Zylfo Pasha: “Eksperti” i ekzekutimit të krosimeve, sot nuk e tërheq magjia e lojës

651
Nga Agron MEMA
PROFIL/ Ja si kujtohet një emër i njohur në futbollin shqiptar, i cili ka debutuar me Partizanin, Luftëtarin dhe Butrintin
Zylfo Pasha është nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar, i cili në karrierën e tij ka luajtur me ekipet e Partizanit, Luftëtarit dhe Butrintit, ku edhe mbeti një nga ikonat futbollit sarandiot, njëherësh edhe më masovik në sportin e qytetit jugor shqiptar. Nuk ka ndeshje që Zylfo mos të ketë shënuar gol, ashtu si karriera e tij në futboll ka kaluar edhe në peripeci të ndryshme, por edhe mes suksesit. Sot ai është punonjës topograf pranë bashkisë së Sarandës, por dhe një aktivist në aktivitetet sportive. Teksa rrëfen atë rrugëtim të gjatë sportiv të tij, Zylfua flet me respekt për trajnerët dhe kolegët. Shpirtërisht edhe sot ai është i lidhur me fushën e blertë, aty janë vitet e rinisë, entuziazmi i suksesit, dëshpërimi i humbjes, emocionet e duartrokitjeve të tifozerisë, në atë fushë të blertë ka diçka nga jeta e tij, por për gjendjen e sotme të futbollit, ai shpreh dëshpërim dhe pesimizëm. 
Cila është karriera juaj sportive, pra në cilat vite keni luajtur futboll dhe cilat ekipe? 
1- Karriera ime futbollistike ka nisur në vitin 1963 kur luaja me të rinjtë e Flamurtarit, ndërsa në vitin 1967, shkova me studime në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Aty u bë një testim në përzgjedhje të elementeve për të rinjtë e Partizanit, nga kjo përfitova edhe unë.

Si ka vazhduar më pas marrëdhënia juaj me futbollin e luajtur?
Në periudhën 1968-1970, kam luajtur me ekipin “Shpresa” U21 të Partizanit, i cili u krijua në ato vite. Pasi mbasi mbarova shkollën në vitin 1971, më transferuan në qytetin e Gjirokastrës, dhe këtu u aktivizova me ekipin e Luftëtarit vetëm një vit, sepse më transferuan në qytetin e Sarandës. Aty kam luajtur pesë vite me Butrintin, 1972-1977, vite të paharruara me këtë ekip. 

Cili ka qenë roli juaj i preferuar, dhe keni shënuar gola me shumicë apo me pakicë?
Po e nis nga e dyta, unë kam shënuar gol thuajse në çdo ndeshje ku jam aktivizuar, që si mesatare i bie që nuk kam mbetur pa shënuar asnjëherë. Kjo ndoshta nga fakti se unë te ekipi i Butrintit kam luajtur si sulmues i avancuar, që atëherë quhej “Pykë” në ekip.

Keni ndonjë moment që u ka mbetur më shumë në kujtesë gjatë karrierës suaj?
Është një rast, nuk më kujtohet mirë viti, por ka qenë ndeshja me ekipin e Naftëtarit të Kuçovës (atëherë Qyteti Stalin), dhe në atë ndeshje portier ishte Fatmir Ismaili, me të cilin kishim qenë bashkë tek ekipi i Partizanit. Në një moment, tek vija e zonës së rreptësisë, pas një krosimi unë kam kërcyer me kokë dhe me grushtim. Unë shënova gol, ndërsa ai më qëlloi në kokë, goditje nga e cila më ra të fikët. 

Me cilët trajnerë punuat gjatë karrierës suaj?
Tek ekipi i Partizanit kanë qenë Loro Boriçi dhe Refik Resmja, Shpresa e Partizanit kam punuar me Kolec Krajën. Stërvitjen e zhvillonim së bashku dhe pastaj përzgjidheshin, këta futbollistë të nderuar të Partizanit dhe të Kombëtares sonë, ndërsa në Gjirokastër kam pasur Foto Xhajën, me Butrintin, trajnerin popullor të Sarandës, Vangjel Çakulin. 

Si e shikon sot futbollin në përgjithësi, dhe “Butrintin” në veçanti? 
Futbolli në përgjithësi, veç ekipit kombëtar, mendoj se le për të dëshiruar. Ndërsa ekipi i Butrintit më dëshpëron me gjendjen e tij, duket se ka rënë dëshira e lojtarëve, shpirti luftarak, sedra dhe përgjegjësia ndaj sportdashësve, të cilët janë të zhgënjyer. Edhe unë jam një nga ata që nuk para shkoj shpesh, nuk më tërheq më ajo magjia e lojës së futbollit. 

Cilat mendoni se janë arsyet më objektive të kësaj gjendjeje që ju e përshkruat?
Janë shumë, por kur nuk ka investim, nuk ka impenjim në stërvitje dhe në ndeshje. Dy sezone më parë, Butrinti ishte kandidat për Kategorinë Superiore, ndërsa në këtë sezon luan në Kategorinë e Dytë. Me sa duket, nga mungesa e fondeve apo interesimi i faktorëve dhe aktorëve ndikues, apo FK “Butrinti” duhet të jetë më i angazhuar, më i impenjuar, pasi Saranda e ka traditën pozitive. 

Ju mendoni se sportet duhet të jenë brenda Ministrisë së Arsimit?
Nuk kam qenë asnjëherë dakord për këtë bashkim, sepse në logjikë, sporti duhet të ketë ministrinë përkatëse. Më e pakta, nga ky bashkim shpërdorohen fondet në shërbim të sportit, ndërsa është krejt ndryshe kur ka ministrinë përkatëse. 
Dy sezone më parë, Butrinti ishte kandidat për Kategorinë Superiore, ndërsa në këtë sezon luan në Kategorinë e Dytë. Me sa duket, nga mungesa e fondeve apo interesimi i faktorëve dhe aktorëve ndikues, apo FK “Butrinti” duhet të jetë më i angazhuar 
Futbolli në përgjithësi, veç ekipit kombëtar, mendoj se le për të dëshiruar. Ndërsa ekipi i Butrintit më dëshpëron me gjendjen e tij, duket se ka rënë dëshira e lojtarëve, shpirti luftarak, sedra dhe përgjegjësia ndaj sportdashësve, të cilët janë të zhgënjyer 
Momenti më i vështirë, penalltia në Gjirokastër
Ka shumë momente të vështira, sepse i tillë është futbolli. Por, unë po kujtoj një ndeshje për Kupën e Republikës kundër Luftëtarit, e cila u luajt në Sarandë. Arbitër ishte Faik Bajrami, atëherë me stemën e Ndërkombëtarit. Ai akordoi një penallti, të cilën ma besuan mua. Përballë kisha portierin Guri të Gjirokastrës. Gjuajta dhe ai e kapi topin, por, për të më çuar mua nderin në vend, arbitri pa ndonjë shkak e përsërit penalltinë. Unë nuk kisha më kurajë ta gjuaja përsëri. U afruan portierët, por Faiku, duke pasur respekt ndaj meje tha se nuk lejohet tjetër, ndaj do ta gjuaj Zylfua përsëri. E gjuajta përsëri, dhe portieri Guri e priti përsëri. Përjetova dëshpërim. 
Sigal