Zyrtare/ KAS jep vendimin, Milan përjashtohet nga Europa League

459
Sigal

Tani është zyrtare. Milani përjashtohet nga Liga e Europës, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë la në fuqi vendimin e Komisionit të Disiplinës në UEFA. Ky i fundit e kishte dënuar klubin kuqezi për shkelje të rregullores së Fair Play Financiar.

Asnjë surprizë, pasi siç bën të ditur vetë KAS në adresën zyrtare në internet, ky përfundim është rrjedhojë e marrëveshjes së Milanit me qeverinë europiane të futbollit.

Klubi italian u prezantua një javë më parë në selinë e UEFA-s me një propozim, duke u shprehur i gatshëm të hiqte dorë nga e drejta për të luajtur në këtë edicion të Ligës së Europës, por si këmbim duhet të shtyhej me një vit afati për barazimin e bilancit për 3-vjeçarin e fundit.

E thënë më qartë. Pas dënimit, UEFA kërkonte që Milan të eliminonte buxhetin negativ deri në fund të sezonit 2020/2021, diçka e pamundur për drejtuesit kuqezi.

Në këtë mënyrë, për të evituar të tjera penalizime në të ardhmen, ata vendosën të sakrifikonin pjesëmarrjen në Europë, të cilën e fituan në fushën e lojës.

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv i jep frymëmarrje Milanit në projektin e tij afatgjatë për t’u kthyer sërish kompetitiv në kampionatin italian dhe Europë.