Zhgënjen Napoli, ndalet edhe nga Sasuolo

480
Sigal

Napoli e ka të vështirë sa herë nuk hedh në fushë një formacion të përafërt me atë titullar dhe në një javë ku trajneri Ançeloti vendosi të bënte rotacion duke menduar edhe për Ligën e Europës, skuadra dështoi përsëri në kampionat, duke u ndalur këtë radhë përballë Sasuolos.

Me emra si Kajehon, Milik, Zielinski, Ruiz apo edhe Hysaj në stol, Napoli dukej shumë larg formës së zakonshme dhe i lejoi Sasuolos të diktonte ritmin e lojës në 45 minutat e para të duelit. Në fillimin e të dytës, Berardi ndëshkoi napolitanët pas një aksioni të bukur. Goli zgjoi Napolin që u hodh në sulm dhe provoi disa herë të shënonte, ndërsa Sasuolo filloi të shfrytëzonte hapësirat në prapavijë për të rrezikuar me kundërsulme.

Por vendasit shpërdoruan dy raste të mira me Manganeli e Dankan, ndërsa u ndëshkuan nga një gol i shkëlqyer i Insinjes i cili me një gjuajtje me hark mposhti Pegolon duke vulosur barazimin 1-1 kur mbeteshin vetëm 4 minuta lojë. Me një ndeshje të tillë, napolitanët duhej t’i gëzoheshin kësaj pike, por në fakt dolën kokulur nga fusha se ishin të ndërgjegjshëm që i kishin bërë edhe më të thjeshtë Juventusit fitoren e titullit, pasi tani ekipi i Alegrit është i shkëputur me 18 pikë në vendin e parë.