Zyrtare/ FIFA anulon gjithë çmimet e edicionit 2019-2020

250
Sigal

Ky sezon është shumë i pazakontë për shkak të pandemisë dhe pritet të mbyllet në të njëjtën mënyrë. Ditën e sotme, organi më i lartë qeverisës i futbollit ka vendosur të anulojë ceremoninë e dhënies së çmimeve të më të mirëve të këtij edicioni. FIFA nuk e sheh të arsyeshme të zgjidhen më të mirët e një sezoni të tillë, ku disa prej kampionateve janë mbyllur dhe të tjerë janë në dyshim.

Sezoni 2019-2020 nuk do të shpallë më të mirët dhe Leo Mesi do të vazhdojë të jetë mbajtësi në fuqi i çmimit “FIFA Best Player”. Ky është një nga eventet e shumta që ky organ ka anuluar, teksa e vetmja, që pritet të shpëtojë do të jetë Kupa e Botës për klube, e parashikuar të luhet në muajin dhjetor në Arabinë Saudite.

Mbetet për tu parë se ç’do të ndodhë me eventet e UEFA-s, që çdo vit në ceremoninë e shortit të Champions League në muajin gusht, jep edhe çmimin e lojtarit më të mirë në Europë. Gjithashtu, do të duhet të presim për të mësuar fatin e ceremonisë së “Topit të Artë”, të organizuar çdo vit nga revista e famshme “France Football”.