Tirana nga ferri në (gjysmë) parajsë, Partizani-Kukësi pothuajse të kualifikuara

459
Sigal

Ndeshje e bukur mes Flamurtarit dhe Skënderbeut, një barazim që lë çdo gjë të hapur për takimin e ardhshëm

U zhvilluan dje ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ku u pa qartë se si “të mëdhatë” treguan supremacinë e tyre që në minutat e para, por gjithashtu u vu re një “rrëzim” i Tiranës që barazoi ndaj Apolonisë me rezultatin 2-2. ndeshjet e djeshme kishin pak nga të gjitha, ku rezultatet finale treguan në të vërtetë edhe formën e skuadrave. Në qoftë se flitet për një rezultat surprizë, ishte padyshim takimi mes Tiranës dhe Apolonisë ku fierakët arritën që të kalonin në avantazh 2-0, duke u barazuar më vonë nga tiranasit, falë edhe përvojës që kanë skuadra të tilla në takime të këtij kalibri. Ishin tre ndeshjet e para që u luajtën në ora 14:00, duke filluar me “Derbin e Veriut” që u mbyll me fitoren në dukje të thjeshtë të Kukësit, me një rezultat që nuk linte vend për dyshime. Çdo gjë u mbyll brenda 10 minutave të para, ku kuksianët arritën të zhbllokonin rezultatin por edhe ta dyfishonin atë, duke fituar një ndjenjë sigurie që i mbrojti edhe kur Vllaznia provoi të kundërpërgjigjej. Për Kuksianët shënoi i përhershmi Pejiç duke u ndihmuar këtë radhë edhe nga Lushtaku, ndërkohë që me këtë rezultat, kuksianët pothuaj e kanë arritur kualifikimin për në fazën gjysmëfinale, dhe e vetmja gjë që duhet të bëjnë tani është të mendojnë për ndeshjen e radhës në kampionat që do ta ketë ndaj Laçit. Vllaznia nga ana tjetër nuk u shfaq në formë, duke u mundur kështu për të katërtën herë rresht nga Kukësi, por në ndryshim nga herët e kaluara, nuk ia doli të shënonte, duke lënë vetëm dy golat e shënuar nga Kukësi.

Partizani-Laçi: Probleme si në Kampionat? Jo këtë herë për Partizanin që arriti të mundte me pothuaj një lehtësi të dukshme skuadrën e Laçit me rezultatin e pastër 2-0. Një qetësi kjo për të besuarit e Duros, që edhe kishin “hapur fjalët” se nuk ishin të fokusuar për Kupën, duke qenë se po mendonin vetëm për kampionatin, por siç duket fjalët kanë qenë vetëm fjalë, që deri diku kanë vënë në gjumë laçianët që nuk patën mundësi të reagonin dhe të shënonin qoftë edhe një gol, për të pasur pak më shumë shpresa për ndeshjen e kthimit. Ndeshja u zhvillua e qetë dhe pa probleme, ku ashtu si Kukësi, edhe Partizani e mbylli ndeshjen në fillim, brenda 20 minutave të para, duke mos hasur në rezistencë të madhe. Duket se nuk luajti shumë rol fakti se ndeshja nuk u zhvillua në Tiranë, ndoshta kjo edhe për faktin se Fushë Kruja njihet si zonë që ka tifozë të shumtë të “demave”. Edhe Partizani, në këtë rast, duket se e ka fjetur mendjen për Kupë, pasi rezultati i arritur i jep qetësinë e duhur për të menduar vetëm ditën e ndeshjes për takimin e kthimit, por gjithsesi edhe nga Laçi pritet një tjetër reagim, diçka që ndoshta do bëjë që të shihet një tjetër ndeshje, me një tjetër emocion.

Tirana-Apolonia: Ndeshja e fundit e orës 14:00 dhe ndoshta ndeshja më e bukur e ditës, ku fierakët u bënë “Hirushe” për më shumë se 45 minuta. Ky rezultat ishte padyshim një surprizë pasi në dukje të parë jepej përshtypja se dy ekipet kishin ndryshuar pozicionet, ku Apolonia ishte Tirana dhe Tirana ishte Apolonia. Por, sigurisht, si gjithmonë çdo gjë u kthye në identitet, duke sjellë në pjesën e dytë edhe dy gola të Tiranës, gola që sigurisht i prishën festën e parakohshme Apolonisë, por që nuk i fshehin meritat e arritura gjatë këtij takimi.

Flamurtari-Skënderbeu: “Paqe” në një nga ndeshjet më të zjarrta të futbollit shqiptar ku në ndeshjen e djeshme përsëri nuk mungoi spektakli, pavarësisht se u pa një barazim 1-1. Pjesa e parë u nda në “paqe pa gola”, ndërsa pjesa e dytë dhe një tjetër ritëm, ku padyshim golat nuk munguan, me vlonjatët që gjetën të parët portën duke shënuar me anë të Nikoliç, ndërkohë që edhe rastet e tjera për shënim nuk munguan.  Barazimi i korçarëve erdhi në sajë të një penalltie, që u ekzekutua me saktësi nga Shkëmbi. Çdo gjë barazim, ndeshja e hapur edhe për takimin tjetër, ku padyshim do zhvillohet një lojë edhe më e fortë se ditën e djeshme, por deri atëherë, jo vetëm këto dy skuadra por edhe të tjerat do të mendojnë fillimisht për kampionatin, ku i presin takime delikate, sidomos në javën e 21-të.

Takimet e Kupës së Shqipërisë

Grupi A

Partizani 2-0 Laçi

Flamurtari 1-1 Skënderbeu

Grupi B

Vllaznia 0-2 Kukësi

Tirana 2-2 Apoloni

 

Komisioni i Etikës shtyn mbledhjen, nën hetim edhe Skënderbeu-Elbasani

Është shtyrë përsëri vendimi i Komisionit të Etikës pranë FSHF, për të tretën herë kësaj radhe, duke e zgjatur shumë procesin në lidhje me paracaktimin e rezultateve në ndeshjet e javës së 19-të të Superligës shqiptare. Një “vendim” i tillë ishte jo edhe aq i papritur, nisur nga fakti se dje luheshin edhe ndeshjet e Kupës, gjë që sillte mosparaqitje të disa zyrtarëve që ishin të thirrur për të dëshmuar, sa i përket mbrojtjes së skuadrave të tyre. Ndërkohë që Komisioni erdhi me një vendim tjetër, ku kanë caktuar edhe ndeshjen Skënderbeu-Elbasani si të dyshuar për trukim, duke e vënë nën hetim edhe atë. Zgjatja e listës së takimeve, dërgon pothuaj të gjitha skuadrat në të njëjtën linjë, ndërkohë që të vetmet skuadra që nuk janë përfshirë janë Tirana dhe Apolonia. Mbledhja e radhës e Komisionit do të behet ditën e hënë, ndërkohë që nuk mendohet se mund të zgjidhet situata edhe atë ditë, ku ndoshta njoftimi i vetëm do të jetë se kur do të zhvillohet seanca tjetër e Komisionit, ndërkohë që vendimi përfundimtar mund të merret edhe në fund të kampionatit, nisur nga “shpejtësia” e deritanishme.

  “Niko Dovana”  pret superndeshjen e Superligës, Partizani-Skënderbeu

Është vendosur paraprakisht se ku do të zhvillohet takimi javës së 21-të të kampionatit mes Partizanit dhe Skënderbeut, duke parë që stadiumi “Qemal Stafa” nuk është akoma gati. Si stadiumi i radhës që do të presë skuadrat kryeqytetase është vendosur “Niko Dovana” në Durrës, ku ndeshja do të luhet në ora 18:00, të hënën. Kjo ndeshje është shumë përcaktuese për kampionatin, duke parë që janë dy skuadra që luftojnë për titull dhe rezultati i arritur do të hedhë edhe më shumë dritë në renditjen e ekipeve.