të Bohemisë me arbërit qenë në betejat, që Janosh Huaniadi ndërmori në jug të Europës për të ndalur vërshimet osmane. Një pjesë e rëndësishme e trupave të mbledhur nën komandën e strategut hungarez qenë edhe trupat çeke të Bohemisë. Një aspekt tjetër i veçantë i lidhjeve arbërore-bohemiane mbetet edhe bashkëpunimi i diasporës arbëre në Europë me Boheminë dhe fisnikët çekë në Europë. Në të shumtën e rasteve, ky bashkëpunim realizohej nën ombrellën e kryengritjeve antiosmane në Europën Juglindore, por edhe të Papatit, si institucioni që mbante ndezur zjarrin antiosman në Europë. Shekulli XVIII dhe fillimi i shekullit XIX do të jenë shekujt ku Europa, nën ndikimin e Iluminizmit dhe Romantizmit do të fillonte procesin e rivlerësimit të së kaluarës antike dhe mesjetare të kontinentit. Bohemia, vendet çeke me kryeqendër Pragën, nuk do të mbeteshin jashtë këtij procesi. Këtë kontribut gjeografik për formimin e shtetit bohem dhe të ndërgjegjes boheme e përforcuan disa përvoja historike, nga të cilat më të qëndrueshme ishin luftërat Husite. Një nga gjuhëtarët e parë çekë që është marrë gjerësisht me gjuhën shqipe, është Jan Urban Jarnik (1848-1923). Profesor Jarniku ishte gjuhëtar, profesor i romanistikës në Universitetin e Pragës. Një vend të konsiderueshëm në veprimtarinë e tij zuri edhe gjuha shqipe, çka e vuri atë në radhën e themeluesve të albanologjisë. Në fushën e historisë mesjetare të territoreve shqiptare, pa dyshim, kontributi i historianit Konstandin Jeriçek zë një vend të veçantë. Konstadin Jireçek është njëri nga ballkanologët më të shquar të Perandorisë Austro-Hungareze. Botimet albanalogjike dhe historike për Shqipërinë në Pragë, si edhe literatura e pasur në gjermanisht, që qarkullonte në Europën Lindore, ndihmuan në krijimin e një imazhi romantik për shqiptarët, si njerëz të një kombi të vogël, liridashës dhe të papërkulur në malet e tyre.

Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike më 1992, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke janë shumëfishuar. Pas një ndërprerjeje 30-vjeçare, duke filluar nga viti 1992, shkëmbimet arsimore e kulturore janë riaktivizuar dhe sot në universitetet dhe shkollat e larta të Republikës Çeke, me bursa ose pa bursa të atij shteti, kanë studiuar e studiojnë një numër i konsiderueshëm studentësh shqiptarë, që në vetvete, krahas të tjerash, kanë kontribuar e kontribuojnë për njohjen e ndërsjellë të të dyja vendeve. Mbështetja e reformave politike dhe ekonomike që çojnë në stabilitetin dhe prosperitetin e Shqipërisë dhe të të gjithë Ballkanit Perëndimor është në interes të Republikës Çeke.

Dorian Koçi është Profesor titullar i lëndës Historia e Qytetërimit Botëror dhe Historia e Qytetërimit Shqiptar në Universitetin e New York-ut Tiranë dhe Universitetin Shtetëror të Tiranës. Ai është Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe kërkues shkencor në disa fusha të rëndësishme multidisplinare në shkencat shoqërore. Dorian Koçi ka përfunduar studimet e larta për Filologji Angleze dhe Qytetërim Britanik në Universitetin Shtetëror të Kajros në Egjipt. Është thelluar në studimet në Marrëdheniet Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Institutin e Studimeve Evropiane të Tiranës (2012) dhe ka përfunduar Doktoraturën për Histori në Akademinë e Studimeve Albanologjike (2017). Dorian Koçi është autor i monografisë multidisiplinare “Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës”(2014), autor i “Pikëtakime historike, kulturore, identitare” (2016), (Çmimi PEN-Albania si vepra më e mirë albanalogjike e vitit) autor i “Armë të mjeshtërve shqiptarë në Muzeun Historik Kombëtar (2017), autor i “Imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve në Angli” (2019), “Nga Adriatiku në Balltik. Udhëkryqe shqiptaropolake” (2020), “Shqipëria në reportazhet e Robert Vaucher” (2020), bashkëautor i monografisë historike “Çamëria: vështrim historik dhe etnokulturor”(2015), bashkëautor i “Udhërrëfyes i Muzeut Historik Kombëtar(2014), bashkëautor i”Thesare të Muzeut Historik Kombëtar “(2018) si edhe një numër artikujsh që lidhen ngushtë me historinë, letërsinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të publikuara në Shqipëri dhe jashtë saj.