Vasil Bici: “Kritikat e mia për De Biazin”

515
Sigal

Specialisti i mirënjohur: “Italiani po përsërit të njëjtat gabime. Përçmon Superligën”

Ish-trajneri Vasil Bici, dikur ndihmës i Medin Zhegës në ekipin Kombëtar, flet dhe për “Telegraf” për miqësoren e Shqipërisë me Bjellorusinë (luhet sot në Turqi, 17:00), gabimeve të përsëritura që po bën trajnerit të Kuqezinjve, Xhani De Biazi, por i jep edhe disa këshilla miqësore italianit. “De Biazi po përsërit të njëjtat gabime, ato të sezonit të kaluar, duke thirrur në Kombëtare futbollistë që luajnë në nivele të ulëta në kampionatet e disa shteteve që nuk kanë për momentin një nivel të lartë dhe nuk kanë kampionat të zhvilluar”, – tha Bici për gazetën “Telegraf”. Ish-drejtori i Sporteve në ish-Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, foli edhe për kampionatin e Kategorisë Superiore, pas përfundimit të fazës së parë të kompeticionit. “Kampionati ka rivalitet midis skuadrave, kuptohet brenda cilësive që ato kanë. Asnjë ekip nuk garanton më se, luan në fushë kundërshtare dhe i ka të sigurt tri pikët. Këtë e vërtetoi Skënderbeu kryesues me humbjen me Bylisin në Ballsh; Partizani me humbjen me Vllazninë në Tiranë, apo Flamurtari me fitoren në Shkodër, – tha Vasil Bici.

 – Zoti Bici, Shqipëria do të luajë sot miqësoren kundër Bjellorusi, takim i programuar për t’u zhvilluar në Turqi. Çfarë mund të presim nga ballafaqimi me bjellorusët?

– Është një ndeshje që do të luhet në një datë të lirë të FIFA-s, ku të gjitha ekipet përfaqësuese nga e gjitha bota, janë përpjekur të gjejnë kundërshtarë të lirë për takimet miqësore, apo të tjerë që do të luajnë ndeshjet e para të “play-off”-it, përfshirë edhe Islandën (kundër Kroacisë), ekipin që zuri vendin e dytë në grupin tonë. Kombëtarja jonë do të luajë me Bjellorusinë. Janë dy skuadra me vlera të përafërta dhe që në të kaluarën janë ndeshur katër herë midis tyre (në ndeshje zyrtare).

– Kjo miqësore përkon edhe me ndeshjen e parë të trajnerit Xhani De Biazi, pas nënshkrimit të kontratës së tij të dytë me Federatën Shqiptare të Futbollit. Në ndeshjen e tij të parë, me kontratën e parë të tij humbi 2-1 me Gjeorgjinë. Si do ta gjykonit listën e lojtarëve të grumbulluar prej tij?

– De Biazi po përsërit të njëjtat gabime, ato të sezonit të kaluar, duke thirrur në Kombëtare futbollistë që luajnë në nivele të ulëta në kampionatet e disa shteteve që nuk kanë për momentin një nivel të lartë dhe nuk kanë kampionat të zhvilluar. Një pjesë e mirë e lojtarëve luajnë në kampionate pa reputacion futbollistik në Europë.

– Përse e thoni këtë?

– Më lejoni të jap disa shembuj: Armando Sadiku luan me Luganon, një kampionat i dorës së dytë në Zvicër e që nuk dallohet për një cilësi të lartë. Lojtarë të tjerë aktivizohen në ekipe të nivelit të tretë apo të katërt, të cilat janë pa asnjë dyshim të barazvlefshme me skuadrat më të mira të kampionatit tonë. E them pa mëdyshje se, jo pak, por gati 50% e atyre klubeve nuk kanë asgjë më shumë për nga cilësia se kampionati ynë, duke përjashtuar infrastrukturën futbollistike të cilën padyshim e kanë shumë më të mirë se ne.

– Cila do të ishte këshilla juaj për trajnerin e Kombëtares?

-De Biazi duhet të gjurmojë e të kapë ata futbollistë që luajnë në nivele të larta, të atij niveli siç janë Lorik Cana apo Etrit Berisha te Lacio në Itali; Migjen Basha te Torino; Valdet Rama te Valadolidi në Spanjë, apo Mërgim Mavraj te Grojther Fyrthi në Gjermani. Futbollistë që luajnë në nivele të dyta të kampionateve europiane nuk kanë për t’i dhënë asnjë lloj progresi ekipit Kombëtar.

– Shumë eksperimente pa fund nga ana e De Biazit, një listë e gjatë lojtarësh, ku disa vinë dhe disa ikën; disa rikthehen dhe sërish harrohen…

– Është e vështirë ta kuptosh atë bën shpeshherë De Biazi. Në fund të edicionit të eliminatoreve të Botërorit, ai la të kuptohet se, “këtë brumë lojtarësh gjeta dhe këtë bukë bëra”. Jam i bindur se, këtë do ta thotë edhe në fund të kualifikueseve të Europianit, nëse do të vazhdojë të eksperimentojë pa fund. Edicioni që shkoi u bënë shumë seleksione, me lojtarë që luajnë në skuadra të rangjeve të ulëta në Europë.

– Shumë pak lojtarë nga kampionati ynë dhe zero minuta për lojtarët e thirrur. Sa shqetësuese ju duket kjo situatë?

– Mendoj se, De Biazi duhet të tregojë më shumë respekt për kampionatin tonë. Unë e shoh edhe në një aspekt tjetër: duhet respektuar edhe patriotizmi. Shumë djem kanë ikur në Europë, madje disa prej tyre nuk dinë as shqip. Ata veshin fanellën e luajnë, por sa e heqin atë nuk e kujtojnë më. Për këtë arsye, mendoj se sa më shumë lojtarë nga kampionati ynë, aq më mirë do të ishte. Nuk duhet ta përçmojmë kampionatin tonë. Të paktën, një 40% e lojtarëve duhet të ishte nga Kategoria Superiore, kjo do ta nxiste edhe më shumë kampionatin dhe do të ndikonte në rritjen e nivelit të tij.

– Si mund ta përmirësonte këtë klimë De Biazi?

– Ai duhet jo vetëm t’i afrojë lojtarët nga kampionati vendas, por dhe t’i aktivizojë ata, me qëllim që edhe ata të menaxhohen sa më mirë. Nuk duhet të harrojmë se, kampionati ynë nuk është më i dobët sesa kampionati i Malit të Zi, Maqedonisë, Austrisë, apo ekipeve të dyta të Bullgarisë apo Rumanisë. Edhe në Greqi, duke përjashtuar tri-katër skuadra në Greqi, edhe atje të tjerat nuk kanë ndonjë nivel të lartë. Dëshiroj të nënvizoj një fakt. Kur në kohën e diktaturës, pra para viteve 1990 ekipet tona luanin me disa prej ekipeve më të mira europiane, si Barcelona, Ajaksi, Olimpiku i Marsejës, Austria e Vjenës, Partizanin e Beogradit, Sëlltiku i Gllazgout, apo Torino, po këta lojtarë nga kampionati ynë, si ata të Partizanit, Tiranës, Dinamos, Vllaznisë apo Flamurtarit kanë bërë lojëra dinjitoze dhe kanë marrë rezultate inkurajuese.

– Shumë lojtarë të rikthyer nga jashtë nuk kanë shkëlqyer me ekipet tona…

– Duhet të kujtoj një fakt, kur unë kam qenë ndihmës i trajnerit të Kombëtares, të madhit Medin Zhega. Në ekip kishim lojtarë si Altin Rraklli, Rudi Vata, Igli Tare, Alban Bushi, apo ndonjë tjetër dhe ne grumbullimin që ne bënim ata shpeshherë thoshin se, po të luanim në kampionatin tonë ata do të shënonin nga katër-pesë gola! Rraklli luajti te Tirana dhe mezi shënoi disa gola; po kështu Alban Bushi, për aq kohë sa luajti te Dinamo e Tirana nuk shkëlqeu; Rudi Vata erdhi te Tirana dhe nuk la gjurmë. Kampionati ynë çalon në infrastrukturë, në drejtime të tjera organizative, por është një kompeticion që nuk duhet nënvlerësuar.

– U mbyll faza e parë e kampionatit. Si i patë këto 11 javë të para?

– Mendoj se, kampionati ka rivalitet midis skuadrave, kuptohet brenda cilësive që ato kanë. Asnjë ekip nuk garanton më se, luan në fushë kundërshtare dhe i ka të sigurt tri pikët. Këtë e vërtetoi Skënderbeu kryesues me humbjen me Bylisin në Ballsh; Partizani me humbjen me Vllazninë në Tiranë, apo Flamurtari me fitoren në Shkodër, apo dhe Skënderbeu me humbjen me Kukësin në Korçë. Skënderbeu ka krijuar një diferencë pikësh, por në fazën e dytë presim një kampionat më të vërtetë.

Kjo do të jetë miqësorja e parë kundër Bjellorusisë, teksa më parë kemi zhvilluar katër takime zyrtare

 Sot, Shqipëri-Bjellorusi, nis “epoka 2” e italianit

  Shqipëria do të luajë sot kundër Bjellorusisë, takim i programuar për t’u luajtur në Antalia të Turqisë. Kjo do të jetë miqësorja e parë kundër Bjellorusisë, teksa më parë kundër tyre kemi zhvilluar katër takime zyrtare. Kundër bjellorusëve Kombëtarja jonë do të luajë miqësoren e 93-të historike (nga e para, ajo kundër Malit të Zi, më 22 shtator 1946, të fituar 5-0). Shqipëria ka zhvilluar katër takime ndaj Bjellorusisë, dy për kualifilkueset e Euro 2008 dhe dy për Botërori e vitit 2010. Kemi  një bilanc prej dy humbjesh, një barazimi dhe një fitoreje. Më 2 shtator të 2006-s në Minsk, kuqezinjtë barazuan 2-2 falë golave të Skelës me penallti dhe Besnik Hasit nga goditja e dënimit. Më 17 nëntor 2007, Shqipëria humbiste në Tiranë 2-4, teksa për kuqezinjtë shënonin Bogdani dhe Kapllani. Më 12 tetor 2010, kuqezinjtë humbin 2-0 në Minsk, teksa më 26 mars 2011 në “Qemal Stafa” fitonin 1-0 falë golit të Hamdi Salihit. Kjo mbahet edhe si një nga ndeshjet më të bukura që ka zhvilluar skuadra jo vetëm nën drejtimin e të ndjerit Josip Kuzhe, por edhe në të paktën dy dekadat e fundit, pavarësisht rezultatit minimal. Ndërkohë, takimi i 15 nëntorit do të jetë i pesti midis dy vendeve. Trajneri Xhani De Biazi ka zhvilluar tetë ndeshje miqësore, ku ka koleksionuar 4 fitore (me Katarin, Iranin, Lituaninë dhe Armeninë), dy barazime (me Moldavinë dhe Kamerunin) si dhe dy humbje me (të dyja me Gjeorgjinë). Nga tetë ndeshjet miqësore, katër prej tyre janë zhvilluar në Tiranë, ndërsa katër të tjera janë zhvilluar jashtë Shqipërisë (Gjeorgji-Shqipëri 2-1, Katar-Shqipëri 1-2/ Madrid; Iran-Shqipëri 0-1/Stamboll dhe Kamerun-Shqipëri 0-0/Gjenevë). Shqipëria vjen në përballjen me Bjellorusinë, pas dy fitoreve rresht në miqësore, ato me Lituaninë (4-1) dhe Armeninë (2-0).