“NOTOJMË DHE FESTOJMË”/ Në Akademinë e Notit “Te Stela”, kjo veprimtari zhvillohet për të 13-in vit. Flet edhe Presidenti FSHN-së, Agim Çiraku
Veprimtaria “Notojmë e festojmë”, me organizim “Te Stela”
Në vlerësimin e tij, Presidenti FSHN-së tregon historikun dhe modalitetet e organizimit të Kupës “Notojmë dhe festojmë”. “Në kujtesën time, Akademia e Notit “Te Stela”, edhe nëpërmjet veprimtarisë “Notojmë dhe festojmë”, ka nxjerrë me dhjetra e qindra kampionë e rekordmenë. Dhe pjesa më e madhe e tyre janë evidentuar edhe në veprimtaritë e tjera gjithëvjetore, duke i dhënë nivel e cilësi garimit. Kjo veprimtari ka qënë dhe mbetet një prioritet i Akademisë dhe i Resortit “Te Stela Sport-Center”. Ndaj edhe mbështetja jonë është e plotë, dhe unë i uroj suksese dhe një vit të mbarë gjithë komunitetit në notin shqiptar”.
Agron KAJA
Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, dje për gazetën “Telegraf” ndau lajmin sportiv se ditën e shtunë datë 8 shkurt 2025, në Akademinë e Notit “Te Stela” do të zhvillohen garat në Kupën “Notojmë dhe Festojmë”. Ky është një organizim i përvitshëm që FSHN-ja ka filluar ta organizojë te AN “Te Stela”, dhe për zotin Çiraku, së pari kjo veprimtari do “zgjojë” sportin e notit nga letargjia pa veprimtari kombëtare. Edhe pse sipas tij, të gjithë notarët i kanë vazhduar përgatitjet e tyre edhe në këtë stinë të ftohtë të dimrit. “Natyrisht që Kupa “Notojmë dhe festojmë” është një nismë shumë pozitive që ka mbi një dekadë organizim e zhvillim, e mbështetur dhe e drejtuar edhe nga FSHN-ja. Akademia e Notit “Te Stela” këtu bën një test në ujë për gjithë notarët e saj, njëherësh shikon edhe gjëndjen e notarëve nga sezoni i kaluar në këtë start të vitit 2025. Ne si FSHN jemi krenarë për arritjet e Akademisë së Notit “Te Stela” në këto 13 vite gjatë veprimtarisë “Notojmë e festojmë”, të cilat i kanë shërbyer edhe për një start më cilësor vit pas viti”, kështu e nisi dje bisedën Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, i cili si gjithmonë, veç respektit që tregon për garuesit e drejtuesit e tyre, nuk i shpëton edhe “merakut” të tij profesional, thyerjen e rekordeve kombëtare. “Është detyrim dhe respekt për federatën, që të shpreh mirënjohjen dhe respektin ndaj AN “Te Stela”, e cila është kthyer një shkollë e vërtetë për sportin e notit. Notarët vijnë në këtë veprimtari pas një pushimi thuajse dymujor pa gara zyrtare, ndaj edhe unë mendoj se do ta zgjojë letargjinë zyrtare të të gjithë garuesve dhe trajnerëve të tyre. Por nuk do harroj t’u kujtoj që të thyejnë edhe ndonjë rekord kombëtar, si një nxitje për veprimtaritë që do të pasojnë gjatë këtij viti”. Presidenti Çiraku uron sukses për gjithë notarët e trajnerët e tyre, por edhe respekt për mbështetjen që i jep Akademisë Resorti “Te Stela”. “Ju uroj sukses të gjithë garuesve e trajnerëve të tyre në eventin “Notojmë dhe festojmë”. Ne si federatë (FSHN) jemi krenarë që kjo Akademi Noti vazhdon të rritë çdo ditë kampionë noti. Ndoshta mbetet edhe si një pikë referimi për ritmikën e veprimtarive vjetore (dimërore), ku me shumë respekt duhet përmendur edhe mbështetja që i jep administrata e Resortit “Te Stela”, me zotin Stefan Pinguli si president i tij”, kështu e mbylli bisedën Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, i cili përmes gazetës “Telegraf” e rrit edhe më shumë motivimin e garuesve në veprimtarinë “Notojmë dhe festojmë”.
Edicioni i 13-të
FSHN dhe Akademia e Notit “Te Stela”, organizojnë më 8 shkurt 2025 edicionin e 13-të të aktivitetit “Notojmë dhe Festojmë”. Në këtë event ku do marrin pjesë 50-60 notarë, meshkuj e femra, krahas garimit, të gjithë do të jenë edhe në test për gjëndjen e tyre sportive para garave të tjera zyrtare të këtij viti.
50-60 garues
Në Kupën “Notojmë dhe festojmë” do të marrin pjesë grupmoshat nga 8-9 vjeç e deri në moshën 14 vjeç, meshkuj dhe femra me 50-60 notarë. Tradicionalisht në këtë veprimtari kanë marrë pjesë notarë nga të gjitha ekipet e AN “Te Stela”, ndërsa ka patur edhe pjesëmarrje nga ekipet e tjera të notit në Shqipëri.
Trajneri i AN “Te Stela”, Sadik Mema
Për Akademinë, synim është të testojë gjëndjen e notarëve
“Notojmë dhe festojmë” zhvillohet për herë të 13-të. Cila është historia e kësaj veprimtarie?
“Notojmë dhe festojmë” është veprimtari që organizohet nga FSHN-ja, e nisur nga Akademia e Notit “Te Stela”, dhe ky është edicioni i 13-të. Aty marrin pjesë fëmijë të Akademisë së Notit “Te Stela”, rreth 50-60 fëmijë, meshkuj e femra.
Cili është qëllimi, apo synimi që ju keni gjatë kësaj veprimtarie?
Kjo veprimtari nisi që në fillimin e Akademisë, dhe pas marrjes së drejtimit të FSHN-së nga zoti Agim Çiraku u mbështet nën organizimin e saj. Ky aktivitet na shërben për të evidentuar rezultatet e vitit që u mbyll, duke e menduar si një analizë vjetore.
Po këtë vit, çfarë risie do të sillni në veprimtarinë “Notojmë dhe festojmë”?
Zakonisht, mbi bazën e këtij aktiviteti vendosen objektivat, analizohet puna e instruktorëve, trajnerëve, si dhe marrëdhëniet me prindërit, për t’i forcuar më shumë në interes të rritjes së cilësisë së garimit në garat që do vijojnë.
Do të keni të ftuar ekipe të tjera, apo edhe notarë nga Shqipëria e diaspora shqiptare?
Ekipe të tjera këtë herë nuk do kemi, shpesh edhe kemi ftuar. Kjo për arsye të situatës së gripit që ka përfshirë Shqipërinë, Madje edhe ne do kemi mungesa për këtë arsye, por nuk e shtyjmë dot më shumë si veprimtari.
Cili është programi i kësaj veprimtarie dhe cila është koha e zhvillimit të saj?
Si fillim, do ketë një fjalë rasti si analizë e vitit që u mbyll, pastaj për notarët më të mirë që kanë thyer rekorde kombëtare e kanë fituar kupa, kemi përgatitur disa dhurata (15 më të mirët). Më pas zhvillohen garat, të gjitha brënda ditës së shtunë.
Ju si akademi, çfarë synoni më shumë në garat e veprimtarisë “Notojmë dhe festojmë”?
Synimi kryesor është të shohim gjendjen e notarëve në këtë fillim të sezonit 2025. Për çdo garë do ketë vlerësime për të gjithë fëmijët me diploma përkatëse, dhe për notarët më të mirë do shpërndahen Medalje dhe dhurata të ndryshme.
Veprimtaria më e afërt kombëtare e notit, cila është në këtë fillim të vitit 2025?
Veprimtaria më e afërt në kalendarin e vitit 2025 është kampionati Kombëtar i Fëmijëve, në mars 2025. Nga këtu (Notojmë e festojmë) ne do shohim përbërjen e ekipeve tona për veprimtarinë e radhës.
Në synimet dhe objektivat e vitit sportiv 2025, cilat janë prioritetet e Akademisë së Notit “Te Stela”?
Për vitin 2025, si në çdo vit tjetër, për AN “Te Stela” është që të fitojmë të gjitha kupat në gjithë aktivitetet vjetore. Ne nuk jemi vetëm një ekip sportiv, por një shkollë e madhe Noti me 8-9 trajnerë dhe instruktorë që punojnë me pasion e profesionalizëm.
Në sezonin e kaluar, nga kujtesa e trajnerit Mema
“Në sezonin e kaluar, në veprimtarinë “Notojmë dhe festojmë” u dalluan disa notarë të Akademisë sonë që morrën pjesë. Veçoj Arla Dermishin, Luna Djarmatin, Paolo Priskën, Ivi Asllanajn, Drini Karanxhën, Sibora Dushajn, Alisa Didinin, Ledion Çokajn, etj, të cilët i dhanë bukurinë akvitetit. Për shkak të situatës gripale jemi pak më vonë se tradita, por besoj se edhe këtë vit të gjithë këta notarë do jenë protagonistë në këtë veprimtari”.
Trajneri Eduart Cane: AN “Te Stela” starton 2025-ën
Trajneri i ekipit të të Rriturve në AN “Te Stela”, Eduart Cane, dje për gazetën “Telegraf” u shpreh se Kupa “Notojmë dhe festojmë” është vetëm starti i vitit 2025 me veprimtari, si edhe për të parë edhe gjëndjen e notarëve deri në moshën 14 vjeç. Sipas tij, këtu jo vetëm që do garohet zyrtarisht, por edhe do të mësohet gjëndja e çdo notari në pragun e veprimtarive të tjera të këtij viti. “Këto janë gara më tepër për të falenderuar të gjithë notarët, që kanë garuar për vitin 2024, dhe për të ndarë sportistët elitarë të vitit që mbyllëm. Por në Kupën “Notojmë dhe festojmë” garohet edhe për të parë edhe gjëndjen e notarëve deri në moshën 14 vjeç, ku matjet do të bëhen nga gjyqtarët e FSHN-së. Ky është një start testues për këtë vit sportiv, brenda të cilit ne do të itensifikojmë përgatitjet tona për cilësi e rezultate më të larta nga viti i kaluar”.
“Notojmë dhe festojmë” në Gazetën “Telegraf”
Edhe pse është një veprimtari që nga FSHN-ja organizohet si “premirë” e vitit 2025, “Notojmë dhe Festojmë” merr përmasat kombëtare, dhe më tej, edhe nëpërmjet faqeve që i kushton gazeta “Telegraf”. Si në çdo veprimtari tjetër kombëtare që organizon FSHN-ja dhe Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit, edhe këtë herë hapësira në gazetë është e plotë. Ndoshta nga kjo paraqitje, mundet të themi se starti i rekordeve sapo ka nisur. “Notojmë dhe Festojmë” sot do ta “zhurmojë” pishinën në këtë start të ri të vitit 2025.