Vendimi i klubit polak/ Shqiptarët e Legias së Varshavës mbeten pa trajner

62
Sigal

Legia e shqiptarëve po përjeton një moment shumë të vështirë teksa një krizë rezultatesh në kampionat ka gjunjëzuar ekipin.

Kampionët në fuqi, renditen në vendin e 15-të me 18 pikë diferencë nga vendi i parë duke dalë totalisht nga gara për titull si dhe duke luftuar tani më në fundin e tabelës.

Si mos të mungonin rezultatet e dobëta, klubi po përballet dhe me situata aspak të favorshme për momentin.

Në disfatën e thellë të mbrëmjes së djeshme, ku Legia u mund nga Piast Glivice me rezultatin 4-1, trajneri Çezlav Micnieuiz kishte vetëm pesë lojtarë në stol pasi kishte vendosur të linte në shtëpi 4 futbollistë, Matias Johanson, Lindsej Ros dhe dy shqiptarët, Jurgen Çelhaka dhe Lirim Kastrati.

Këta të fundit u afruan këtë verë me bujë të madhe tek klubi polak, por aventura e tyre nuk po shkon siç u parashikua.

Sipas medias polake “Polsat.pl”, Çelhaka ka refuzuar thirrjen e trajnerit për të luajtur me ekipin  e moshave duke u dënuar nga trajneri që nuk e grumbulloi me pjesën tjetër të skuadrës për sfidën ndaj Piast Glivice.

Por të gjitha këto ngjarje kanë pasuar me shkarkimin e trajnerit 51-vjeçar nga stoli i Legias.

Lajmi u bë i ditur nga vetë faqja e klubit pasditen e sotme.

Aventura e trajnerit polak zgjati vetëm 1 vit ku konflikti me lojtarët solli dhe largimin e tij nga klubi.