Vllaznia, presidenti Xhaferi shpjegon motivin se përse u shkarkua Elvis Plori

162
Sigal

Shkarkimi i trajnerit Elvis Plori ishte një rrufe në qiell të hapur për opinionin sportiv. Klubi nuk humbi kohë dhe menjëherë zyrtarizoi në pankinë teknikun me eksperiencë Mirel Josa.

Për të dhënë më tepër sqarime në lidhje me këtë situatë, foli vetë presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, i cili në një emision zbuloi se arsyeja e largimit të Plorit ishte mungesa e rezultateve.

Nga ana tjetër ngre lart figurën e Mirel Josës, me të cilin thotë se do të ketë një projekt afatgjatë.

SHKARKIMI I PLORIT – “Ne e bëmë këtë lëvizje, sepse rezultatet nuk janë të duhurat. Ishte një lëvizje e sforcuar. Sigurisht që po të kishim rezultate të tjerë nuk do e bënim atë lëvizje. Rezultati do shihet në fund. Një nga arsyet e ardhjes së profesor Josës është riformatimi i ekipit për sezonin e ardhshëm”.

LARGIMI I DY TRAJNERËVE SHKODRANË – “Dedja nuk është hequr, thjesht i ka mbaruar kontratë. Te pjesa e profesor Plorit, është një spostim. Kemi pasur diskutime të brendshme. Këtu bëhet fjalë për momente të vështira, momente delikate. Roli im në këtë rast është deçiziv. Këtu bëhet fjalë edhe për një investim goxha të madh, i cili me mos arritjen e Kupës sigurisht që ka një dëmtim të jashtëzakonshëm për buxhetin që është caktuar për Vllazninë. Është një dështim në vetvete”.

JOSA DHE PROJEKTI I RI – “Ne konsultohemi me njëri-tjetrin, me specialistë brenda klubit dhe jashtë tij, me dashamirës të futbollit. Këtu bëhet fjalë për një projekt afatgjatë, sepse profesor Mireli është një legjendë. Është një trajner që ka pasur rezultate të jashtëzakonshme. Kështu që ne po përgatisim Vllazninë e sezonit tjetër. Me këtë motiv është afruar z.Josa”.