Sigal

Mesfushori brazilian i Chelseat, Willian, ka konfirmuar dëshirën e tij për të qëndruar te “blutë” e Londrës edhe sezonin e ardhshëm, edhe pse ofertat në adresën e tij nga Manchester United dhe Barcelona nuk mungojnë.

29-vjeçari është një nga futbollistët më të kërkuar këtë verë, madje u përfol për një transferim të tij te Manchester United, ku do të luante sërish për Jose Mourinho, trajneri që e solli në Premier League.

Ndërkohë që, edhe Barcelona e kërkon me ngulm, për ta sjellë në La Liga së bashku me portierin Courtois dhe sulmuesin Hazard.

Por në një deklaratë për të përditshmen braziliane “Globo Esporte”, mesfushori Willian tha: “Nuk do të largohem nga Chelsea, jam i lumtur aty dhe të jeton në Londër. Më pëlqen jeta aty”.

Deklaratë që konfirmon besnikërinë që braziliani ka për skuadrën e Chelsea, ku u transferua në verën e 2015-ës.

Edhe trajneri italian Maurizio Sarri ka deklaruar se mesfushori i krahut është i rëndësishëm për skemat e tij dhe i ka kërkuar klubit të mos e lërë të lirë.

Braziliani Willian ka pak ditë që ka nisur grumbullimin me skuadrën e Chelsea pas pushimeve të Botërorit.