Zëvendësi i Bufon te Italia, gati të rivalizojë me Thomas Strakoshën

589
Salvatore Sirigu është objektivi i radhës i Lacios për merkaton e janarit. Ndonëse klubi bardhekaltër sheh Thomas Strakoshën si titullar për të ardhmen e largët, duket se për sezonin tjetër kërkon një portier me eksperiencë ndërkombëtare meqë pritet të kthehet në Kupat e Europës.
Sipas mediave italiane, Lacio ka nisur kontaktet me Salvatore Sirigun, ish-portierin e PSG-së i cili prej shumë vitesh është cilësuar si zëvendësi ideal i Xhixhi Bufon në portën e përfaqësueses italiane.

Normalisht, për Lacion do të ishte thuajse e pamundur të afronte futbollistin që ka një rrogë prej 3,4 milionë eurosh në sezon meqë është nën kontratë me parisienët deri në qershorin e vitit 2018. Por ai kërkon të shkëputet nga ata pasi dëshiron të luajë, sepse në sezonin aktual është dhënë huazim pa shumë sukses te Sevilja dhe Osasuna.

Ai ka humbur vendin në kombëtare për shkak të mosaktivizimit dhe dëshira për të qenë i pranishëm në Botërorin 2018, e shtyn që të pranojë oferta nga ekipet italiane dhe të ulë pretendimet e tij. Kësisoj, për Strakoshën mund të shtohet një rival edhe më i fortë se Matia Perin që përmendej në javët e kaluara si një portier i cili do të rivalizonte me shqiptarin për fanellën e titullarit te Lacio.
Sigal