Totenhem pret kualifikimin/ Dortmund nuk dorëzohet

497
Sigal

Në letër nuk ka asnjë shans. Humbja e thellë 3-0 në ndeshjen e vajtjes të luajtur në Londër, e bën një mision të pamundur kualifikimin e Borusias së Dortmundit mes tetë skuadrave më të mira të Europës. Ndoshta është më mirë kështu për Lusien Favre dhe të besuarit e tij, që përveç eliminit nga Champions, rrezikojnë t’iu rrëshkasë nga duart edhe vendi i parë në kampionatin gjerman. Por, gara e titullit nuk bën pjesë në mendimet e teknikut, i cili pavarësisht parashikimeve do të dalë me kokën lart nga turneu më i rëndësishëm europian për klube.

“E dimë që do të jetë shumë e vështirë, por në futboll nuk i dihet. Çdo ndeshje është histori më vetë. Sigurisht, që na duhet një ndeshje e nivelit shumë të lartë, por jemi të vetëdijshëm se mund t’i bëjmë keq Totenhemit në fushën tonë”, ishin fjalët e trajnerit të Borusias në konferencën zyrtare për mediat. Një ndeshje shumë të vështirë pret edhe Mauricio Poçetino. Trajneri i Totenhemit nuk do asnjë nënvlerësim nga skuadra e tij, edhe pse rezultati i sfidës së vajtjes e bën thuajse të sigurt kualfikimin.