Ylli Shehu: “Futbollin e bleu politika”

603
Sigal

Ish-sulmuesi i Partizanit dhe i Kombëtares: “Pesë argumentet pse, ekipet tona dështojnë në Europë”

Ylli Shehu, ish-lojtar i njohur i Partizanit tha për “Telegraf” se, kampionati i Kategorisë Superiore, me rezultatet që kanë dhënë ka tregua se, skuadrat që kanë investuar në merkato dhe kanë bërë përgatitje serioze kanë pasur edhe rezultate më të mira. “Skënderbeu e tregoi veten si një pretedent të fortë qysh me fillimin e kampionatit. Është një ekip i blinduar, si me lojtarë, ashtu dhe me financa”, – tha Shehu. Ish-lojtari i Kombëtares foli edhe për mundësitë e ringjitjes së Partizanit në Superligë, pas një mungese katërvjeçare: “Në pozicionin dhe në rrethanat që është Partizani, pra vendi i dytë në klasifikim dhe i shkëputur pesë pikë nga ndjekësi më i afërt, Pogradeci, besoj se do të ngjitet në Superligë”. Në lidhje me dështimin e përhershëm në Europë, Shehu argumentoi: “ka të bëjë edhe me një strategji jo shumë logjike që, ndjekin klubet tona. Para fillimit të sezonit shpenzohen shuma jo të vogla financiare, por në fund të kampionatit kemi një ekip të përgjysmuar përsa i përket efektivit”.

  – Zoti Shehu, kur kanë mbetur edhe pesë javë nga përfundimi i sezonit, Skënderbeu është shumë pranë titullit kampion, ndërkohë që lufta më e madhe po bëhet midis katër skuadrave që synojnë biletat në Ligën e Europës. Si do ta vlerësonit situatën e krijuar?

 – Mendoj se, Skënderbeu e tregoi veten si një pretedent të fortë qysh me fillimin e kampionatit. Është një ekip i blinduar, si me lojtarë, ashtu dhe me financa. Flamurtari është një skuadër që, ka hedhur shumë lekë dhe pritej që të vinte në pozicionin ku ndodhet tani (vendi i dytë). Kukësi ka shpenzuar shumë. E quaj të suksesshme ecurinë e tyre dhe, mendoj se, vetëm mungesa e traditës nuk i ka ofruar më shumë. Teuta ruan të njëjtën modesti të përhershme, niset pa pretendime, por që gjithmonë arrin të na surprizojë. Tirana ka në përbërje lojtarë të mirë, por me problemet që ka pasur në vazhdimësi gjatë këtij sezoni, pa dyshim që ka influencuar, duke qenë në këto pozita, ku rrezikojnë edhe Europën.

 – Ju jeni një njohës i mirë i futbollit shqiptar, sa ndikojnë financat në në skuadër shqiptare, nisur edhe nga fakti se, Skënderbeu synon titullin e tretë, ndërkohë që nuk fitonte prej 78 vjetësh?

 – Skënderbeu është një nga klubet që ka bërë investime shumë serioze, si në grupin e lojtarëve, ashtu dhe në infrastrukturë, si në drejtimin e ish-presidentit Agim Zeqo, por dhe tani kur në drejtimin e klubit është Artan Takaj. Gjithsesi, s’duhet të harrojmë se, Skënderbeu pati dhe mbështetje politike kur doli kampion për herë të parë. Të gjithë e dinë, sesi qëndroi në Kategorinë Superiore, si doli kampion. Fillimi ishte i vështirë për korçarët, por tani me punën dhe investimet e kryera, skuadra ka fituar stabilitet, por dhe traditë në fitimin e titujve. Edhe Kukësi ndoqi thuajse të njëjtën traditë. Brenda dy vjetësh u ngjit nga Kategoria e Dytë në të Parën dhe më pas, në Kategorinë Superiore. Kukësi i ka shanset të dalë në Europë, duke parë mbështetjen financiare, por mund të themi dhe atë politike.

 – Në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë janë katër skuadra që, s’e kanë fituar asnjë herë trofeun: Skënderbeu, Bylisi, Laçi dhe Kukësi. Ndeshjet e para u mbyllën në barazim, si në Korçë ashtu dhe në Kukës. Kë parashikoni në finale?

 – Duket me të vërtetë si, një katërshe e pazakontë, boll të kemi parasysh se kanë dalë jashtë loje fitues të mëdhenj si: Tirana, Vllaznia, Flamurtari, Teuta, për të mos përmendur Partizanin dhe Dinamon, që ishin krejtësisht të pa interesuar për kompeticionin e Kupës. Mendoj se, në finale do të shkojnë Skënderbeu dhe Kukësi, edhe si meritë e investimeve të mëdha. Skënderbeun e shoh më shumë si kampion, ndërkohë që jam i bindur se, Kukësi do të bëjë gjithçka që trofeu të shkojë në shtëpinë e tij. Do të hynte në historinë e futbollit shqiptar. Mendoj se, ajo ndeshje mund të gjykohet edhe nga arbitra të huaj.

 – Të dalësh kampion në Shqipëri, sigurisht që kërkon investime dhe punë, por kur ballafaqohemi në ndeshjet ndërkombëtare shumë rrallë kemi sukses. Sipas jush, cilat mund të jenë arsyet?

 – Në Shqipëri, zakonisht ka fituar që ka hedhur më shumë lekë, por s’duhet ta harrojmë se ka pasur shumë lëshime nga skuadrat kundrejt njëra-tjetrës. Përsa i përket dështimit të ekipeve tona në Europa, mendoj se janë disa arsye. Kjo ka të bëjë edhe me një strategji jo shumë logjike që, ndjekin klubet tona. Para fillimit të sezonit shpenzohen shuma jo të vogla financiare, por në fund të kampionatit kemi një ekip të përgjysmuar përsa i përket efektivit. Nuk vazhdojnë me grupin e lojtarëve që fituan. Kjo është dhe arsyeja kryesore që, dështojmë vazhdimisht në Europë. Ekipet europiane forcohen përpara se të luajnë në kompeticionet ndërkombëtare, ndërkohë që ne bëjmë të kundërtën.

 – Zoti Shehu, ju keni qenë një lojtar i shquar i Partizanit dhe i Kombëtares. Partizani duket se është në rrugë të mbarë për t’u ringjitur në Kategorinë Superiore. Si e parashikoni?

 – Në pozicionin dhe në rrethanat që është Partizani, pra vendi i dytë në klasifikim dhe i shkëputur pesë pikë nga ndjekësi më i afërt, Pogradeci, besoj se do të ngjitet në Superligë. Ajo që, unë dua të theksoj është fakti se, prania në Kategorinë Superiore, kërkon jo investime më të shumta, por dhe një grup më të mirë lojtarësh. Besoj se, drejtuesit aktualë e dinë mirë këtë dhe do të kenë shumë punë.

 – Nesër (sot) do të luhet java e 25-të e Kategorisë së Parë, teksa është për të ardhur keq që, Dinamo ndodhet në pozita të mjeruara…

 – Po, është e vërtetë. Tani është në dilemë edhe rënia e Dinamos në Kategorinë e Dytë, me pozitat që ajo ndodhet, pasi dalin katër ekipe direkt nga Kategoria e Parë. Po, kështu i rrezikuar është dhe Elbasani. Nesër do të kemi në “Qemal Stafa” pikërisht atë ndeshje, Dinamo-Elbasani.

  Kategoria e Parë

 Dinamo-Elbasani, derbi pa shkëlqim

 Kategoria e Parë do të luajë sot, pesë nga tetë takimet e javës së 25-të, pasi tri të tjerat do të luhen të enjten, dhe këtu përfshihen Gramshi-Partizani, Mamurrasi-Lushnja dhe Pogradeci-Ada. Sot do të zbresin në aksion: Naftëtari-Besëlidhja, Himara-Kamza, Iliria-Butrinti, Burreli-Tërbuni dhe Dinamo-Elbasani. Kampionatin e kryeson Lushnja me 56 pikë, e ndjekur nga Partizani (47 pikë) dhe Pogradeci (42 pikë). Nga kategoria bien katër skuadra. Aktualisht, në katër vendet e fundit janë Kamza, Ada, Besëlidhja dhe Naftëtari.

  Shqipëria e Femrave hyn në historinë e Botërorit

 Shqipëria e futbollit të femrave shkroi një faqe të bukur në historinë e Kombëtares, duke u kualifikuar për në fazën e grupeve të eliminatoreve të Kampionatit Botëror për Femra, finalet e të cilit do të luhen në Kanada. Skuadra e Altin Rrakllit fitoi 2-1 me Luksemburgun, pas golave të realizuar nga Jashari (16’) dhe Velaj (69’). Për Luksemburgun realizoi Maurer (45’). Kombëtarja jonë grumbulloi shtatë pikë në tri ndeshje, pas barazimit 1-1 me Maltën dhe fitoren 2-0 me Letoninë. Malta ka zhvilluar ndeshjen e fundit ne Grupin A dhe ka mundur Letoninë me rezultatin 2-0. Me këtë fitore Malta u ngjit në kuotën e shtatë pikëve, po aq sa Shqipëria, por ka një golavarazh shumë më të mirë pasi mundi thellë Luksemburgun. Ndeshja direkte mes Shqiperisë dhe Maltës u mbyll ne barazim 1-1. Shorti i fazës së grupeve do të hidhet, më 16 prill.