Zvicra e grumbulloi për Botërorin, Ajeti akuzon rendë: Shqipëria kurrë nuk më kontaktoi direkt

738
Sigal

Shumë shqiptarë ishin koniozë të dinin nëse Albian Ajeti, vëllai i futbollistit të kombëtares kuqezi Arlind Ajeti, do të ishte pjesë e listët paraprake me 35 futbollistë të Zvicrës për Botërorin.

Kështu ndodhi dhe mesazhi që rrjedh nga kjo ftesë është i qartë: Albiani zgjodhi të luante për Zvicrën. Në një intervistë për mediat helvete sulmuesi i Bazelit ka befasuar jo pak, duke akuzuar se Shqipëria kurrë nuk e kontaktoi direkt.

Në intervistën e gjatë ai e nisi duke folur për sezonin e sapombyllur me klubin e tij ku nuk arriti të fitonte titullin kampion. “Nuk arritëm të fitonim shpesh, ose të paktën të qëndronim të pamposhtur. Shpesh kemi dhënë gjithçka, por nuk kishim fat. Humbëm ndeshje të rëndësishme. Kjo na shqetësonte në ritëm”.

Po çfarë do donte të përmirësonte në vete sulmuesi shqiptar i Bazelit? Ajeti e ka të gatshme përgjigjen: “Unë kurrë nuk jam i kënaqur me veten time. Dua të përmirësoj shumë gjëra. Edhe pse ndihem mjaft i aftë, ende dua të jem më i gjallë, të hap më tepër hapësira për shokët e ekipit dhe të punoj më shumë në mbrojtje.

Dua të kthehem në zonën e 16-metërshit të ekipit tim dhe të ndihmoj në fazën difensive. Për ta bërë këtë, duhet të bëhem edhe më mirë fizikisht, më konsistent dhe më stabil. Këtë do ta arrij me trajnimin e nevojshëm, por edhe ushqimin e duhur. Kjo është një pjesë, ku ende mund të punoj për veten time”.

Golat e shënuar dhe paraqitja e bërë me Bazelin e ka përfshirë Albian Ajetin në listën e 35 lojtarëve të kombëtares zvicerane. Kjo përbën lumturi për futbollistin, i cili është pritur të luante edhe në kombëtaren shqiptare, në fakt: “Natyrisht, kjo më bën shumë të lumtur. Gjithmonë ka qenë qëllimi im që të jem në gjendje të luaj për kombëtaren e Zvicrës në një moment. Gjithmonë bëj çmos për këtë”.

Por, vëllai i tij, Arlindi, luan për kombëtaren e Shqipërisë. A nuk ishte kjo, një çështje për sulmuesin në fjalë? “Unë qëllimisht e mbajta gjithçka hapur. A jam kontaktuar nga Shqipëria?

Kurrë, direkt. Më pyetën për vëllain tim, më pyetën se çfarë kam ndërmend të bëj me ekipet kombëtare. Por kjo nuk llogaritet për mua, kjo nuk është një shenjë e qartë”, – sqaron sulmuesi 21-vjeçar i Bazelit.