Tradhtia e parë pas 14 vitesh, futbollisti i Real Madrid kërkon të shkojë tek Barcelona

185
Sigal

Gazeta katalanase “El Nacional” thekson se futbollisti i Real Madridit, Isco Alarcon po kërkon të transferohet falas në Barcelonë.

Tradhtia, siç e quajnë shumë në Spanjë, nuk ka ndodhur për 14 vjet që kur Javier Saviola u transferua falas nga Real Madridi në Barcelonë.

Kjo është pikërisht ajo që mund të ndodhë verën e ardhshme kur skadon kontrata e mesfushorit spanjoll me Realin. Edhe pse Isco nuk po shkëlqen prej ca kohësh, por potenciali e tij dihet tashmë dhe mund ta ndihmojë jashtëzakonisht shumë Barcelonën.

“El Nacional” raporton se Isco dëshiron të shkojë në Barcelonë pasi nuk ka patur shumë hapësira ​​për të luajtur me Realin kohët e fundit, por edhe për shkak të akuzave se nuk ka marrëdhënie të mira me lojtarë të caktuar të klubit madrilen.

Isco ka kontratë me Realin deri në qershor 2022. Pas kësaj, nëse nuk vazhdon bashkëpunimin me Klubin Mbretëror, është i lirë të firmosë me kë klub dëshiron.

Kujtojmë, Isco mbërriti tek Real për 30 milionë euro nga Malaga në vitin 2013. Edhe pse zhvilloi ndeshje shumë të mira në fillimet e aventurës së re, kohët e fundit nuk ka qenë në nivelin që pritej.