Tirana e mbron trofeun nga Kavaja, Partizani mysafir në Kuçovë

606
Nga Fatmir EFICA
SPECIALE/ Sot luhen ndeshjet e para të Kupës së 66-të të Shqipërisë, ka takime “derbi” dhe ish-finalistësh
Llogaritur i dyti për nga rëndësia, edicioni i 66-të i Kupës së Shqipërisë, ka startuar në javën e kaluar me dy ndeshjet të turit para/eliminator, në të cilat Egnatia eliminoi në fushën e saj Vorën 3-1 (pas kohës shtesë), dhe Naftëtari që në stadiumin “Bashkim Sulejmani” eliminoi Orikumin, duke përmbysur shifrat nga 0-2, në 3-2. Kështu, rrogozhinësit e kuçovarët do të luajnë sot respektivisht përballë më të fortëve të sezonit të kaluar, kampionëve të Kukësit e nën/kampionëve të Partizanit. Referuar statistikave, në Grupin A, Kukësi nuk është ndeshur asnjëherë në Kupë me Egnatian, dhe kjo mbetet premiera e tyre në këtë kompeticion, ndërkohë që në Grupin B, Partizani luan ndeshjen e 6-të në Kupë ndaj Naftëtarit, me bilancin pozitiv 2 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, me golavarazhin 11:5. Por, duke i parë çiftet e këtij turi, dallohen qartë ekipe të të njëjtit qark, por edhe takime ‘derbi’ e përballje finalistësh të dikurshëm, si Besa-Tirana e Dinamo-Flamurtari. Gjithsesi, skuadrat e vogla të shumë qyteteve, nuk do të druhen për të sfiduar emrat e mëdhenj në sfidat e sotme.
Grupi A
Ka përballje finalistësh të dikurshëm 
Nisën me fitoren e thellë të Skënderbeut ndeshjet e këtij grupi, për shkak të angazhimit të korçarëve nesër në Evropa Ligë, kundër Dinamos së Kievit. Dhe gjithë ndeshjet e tjera do të luhen sot, ku pritëse janë skuadrat me renditje më të ulët nga sezoni i kaluar. Tirana me “petkun” e fitueses së Kupës së fundit, që në turin e parë do të ketë përballë një ekip me emër e traditë, si Besa e Kavajës. Në vitin 1963, të dyja këto skuadra kanë luajtur një finale me dy takime vajtje-ardhje mes tyre, ndeshje këto me një histori tepër interesante. Në Tiranë fitoi Besa 3-2, ndërsa në Kavajë, takimi i kthimit mbyllet me fitoren 1-0 të Tiranës. Me penallti, bardheblutë në një ditë shumë gri, ku në Kavajë kishte rënë shi si me “gjyma”, Tirana fiton 5-2. Ndër çiftet e tjera të Grupit A, bie në sy Kastriuoti-Vllaznia, ku shkodranët në sfidat e mëparshme nuk e kanë lënë ekipin krutan të fitojë asnjë ndeshje ndaj tyre. Të tjerat, Burreli-Erzeni dhe derbi i të njetit qark, Shënkolli-Besëlidhja, duket se do të jenë sfida shumë të luftuara për kualifikimin. Teuta duket më e “privilegjuar” përballë Tërbunit, që në edicionin e kaluar eliminoi Besën, ndërsa në Rrogozhinë pritet të jetë ditë festive nga “zbarkimi” i kampionëve të Kukësit, Kamza nuk do të ngurojë t’i imponohet Ilirisë.
Statistikat
Egnatia-Kukësi
Bilanci: 0 Ndeshje
Mamurrasi-Skënderbeu 0-8
Bilanci: 1 Nd, 0 F, 0 B, 1 H, G 0:8
Tërbuni-Teuta
Bilanci: 1 Nd, 0 F, 0 B, 1 H, G 1:5
Kastrioti-Vllaznia
Bilanci: 4 Nd, 0 F, 2 B, 2 H, G 0:7
Besa-Tirana
Bilanci: 32 Nd, 8 F, 7 B, 15 H, G33:43
Iliria-Kamza
Bilanci: 2 Nd, 1 F, 0 B, 1 H, G 5:3
Shënkolli-Besëlidhja
Bilanci: 0 Ndeshje
Burreli-Erzeni
Bilanci: 6 Nd, 3 F, 0 B, 3 H, G 10:8
GRUPI B 
Flamurtari e Lushnja në sfida “delikate”
Në këtë grup, spikat derbi myzeqar Apolonia- Lushnja, këto dy skuadra më 1998 kanë diskutuar mes tyre një finale, të cilën Apolonia e fitoi 1-0 me golin e Romeo Haxhiajt, duke arritur futbolli fierak të parin trofe. Edhe Dinamo-Flamurtari nuk mbetet prapa, pasi vlonjatët, 3 nga 4 kupat i kanë fituar me ekipet kryeqytetase: 2 herë ndaj Partizanit e 1 herë ndaj Tiranës. Në sezonin e kaluar, Flamurtari u eliminua në turin e dytë pikërisht nga një ekip i Kategorisë së Parë, Besëlidhja. Një fakt që meriton sërish trajtim të kujdesshëm, ndërsa Laçi duket se e ka më të thjeshtë, pasi luan në Librazhd me Sopotin, tashmë i rënë Kategorinë e Dytë. Mjaft ekuilibër ka në historinë e përballjeve edhe çifti Elbasani-Luftëtari, por tani gjirokastritët kanë përballë një Elbasan të rënë në Kategorinë e Dytë. Plot 60 vite më parë regjistrohet përballja e parë në Kupë, mes Naftëtarit e Partizanit. Të kuqtë arrinin në kryeqytet fitoren e thellë 4-1, ndërkohë që në sfidat e tjera: Turbina-Korabi, Tomori-Bylis e Shkumbini-Pogradeci, varet se cila skuadër do të dijë të bëjë një hap sa më të sigurt për kualifikim në këtë ndeshje të parë. Kualifikimi mbi kalimin në turin e dytë, do të fiksohet nga rezultatet, kthesat e “përmbysjet”, që do të sjellin ndeshjet e kthimit. 
Grupi “B”/ Statistikat
Naftëtari-Partizani
Bilanci: 5 Nd, 1 F, 2 B, 2 H, G 5:11
Elbasani-Luftëtari
Bilanci: 18 Nd, 5 F, 7 B, 6 H, G23:24
Sopoti-Laçi
Bilanci: 2 Nd, 1 F, 0 B, 1 H, G 2:2
Dinamo-Luftëtari
Bilanci: 11 Nd, 7 F, 1 B, 3 H, G 24:9
Turbina-Korabi
Bilanci: 1 Nd, 0 F, 0 B, 1 H, G 0:2
Apolonia-Lushnja
Bilanci: 5 Nd, 2 F, 0 B, 3 H, G 9:6
Tomori-Bylis
Bilanci: 2 Nd, 1 F, 1 B, 0 H, G 3:1
Shkumbini-Pogradeci
Bilanci:0 Ndeshje
Sigal