Zyrtare/ Konte firmos lejen e veçantë, Kupa e Italisë nis nesër me Juve-Milan

269
Sigal

Kur ka mbetur dhe një ditë nga Juventus-Milan e vlefshme për Kupën e Italisë, ka ardhur dhe leja e posaçme e Qeverisë së Italisë, që do të mund të lejojë përballjet e vlefshme për këtë veprimtari të zhvillohen përpara datës 15 qershor, që ishte dhe fundi i fazës 2 të koronavirusit në Itali.

Federata kishte propozuar që Kupa e Italisë të luhej dhe të përfundonte edicionin e saj përpara rifillimit të Serie A, rifillim që është zyrtarizuar më 20 qershor. Datat 12 dhe 13 qershor ishin zgjedhur si më të përshatshmet për luajtur gjysmëfinalet e kthimit Juve-Milan dhe Napoli-Inter, por për këtë nevojitej heqja e kufizimit përpara datës 15 qershor.

“Duke nisur nga 12 qershori 2020, eventet sportive të njohura si interes kombëtar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Italian, Komitati Paraolimpik Italian dhe federatat respektive, janë të lejuara që të zhvillohen në ambient të hapur dhe me dyer të mbyllura duke respektuar protokollet e dala nga vetë federatat sportive kombëtare”, lexohet ndër të tjera në dekretin e firmosur nga kryeministri Konte.