Trajnerë kampionë, por të papunë

929
Sigal

Edhe pse kanë fituar tituj, janë dhjetë teknikë të suksesshëm që nuk janë në bankinat e Superligës

Edhe pse kanë fituar tituj kampionë dhe janë ende në kulmin e energjive, një pjesë e trajnerëve të njohur shqiptarë nuk kanë një ekip në komandë. Natyrisht, janë vetëm 12 vende pune në Superligë, por ia vlen të bëjmë një skanim të teknikëve pa skuadër. Astrit Hafizi, ish-trajner i Kombëtares shqiptare, nuk drejton një ekip ka qenë sezoni 2007- 2008, kur u ul në stolin e Tiranës për 14 javë (7 fitore, 5 barazime dhe 2 humbje). Shkarkimi nga klubi bardheblu solli largimin përkohësisht nga drejtimi i ndonjë bankine të Hafizit, i cili për hir të së vërtetës ka qenë vazhdimisht i lidhur me futbollin, me analizat dhe komente si në mediat vizive dhe të shkruara. Astit Hafizi ka fituar titullin kampion me Vllazninë si trajner në sezonin 1991-1992. Prej tre sezonesh nuk drejtojnë më skuadër, as Faruk Sejdini e Neptun Bajko, dy ikona këto të bankinave shqiptare. “Xhaxhi” ka qenë për herë të fundit në 2011-ën te Dinamo, ndërsa Bajko e ka drejtuar Partizanin në momentet më të vështira, në Kategorinë e Dytë. Faruk Sejdini ka fituar titullin me Dinamon në sezonin 2001-2002, ndërsa Neptun Bajko me Partizanin në edicionin 1986-1987. Një tjetër kampion race, i papunë është Shkëlqim Muça. Skuadra e fundit e tij është Flamurtari i sezonit 2012-2013, por ai u shkarkua nga vlonjatët pas javës së parë. Ish-mesfushori i mesfushorit ka fituar katër tituj kampionë: tre me Tiranën (1994-1995, 1999-2000 dhe 2006-2007) si dhe një me Dinamon (2009-2010). Ilir Daja, në pamje të parë duket një trajner modest, por ish-lojtari i Dinamos ka në “xhepin” e tij dy kampionate: atë me Elbasanin në sezonin 2005-2006 dhe Dinamon (2007-2008). Për herë të fundit ka drejtuar Besën për disa javë në sezoni 2012-2013.

Shkodrani Hysen Dedja është një tjetër trajner kampion: ka fituar me Vllazninë në sezonin 1997-1998. Për herë të fundit, në bankinë ai ka qenë te Teuta (2007-2008), ndërkohë që tani është shkëputur nga futbolli, pavarësisht se shpesh është i ftuar për të bërë analiza apo komente. Pa bankinë është edhe Shpëtim Duro. Ish-trajneri i Partizanit ka fituar titullin kampion me Skënderbeun në edicionin 2010-2011. Ekipi i fundit i Duros në Superligë ishte Vllaznia (korrik 2012-janar 2013), ndërsa në të Parën, Partizani (shkurt 2012-prill 2013). Një trajner kampion, madje i dyfishtë është dhe Sulejman Starova: me Partizanin (1992-1993) dhe Tiranën (2004-2005), por “bobi” tani është drejtor sportiv te Kukësi, duke pasur një kontribut jo të vogël në kalimin historik të tre tureve në Europë të kuksianëve, praktikisht skuadra më e suksesshme shqiptare në Europë. Trajner kampion është dhe Sulejman Mema, i cili ka fituar dy tituj kampionë me Tiranën, përkatësisht në edicionet 1995-1996 dhe 1989-1999. Aktualisht, Mema është drejtori i Shkollës së Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi”. Durrsaku Haxhi Ballgjini ka fituar titullin kampion me Teutën në sezonin 1993-1994, i cili është dhe i vetmi i fituar nga “djemtë e detit”, por ish-lojtari i Lokomotivës së dikurshme (sot, Teuta) dhe i Partizanit, ka kohë që nuk është ulur në bankinë.

KAMPIONËT PA SKUADËR

Astrit Hafizi

Shkëlqim Muça

Ilir Daja

Sulejman Starova

Hysen Dedja

Shpëtim Duro

Sulejman Mema

Faruk Sejdini

Neptun Bajko

Haxhi Ballgjini

Josa, i vetmi kampion këtë edicion

Mirel Josa është i vetmi trajner i këtij edicioni që ka fituar tituj kampionë, madje dy të tillë. Trajneri i Skënderbeut e ka fituar titullin e parë me Tiranën, atje dhe ku është formuar si lojtar, në sezonin 2003-2004 dhe me Skënderbeun, sezonin e kaluar, 2012-2013. Asnjë nga 11 trajnerët e tjerë nuk ka fituar tituj kampionë. Stavri Nica i Laçit dhe Hasan Lika i Partizanit kanë fituar më parë Kupën e Shqipërisë, por Lika e ka bërë atë me Teutën.

Teuta Gugash Magani

Vllaznia Agim Canaj

Partizani Hasan Lika

Lushnja Artan Bano

Laçi Stavri Nica

Skëndderbeu Mirel Josa

Kastrioti Ramadan Ndreu

Bylisi Emanuel Egbo

Tirana Nevil Dede

Flamurtari Ernest Gjoka

Besa Artan Mergjyshi

 Ish-portieri i Tiranës dhe Bylisit u soll nga ish-presidenti egjiptian i bardhbluve, El-Sayed

 Emanuel Egbo, një nigerian trajner në Shqipëri

 Emanuel Egbo është i vetmi trajner i huaj në këtë sezon të Superligës. Nigeriani pasoi në bankinën ballshiote, kosovaro-turkun Naxhi Shensoj, ky i fundit e çoi për herë të parë Bylisin në një finale të Kupës së Shqipërisë, të humbur me Laçin në minutat e fundit. Edicionin e kaluar ishte edhe spanjolli Hulian Rubio (drejtoi Tiranën dhe Flamurtarin). 40-vjeçari Egbo mbërriti në Shqipëri në vitin 2000, pas blerjes së tij nga ana ish-presidentit egjiptian të Tiranës, El-Sayed. Portieri luajti për dy sezone me bardheblutë (2001-2003), dhe pas rikthimit të tij në Egjipt tek El-Masri, u rikthye sërish në vendin tonë, por tashmë te Bylisi (2008), me të cilin shpenzoi pesë vjet si lojtar dhe tani si trajner. Egbo, i cili ka luajtur edhe për Kombëtaren e Nigerisë, zotëron licencën “UEFA A”, të marrë në Shqipëri, çka i lejon atij të drejtojë në skuadër të Kategorisë Superiore, apo çdo ekip tjetër në vendin tonë. Aventura e shumëpaguar e trajnerëve të huaj në Shqipëri, fillon me argjentinasi Mario Kempes që drejtoi për disa muaj te Lushnja, erdhi në gusht të viti 2006 dhe u largua vetëm pas pak muajsh, më saktësisht më 4 nëntor 2006, i “arratisur” pak muaj përpara shpërthimit të krizës së piramidave. Gjithsej, nga argjentinasi Kempes i vitit 1996, e deri te italiani De Vekis, në vitin 2012, në Shqipëri, 28 trajnerë të huaj. Shumë pak trajnerë të huaj kanë arritur të fitojnë trofe kampionatesh, kupash dhe superkupash në Shqipëri. Vetëm tre prej tyre kanë fituar titulli kampion. Malaziasi Dervish Haxhiosmanoviç, që e fitoi me Vllazninë në sezonin 2000-2011, nën presidencën e të ndjerit Myftar Çela, çeku Stanislav Levi me Skënderbeun (2001-2012) me presidentin Agim Zeqo. Edhe boshnjaku Bllazhko Slishkoviç me president Refik Halilin, mund të konsiderohet një fitues kampion, pasi Tirana nën drejtimin e tij të Agustin Kolës dhe më pas të Alban Tafajt, fitoi kampionatin e sezonit 2008-2009. Përsa u përket fitimit të Kupës së Shqipërisë janë rumuni i Dinamos, Aurel Cikleanu në sezonin 2002-2003 dhe kroati i Tiranës, Misho Krstiçeviç (2010-2011) i cili pasoi Sulejman Starovën dhe Nevil Deden fitoi Kupën e Shqipërisë. Superkupën e kanë fituar hungarezi Miklosh Temeshvari me Tiranën (2001), kroati Ilija Lonçareviç me Tiranën (2009), kroati Zlatko Daliç me Dinamon (2010) dhe spanjolli Hulian Rubo me Tiranën (2011, 2012).

Flet një shqipe perfekte

 Nëse planifikon të bësh një bisedë apo intervistë me nigerinian Emanuel Egbo, pa ndërmjetësinë e ndonjë anglishtfolësi, nuk duhet ta vrasësh fare mendjen. Egbo flet një shqipe shumë të mirë, fryt i qëndrimit më shumë se 12 vjeçar në Shqipëri. Gjithsesi, theksi i huaj, vihet re menjëhërë, por mendimet i shpreh shumë qartë. Ai bashkëjeton me një shqiptar në qytetin e Bylisit, çka e ka ndihmuar atë ta mësojë mjaftueshëm gjuhën tonë.

Sezoni i kaluar, rekord shkarkimesh

 Sezoni i kaluar përjetoi një fluks të jashtëzakonshëm shkarkimesh dhe dorëheqjesh të trajnerëve. Rekordin e lëvizjeve në bankinë mbajtën Tirana dhe Laçi. Si bardheblutë dhe kurbinasit patën katër trajnerë në krye të ekipit: Hulian Rubio, Alban Tafaj, Artur Lekbello dhe Nevil Dede. Laçi pati Përparim Daiun, Stavri Nicën, Ylber Zanin dhe Ramadan Shehun. Nica arriti ta çojë këtë skuadër për herë të parë në historinë e vet në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe ta fitojë atë.