Xhani De Biazi: “Qiproja më tremb më shumë se Zvicra”

465
Sigal

Trajneri i Kombëtares shqiptare: “Shpresoj ta nisim më këmbën e duhur. Vendi i tretë, një mrekulli”

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, deklaroi për gazetën “Telegraf” se, ndeshje kundër Qipros (7 shtator) është më e komplikuar se ajo ndaj Zvicrës (11 shtator), takime këto të vlefshmë për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. “Edhe pse Qiproja duket një kundërshtar më i lehtë, duhet ta theksoj se më tremb më shumë se Zvicra”. Në ballafaqimin e fundit me Qipron (miqësore(, kuqezinjtë nën drejtimin e ish-trajnerit kroat, Josip Kuzhe, fituan 6-1, ndërkohë që me Zvicrën, në sfidën e fundit me helvetikë humën 3-2 në transfertë (trajner gjermani Hans-Peter Brigel). “Qipro ka një skuadër që, luan një lojë agresive. Kanë sipas meje, një cilësi të mirë dhe janë mirë fizikisht. I kam parë kur luajtën në Bullgari dhe bënë një ndeshje të madhe”, – tha De Biazi për “Telegraf”.

Mister De Biazi, të gjithë trajnerët e huaj paraardhës tuaj nuk e kanë humbur ndeshjen e parë zyrtare, përfshirë dhe bashkëkombësin tuaj, italinin Dosena, që barazoi 1-1 me Italinë. Sa ju vë përpara përgjegjësisë kjo statistikë?
Po, jam i informuar për këtë statistike pozitive. Është treguar i madh Dosena ynë. E di se dhe Brigeli, Bariçi, Hani apo Kuzheja në kanë bërë mirë në ndeshjen e tyre të parë.
Në katër ndeshjet miqësore, keni fituar dy dhe keni humbur vetëm një ndeshje. Qiproja është dhe ndeshja juaj e parë zyrtare. Si do ta vlerësonit atë?
Shpresoj ta nisim më këmbën e duhur. Për të bërë mirë për djemtë, për të gjithë kombin shqiptar. Dëshiroj, më të vërtetë t’u japim një kënaqësi të madhe. Në do të luftojmë për ta fituar. Dua të jem i sinqertë, ndeshja me Qipron është shumë e komplikuar, se sa mund të mendojnë njerëzit, edhe pse në renditjen e FIFA-s ajo është shumë larg nesh.
Në ndeshjen e fundit miqësore kundër Moldavisë (0-0), ju thatë se kësaj përfaqësueseje i mungon një regjisor. A e keni gjetur atë për ndeshjet kundër Qipros në Tiranë dhe Zvicrës në Lucernë?
Kam thirrur shumë mesfushorë, dhe disa prej tyre mund ta bëjnë regjisorin, por për momentin nuk dëshiroj të japë emrin se, kush do ta kryej atë rol. Kemi dhe katër ditë kohe deri sa të luhet ndeshja.
Ndihet më shumë entuziazëm në Kombëtare dhe lojtarët duken se kanë shumë besim te ju. Ndryshim mentaliteti?
Unë kam besim tek ata. Nëse ata do të bëjnë ata pak gjera që, unë u kërkoj atëherë mund të bëjmë gjëra interesante. Është e rëndësishme që duhet të jemi të qartë mendërisht, që të arrijmë të bëjmë dhe gjërat që na kërkohet. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqendruar në misionin dhe objektivin tonë.
A keni informacione mbi Qipron?
Po, sigurisht që kam. Shumë. Kanë shumë lojtarë të mirë. Janë jo pak ata që, kanë luajtur në Ligën e Kampioneve, si vitin e kaluar, por dhe këtë sezon. Qipro ka një skuadër që, luan një lojë agresive. Kanë sipas meje, një cilësi të mirë dhe janë mirë fizikisht. I kam parë kur luajtën në Bullgari dhe bënë një ndeshje të madhe.
Për herë të fundit kemi fituar 6-1 me Qipron…
E di, por nuk është më ajo skuadër që ka luajtur në Tiranë. Të mos harrojmë se ka marrë pjesë me skuadrat e saj në Ligën e Kampioneve dhe kanë aktualisht një ekip në Ligën e Europës, AEL Limasol dhe i kam parë në miqësoren e 15 gushtit. Nëse do të mendojmë akoma për atë 6-1, do të futemi në rrugë të gabuar. Edhe ne nuk kemi më atë skuadër që luajti asokohe. Rezultati nuk do të thotë asgjë.
Personalisht, kujt i trembeni më shumë nga të dyja sfidat e para?
Sipas meje, Qiproja është më e vështirë, në raport me Zvicrën, që mund ta menaxhosh më mirë si takim. E shoh më të lehtë përballjen me zviceranët. Ne duhet të bëjmë lojën tonë, në agresivitet. Në muajin shtator, ka nevojë për lojtarë në gjendje të mirë fizike.
Keni ftuar për herë të parë, Burim Kukelin dhe Alban Mehën. A do të kenë mundësi për të luajtur?
Po. Të gjithë lojtarët që thërras kanë mundësi për të luajtur. Do të shohim nga sot (dje) dhe deri të premten, se cilët nga lojtarët do të kenë më shumë mundësi dhe vazhdimësi, nga pikëpamja fizike. Dua të sqaroj diçka se, jo të gjithë lojtarët tanë kanë të njëjtin kondicion fizik. Në Ukrainë, sa për ta ilustruar, u luajt java e tetë; në Itali u luajt java e dytë. Në Zvicër ishte java e shtatë e kampionatit. Shumë lojtarë kanë 90 minuta në këmbë, ndërkohë disa jo, si për shembull ata që luajnë në Itali dhe, sigurisht që nuk janë në kondicionin e tyre optimal.
Kapiteni Lorik Cana vjen nga një dëmtim i ditëve të fundit, sa ju shqetëson gjendja e tij?
Lorik Cana është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën. Është një futbollist që jep maksimumin e tij për Kombëtaren. Do të punojmë që ta rikuperojmë 100 për qind. Besojmë se do t’ia dalë.
Në mediat italiane, jeni shprehur entuziast, duke deklaruar se do të ishte një mrekulli po të shkonim në Botëror. A do të ishte më mirë të mendonim së pari, për vendin e tretë?
Kur kam deklaruar në mediat italiane, kam përmendur objektivat maksimale. Për mua, do të ishte një mrekulli të shkonim në Botëror. Megjithatë, edhe sikur të arrinim të tretë në grup, do të ishte një ‘mrekullizë’. Gjithsesi, e përsëris dhe vendi i tretë në grup do të ishte një ndërmarrje e madhe. Ne duhet të bëjmë atë kjo skuadër arrin të bëjë. Sigurisht, jo të ulim armët, por të luftojmë deri në fund.

“Fitoret nuk vendosen në tavolinë”

Sa herë që luan Kombëtarja dhe kur përballë saj është një ekip i formatit të Qipros, imagjinata e tifozëve dhe e dashamirësve të Kombëtares përmblidhet me një fjalë: fitore. De Biazi e ka përgjigjen: “E di, që të gjithë presin vetëm fitoren. Por, problemi, sipas meje, është i qartë: nuk ekzistojnë më ndeshje të lehta. Qiproja vuri në vështirësi dhe Italinë. Për të qenë të sinqertë, ne nuk jemi Italia. Sot ndeshjet i fiton me lodhje të madhe, pasi ka të bëjmë me sjelljen taktike, përqendrimin e madh. Sot, ndeshjet nuk fitohen në tavolinë, dhe as në letër, por duke u treguar të zotë në fushën e lojës. Atje duhet tregojmë sesa jemi të aftë për të fituar një ndeshje, dhe e kemi për detyra ta arrijmë atë”.

“Ia dimë pikat e dobëta të Qipros”

Trajneri i Kombëtares është i bindur se, të gjitha skuadrat kanë pikat e dobëta të tyre, qofshin këto të mëdha apo të vogla. “Nga pikëpamja taktike, – shpjegon De Biazi, – të gjitha skuadrat kanë pikat e dobëta të tyre. Pak apo shumë të gjitha kanë. Ne duhet të gjejmë pikat e dobëta të Qipros, dhe ato i kemi i individualizuar. Kemi katër ditë për të punuar deri të premten dhe do të punojmë mbi këto të dhëna. Ok, tifozët mund të thonë se do të luajmë kundër Qipros, dhe janë të bindur për fitoren, pasi atë e kemi mundur më parë 6-1, dhe mund ta konsiderojnë një shëtitje ndeshjen. Por, edhe ndaj Moldavisë për herë fundit kishim fituar 3-0, por miqësorja e gushtit dëshmoi diçka tjetër”.

“Nuk më shqetësojnë golat që pëson Ujkani”

Portieri i Kombëtares, Samir Ujkani, ka pësuar gjashtë gola në dy ndeshje me Palermon: 3 nga Napoli dhe 3 nga Lacio, ditën e diel. Gjithsesi, trajneri De Biazi nuk është aspak i shqetësuar në lidhje me performacën e Ujkanit. “Të gjithë portierët në botë mund të pësojnë gola, kur kundërshtari gjuan nga një distancë e afërt. Edhe Lev Jashin ka pësuar gola të tillë gjatë karrierës së tij. Golat e pësuar nga Ujkani në ndeshjen kundër Lacios ishin për t’u duartrokitur: një roveshjatë e Klozes, një gol i bukur i Kandrevë dhe një tjetër goditje fantastike e Klozes nga gjashtë metra. Sigurisht, që mbrojtja e Palermos nuk është në 100 përqindësin e saj, dhe Ujkani vuan më shumë se të tjerët. Nëse dikush nuk të gjuan në portë nuk pëson gol kurrë. Ndoshta, në ndeshjen e ardhshme, Ujkani nuk do të pësoj gol, dhe atëherë si do të themi. Shkurt, nuk më shqetëson Ujkani. Nga ana tjetër, edhe portieri tjetër, Etrit Berisha, kur luajtëm kundër Moldavisë, kishte pësuar shtatë gola në Suedi, por me moldavët nuk pësoi gol. Problemi në skuadër është mbrojtja, pasi kur dikush gjuan nga disa centimetra larg, sigurisht që nuk ke çfarë të bësh”.

“Nuk jemi Barcelona, por Shqipëria”

Problemi më urgjent i Kombëtares shqiptare është gjetja e një “plejmejkëri”, pra regjisorit të skuadrës, gjë që ndaj Moldavisë u pa dukshëm që nuk funksionoi. Në miqësoren ndaj moldavëve atë rol e mbuloi Ledian Memushaj, por mesfushori i Leçes nuk u tregua në lartësinë e duhur. “Nuk dua të përmend emra se, cili do të luajë rolin e regjisorit. Nga ana tjetër, ajo do të varet se me çfarë sistemi do të luajmë: do të luajmë më një mesfushë me tre lojtarë, atëherë është e nevojshme që ta kemi. Por, nëse do të luajmë me dy, atëherë ndoshta nuk do të kemi nëvojë për një ‘plejmejkër’. Gjithsesi, nuk dua të zbuloj letrat. Do të punojmë për të përmirësuar cilësinë e lojës. Sipas meje, me atë që dhamë në ndeshjet e majit, kundër Katarit dhe Iranit, kur dhe skuadra kishte një kondicion të mirë fizik, patëm dhe faza të bukura të lojës. Ndaj një Irani, që ishte gati 30 vende më mirë se në ranglistën e FIFA-s, luftuam, fituam dhe bëmë atë që kjo skuadër mund të bënte. Të mos gënjëhemi, nuk është se do të bëjmë atë që bën Barcelona, pasi në fund të fundit jemi Shqipëria”.

“Zvicra, më e forta në grupin tonë”

Shqipëria ndodhet në eliminatoret e Botërorit, në një grup së bashku edhe Norvegjinë, Zvicrën, Slloveni, Qipron dhe Islandën. Në pamje të parë, duket një grup pa emra të mëdhenj dhe disi i ekuilibruar. Por, kujt i trembet më shumë trajneri De Biazi? “Sipas meje, skuadrat më të forta janë Zvicra, Sllovenia dhe Norvegjia. Këto janë në letër më të forta, por, megjithatë do ta vendosë fusha se kush do të jetë më i forti”, – argumentoi trajneri i Kombëtares së Shqipërisë. “Por, në përfundim të ndeshjeve në grup, atëherë do të mësojmë se kush do të jetë më lart në renditje. Sipas meje, në këndvështrimin teknik, Zvicra është më lart se të tjerët”. Fakti, që grupi ynë është i hapur, ka dhe rrezikun brenda se, dhe mund të mbetemi pa pikë, duke qenë se skuadrat mund t’i marrin pikë njëra-tjetrës. De Biazi tha: “Ndoshta, po. Mund të marrim më pak pikë, ashtu si dhe të kundërtën. Por, nuk ka diferenca të mëdha midis Sllovenisë, Zvicrës, Norvegjisë apo të tjerave. Janë ndeshje shumë të ekuilibruara. Me ne janë ndeshje të ndryshme. Duhet të luajmë në në mënyrë shumë inteligjente, për të shfrytëzuar të gjitha rastet që do të kemi”.

KATËR MIQËSORET E DE BIAZIT

GJEORGJI-SHQIPËRI 2-1
Shënues: Çani 3’
E veçanta: Ujkani priti dy penallti
E mërkurë, 29 shkurt 2012,
stadiumi “Mikheil Meskhi”, Tbilisi

SHQIPËRI-KATAR 2-1
Shënues: Bakaj 46’, Bogdani 50’
E martë, 22 maj 2012,
stadiumi “Rajo Valekano”, Madrid

SHQIPERI-IRAN 1-0
Shënues: Vila 60’
E diel, 27 maj 2012,
stadiumi “Fijapi Ononu”, Stamboll

SHQIPËRI-MOLDAVI 0-0
E mërkurë, 15 gusht 2012,
stadiumi “Qemal Stafa”, Tiranë

LISTA

1 Samir Ujkani
2 Etrit Berisha
3 Orges Shehi
4 Lorik Cana
5 Armend Dallku
6 Tefik Osmani
7 Andi Lila
8 Mergim Mavraj
9 Renato Arapi
10 Sabien Lilaj
11 Franc Veliu
12 Jahmir Hyka
13 Emiljano Vila
14 Burim Kukeli
15 Ansi Agolli
16 Alban Meha
17 Gilman Lika
18 Ervin Bulku
19 Armando Sadiku
20 Odise Roshi
21 Hamdi Salihi
22 Edgar Çani
23 Erjon Bodgani
24 Ahmed Januzi

KALENDARI I ELIMINATOREVE
“BRAZIL 2014”

07.09.2012 Shqipëri-Qipro
11.09.2012 Zvicër-Shqipëri
12.10.2012 Shqipëri-Islandë
16.10.2012 Shqipëri-Slloveni
22.03.2013 Norvegji-Shqipëri
07.06.2013 Shqipëri-Norvegji
06.09.2013 Slloveni-Shqipëri
10.06.2013 Islandë-Shqipëri
11.10.2013 Shqipëri-Zvicër
15.10.2013 Qipro-Shqipëri

Mediat helvetike
“Shqipëria me tre zviceranë”

Mediat zvicerane po e përcjellin deri në detaje përgatitjet e ndeshjes me Shqipërinë, kjo për faktin se të dyja skuadrat kanë jo vetëm lojtarë kosovarë, dhe se tre futbollistë të Kombëtares sonë luajnë në Zvicër. “Tre ‘zviceranë’ për Shqipërinë’, – ky ishte titulli i gazetës zvicerane, “Neues Zyrcher Zeitung”. “Përkrah mesfushorit të Lucernës, Jahmir Hyka, janë dhe sulmuesi i Luganos, Armando Sadiku, si dhe për herë të parë edhe mesfushori i Zyrihut, Burim Kukeli. Me Lorik Canën, që aktualisht luan te Lacio e Romës, mund te themi se është dhe një ‘zviceran’ tjetër në grupin me 24 lojtarë të Shqipërisë”, – thekson gazeta në fjalë, që shton se mesfushori 29-vjeçar (Cana) ka jetuar nga mosha 10 deri në 18 vjeç në Lozanë, kur familja e tij kishte ardhur si refugjate, përpara se ai të transferohej në Akademinë e Paris Sën Zhermenit.