Transformohet kompleksi te pishinat, nis kampionati i notit, Kryebashkiaku Veliaj: Jo vetëm për notarët, por për gjithë komunitetin

201
Sigal

Një tjetër mjedis sportiv i rikthehet qytetarëve të Tiranës. Parku i pishinave te Diga e Liqenit është transformuar plotësisht në pak ditë dhe priti garën e parë të kampionatit të notit. Pas më shumë se 20 vitesh administrim nga privati, kompleksi i pishinave tani ndodhet nën administrimin e Bashkisë së Tiranës, duke u shndërruar në një pikë frekuentimi edhe për qytetarët dhe fëmijët. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i lumtur për zhvillimin e garës së parë të notit dhe shtoi se këto hapësira janë në dispozicion edhe për notarët e rinj, edhe për komunitetin. “Këtu kemi një hapësirë për më të mirët e notit. Por, kemi edhe një hapësirë çlodhëse për familjarët, si dhe një kamp për fëmijët, që vijnë nga familje me probleme ekonomike, të cilët nuk shkojnë dot në plazh, ama kanë mundësi të frekuentojnë pishinat e Tiranës, për të kaluar disa kujtime të bukura vere. Aty ku ka vullnet, ka edhe një rrugëzgjidhje, në mënyrë që të kënaqen të gjithë. Sot jam shumë krenar që fillojmë një kapitull të ri për notin”, u shpreh Veliaj.

Agim Çiraku: Një investim me vlerë për sportin e notit në Shqipëri

Ndërsa Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku deklaroi se është falenderues ndaj Bashkisë për investimet e kryera në nder të zhvillimit të sportit të notit në Shqipëri. “Ne si Federatë dhe si komunitet ju themi një faleminderit të madhe për këtë investim. Keni bërë një punë shumë të mirë që e keni marrë ju si Bashki në administrim zonën, pasi Bashkia mendon së pari për shërbimin, e pastaj fitimin. Ne si Federatë kemi edhe notarë shumë të mirë të cilët do kenë mundësinë të shfaqen në këtë ambient kaq komod.

Kryebashkiaku  tha se i vjen mirë që ekipi i notit do të ketë një hapësirë dedikuar posaçërisht për ta dhe se kundërshtarët politikë mund të vonojnë ecurinë e punëve në qytet, por nuk mund ta pengojnë zhvillimin. “Me skuadrën e notit kemi pasur një ëndërr afatgjatë pas mbarimit të kontratës 20 vjeçare të administruesve të kësaj hapësire. Më vjen keq ta them, por si çdo përpjekje në Shqipëri, me shumë sakrificë, çdo gjë kthehet në një malore me gjykata e keqkuptime. Ky vend do të ishte më i mirë sikur të kishim pak mirëkuptim. Kur ndërtohet një shkollë si gjimnazi ‘Sami Frashëri’, politika nuk duhet të përzihet. Kur lirohet një hapësirë, siç ishin ‘7 Xhuxhat’, për ta bërë parking poshtë dhe kënd lodrash lart, politika nuk duhet të përzihet. Kur lirohen pishinat, qofshin këto olimpike, qofshin pishina për amatorët dhe fëmijët, as këtu politika s’duhet të përzihet”, nënvizoi Veliaj. Në fund kreu i Bashkisë tha se ky do të jetë një kapitull i ri për notin në Shqipëri. “Mezi pres që ta hapim këtë kapitull të ri për notin, ku ne ofrojmë kushtet, mundësitë, financat, shërbimet dhe pastaj ua lëmë çunave dhe gocave të na nderojnë me medalje. Më vjen shumë mirë që shumica e medaljeve, të paktën në këtë bateri, u mor nga çunat që vijnë nga qytetet e tjera, si Durrësi dhe Saranda”, përfundoi Veliaj.