Viron Toska: E merituam Titullin, për në Evropë na duhen më shumë financa

594
Nga Agron KAJA
BASKETBOLL FEMRA/ Flet trajneri i skuadrës kampione të Flamurtarit, në tre finale me Tiranën arritën trofeun e 22-të në histori
Të shtunën, vajzat e rritura të basketbollit të Flamurtarit, kanë shënuar suksesin e 22-të në histori, duke u shpallur Kampione Kombëtare. Në ndeshjet finale për titullin, vlonjatet janë ndeshur me Tiranën, duke i fituar të tre takimet. Për këtë sukses, dje për gazetën “Telegraf”, trajneri i Flamurtarit, Viron Toska, deklaroi se, ishte i lumtur për këtë trofe, duke veçuar kontributin e të gjitha lojtareve. “Ne kemi zhvilluar tri finale të mira me Tiranën, duke i fituar të tria. Tashmë jemi ne Kampionë, dhe ky sukses u takon të gjithëve, vajzave në radhë të parë për karakterin e profesionalizmin që treguan gjatë gjithë këtij sezoni. Por, unë kam edhe një dedikim të veçantë, pasi për këtë titull “kontribut” ka edhe nipi im që javën e ardhshme feston ditëlindjen, njëherësh edhe publiku vlonjat”, theksoi trajneri Toska, i cili më pas këmbënguli që gazeta të “zbardhë” edhe kontributin e Bujar Leskajt, aktualisht Kryetar i KLSH-së. “Bujari ka qenë “lojtari i 6-të” për ne në këtë sezon, dhe është respekt e detyrim që ta them”. Në tre ndeshjet finale për Titullin Kampion, Flamurtari fitoi bindshëm në dy ndeshjet në Vlorë, në të parën 65-48, dhe në të tretën 76-65. Ndeshjen e dytë në Tiranë, vlonjatet e fituan me rezultat të ngushtë 54-58, por trajneri Toska e vlerëson si rivale të fortë. “Tirana ishte rivale e fortë, dhe në të tria ndeshjet, ajo tregoi se ishte e denjë për finale. Por, ne ishim ekip më i mirë dhe më i përgatitur, çka e treguam edhe gjatë këtyre tre finaleve. Natyrisht që, Tiranës dhe trajnerit Avrami, unë ju uroj suksese në vazhdimësinë e tyre, sepse po japin një kontribut të madh në rritjen e nivelit te basketbolli i femrave”. Por, pas këtij titulli të merituar, Viron Toska sheh më larg, në sigurimin e financave për pjesëmarrjen e Flamurtarit në Evropë, pasi sipas tij, për të marrë pjesë atje duhen më shumë burime financiare. “Si Kampionë në Shqipëri, ne do të marrim pjesë në Europë, por deri atëherë do të na duhet të bëjmë edhe përforcime. Nëse do të marrim pjesë, do ta na duhen më shumë financa, e këto do të jenë dy momentet për të cilat do të na duhet edhe mbështetje nga pushteti vendor e donatorë të ndryshëm”, ishte kjo deklarata e trajnerit të Flamurtarit në basketboll femra të Rritura, Viron Toska. Vlonjatet e kanë titullin e gjashtë radhazi që nga sezoni 2013-2014, ndërsa është i 22-ti në historinë e tyre, ku për herë të parë janë shpallur Kampione në sezonin 1976-1977.
Nëse do të marrim pjesë në Evropë, do ta na duhen më shumë financa, e këto do të jenë dy momentet për të cilat do të na duhet edhe mbështetje nga pushteti vendor e donatorë të ndryshëm
Femrat/ Ndeshjet finale
Datë 28 prill 2018
Flamurtari-Tirana 65-48
Datë 2 maj 2018
Tirana-Flamurtari 54-58
Datë 5 maj 2018 
Flamurtari-Tirana 76-65
BASKETBOLL MESHKUJ
Tirana fiton finalen e dytë, më pranë Titullit Kampion
Dje, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, djemtë e basketbollit të Tiranës kanë shënuar një tjetër fitore ndaj Teutës, rivale për Titullin Kampion. Në finalen e parë të luajtur në Tiranës, durrsakët fituan ngushtë 73-76, por kanë humbur në fushën e tyre me rezultat të ngushtë, tashmë 71-74. Në ndeshjen e djeshme, rivaliteti ishte prezent gjatë gjithë ndeshjes, por djemtë e drejtuar nga trajneri grek Antonios Doukas, ishin më të saktë në minutat vendimtare. Duke qenë 5 finale në kalendar, nëse Tirana fiton të katërtën shpallet Kampione Kombëtare, por nëse Teuta bën surprizën që ta fitojë finalen e 10 majit në “Ramazan Njala”, atëherë do të luhet ndeshja e pestë që do të përcaktojë skuadrën kampione 2017-2018.

Meshkujt/ Ndeshjet finale
Datë 29 prill 2018 
Tirana-Teuta 73-76
Datë 3 maj 2018 
Teuta-Tirana 71-74
Datë 6 maj 2018 
Tirana-Teuta 76-74
Datë 10 maj 2018
Teuta-Tirana 17:00
Datë 13 maj 2018
Tirana-Teuta 17:00
Sigal