Video/ Ja si Phelps gënjeu shikuesit për garën me peshkaqenin e bardhë

400
Fansat e Michael Phelps ishin shumë të entuziazmuar kur dëgjuan se ai do të garonte me një peshkaqen dhe e gjithë ngjarja do të transmetohej në televizion, mirëpo ata u zhgënjyen nga ajo që panë të dielën mbrëma në Discovery Channel.

Të gjithë prisnin që 32-vjeçari së paku të futej në një kafaz noti dhe të garonte drejtpërdrejt me peshkaqenin e bardhë.

Mirëpo, në vend të kësaj, gara e fituesit të 28 Medaljeve Olimpike ishte ndaj versioneve virtuale të peshkaqenëve duke u bazuar në aftësinë e tyre të notit në gara të ndara. Pra, ishte një simulim.

“Është e qartë se nuk mund ta vendosim Michaelin në një korsi dhe peshkaqenin e bardhë në një tjetër. Duhet ta bëjmë një simulim”, ishin fjalët që i dëgjuan shikuesit nga ekologu Tristan Gutteridge.

Gjatë gjithë episodit “Phelps vs. Shark: Great Gold vs. Great White”, shikuesit e kanë parë ekipin e Gutteridge duke mbledhur të dhëna rreth shpejtësisë së notit të peshkaqenëve, gjë që ishte e vështirë për t’u regjistruar, sepse peshkaqenët nuk notojnë në një vijë të drejtë.

Prandaj, në vend se Phelps dhe peshkaqeni të notonin krah për krah, shkencëtarët krijuan një imazh kompjuterik të bazuar në shpejtësinë e notit të peshkaqenit dhe notari më i mirë i të gjitha kohërave garoi me këtë simulim.

Shikuesit nuk kanë qenë aspak të kënaqur me këtë gjë, duke qenë se i është bërë shumë reklamë dhe pritej që amerikani i famshëm të garonte me peshkaqenin e jo me një simulim kompjuterik, ndërsa reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta.
Sigal