Zvicerani, Bernard Shaland, i pari teknik i huaj në stolin e Kombëtares kosovare

1545
Nga Agron KAJA
KOMBËTARJA E KOSOVËS/ Dje, Federata e Futbollit të Kosovës ka zyrtarizuar trajnerin e ri të skuadrës përfaqësuese
Presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, Fadil Vokrri, kishte deklaruar ditë më parë se shumë shpejt Kombëtarja e Kosovës do të njihej me trajnerin e ri. Dhe ai është zvicerani Bernard Shaland që do të zëvendësojë në këtë post Albert Bunjakin, i cili e drejtoi kombëtaren e vendit të tij në ndeshjet eliminatore të “Botërorit 2018”. 66-vjeçari ka nënshkruar dje kontratën me Presidentin Vokrri, e cila e bën atë edhe trajnerin e parë të huaj që do të drejtojë përfaqësuesen e Kosovës. Shaland gjatë karrierës së tij 40-vjeçare si trajner ka punuar me disa ekipe të njohura në Zvicër, ndërsa me përfaqësuese ka udhëhequr Armeninë gjatë viteve 2014-2015, ku në 9 ndeshje ka pasur 1 fitore, 1 barazim dhe 7 humbje. Ai ishte i papunë që prej dorëheqjes nga posti tek Armenia në marsin e vitit 2015. Trajneri Shaland do të debutojë me Kosovën më 24 mars 2018, në ndeshjen miqësore kundër Madagaskarit, e cila do të zhvillohet në Paris. Vetëm 3 ditë më vonë, “Dardanët” luajnë miqësoren tjetër ndaj Burkina Fasos, duke nisur kështu përgatitjet për Ligën e Kombeve, në të cilën do të përballen me Maltën, Ishujt Faroe dhe Azerbajxhanin. Që në prezantimin e parë të tij, Shaland ka thënë se do të mundohet të krijojë një ekip të ri dhe të bashkuar të Kosovës. “Faleminderit për besimin që më keni dhënë. Unë e njoh dëshirën e zjarrtë të popullit të Kosovës për futbollin. Për mua është një sfidë e madhe, sepse Kosova është e re, dhe ekipi i saj është edhe më i ri. Ajo që është më e rëndësishmja, Kosova duhet të jetë më e bashkuar”, ka theksuar fillimisht Shaland për mediet kosovare gjatë prezantimit, duke deklaruar se Kosova ka mundësinë të krijojë një ekip të madh. “Duhet të krijohet një ekip i madh, ka shqiptarë kosovarë që luajnë jashtë shtetit dhe është detyrë që t’i ftojmë. Vetëm me një zgjidhje të mirë individuale do të arrijmë një ekip që duam. Sot nuk do të flas për kualifikimet, por vetëm krijimin e një ekipi të mirë. Nëse e bëjmë këtë do të kemi mundësi të kualifikohemi”. Para finaleve të “Euro 2016” ku morri pjesë edhe Kombëtarja e Shqipërisë, u larguan disa lojtarë që kishin luajtur si kuqezi, por edhe ish-trajneri Xhani De Biazi, në ditët e grumbullimit për këtë event, nxori si të panevojshëm tre lojtarë nga Kosova. Aktualisht, në Kombëtaren shqiptare luajnë mbi 12 lojtarë me origjinë kosovare, të cilët tashmë rregullorja nuk i lejon që të kalojnë në kombëtaren e shtetit të tyre, 
Mediet zvicerane për Shaland
Dje, mediat zvicerane kanë folur për trajnerin e ri të Kosovës, që sipas tyre, nuk drejton asnjë ekip prej tre vitesh. Gazeta zvicerane “Blick”, zbulon se trajneri i ri i Kosovës, Bernard Shaland, nuk drejton asnjë ekip që nga marsi i vitit 2015, kur u shkarkua nga drejtimi i përfaqësuesit të armene. Ai është një njohës i mirë i lojtarëve që luajnë në kampionatin zviceran, si Kryeziu, Bunjaku etj, sepse vitet e fundit ka punuar si skaut i Bazelit. 66-vjeçari në karrierën e tij ka drejtuar disa ekipe zvicerane, si Zyrih, Sion, Jang Bojs, sidhe Kombëtaren e Armenisë dhe Zvicrën U-21.
Sigal