Kategoria e parë Në gazetën “Telegraf”, Mjeshtri i Sportit, Theodhori Arbri tregohet optimist për garën.
Agron Kaja
“Gara në Kategorinë e Parë do forcohet edhe më shumë në vazhdimësinë e saj. Kemi të bëjmë me skuadra që kanë luajtur edhe në elitë dhe duhet që të gjitha t’i nxjerrin vlerat e tyre vetëm me përgatitje të detajuar dhe profesionale.”
Janë luajtur tre javët e para në Kategorinë e Parë, dhe situata e 12 e skuadrave në tabelën e renditjes duket se nuk iu është përgjigjur synimeve që ato kanë deklaruar në nisje të këtij sezoni. Për Mjeshtrin e Sportit, të parin e “Dinastisë-Arbri” në futbollin shqiptar, Theodhor Arbri, situata e skuadrave në tre javët e para tregon se janë aty për aq sa kanë dhënë në fushën e lojës. “Janë luajtur vetëm tre javë dhe është e vështirë për një konkluzion, por duket se ekipet po tregojnë thuajse të njëjtin nivel loje, sikundër edhe në historinë e tyre në këtë kategori. Në përbërje janë 12 skuadra, nga të cilat ka edhe kampione e nënkampione të Superiores, dhe ky kampionat do të shprehet më shumë në lojë, do të jetë më i bukur dhe më i fortë se në këto tre javët e para”, kështu mendon Theodhor Arbri gjatë bisedës me gazetën “Telegraf”, ndërkohë që thekson se ku duhet të përmirësohen skuadrat në vazhdimësi. “Stafet drejtuese e teknike në çdo skuadër, kanë bërë punë të madhe për konsolidimin e skuadrave të tyre. Nuk është e lehtë sot që të organizosh klube dhe ekipe në kushte financiare e logjistike, jo plotësisht në funksion të meritës së garës. Kështu edhe tek Tomori, ku nga java në javë po punohet fort dhe me dy seanca në ditë, me qëllim që skuadra të arrijë një gjendje normale fizike. Do veçoj një fakt nga java e tretë, ku kishte 36 kartonë të verdhë dhe 4 kartonë të kuq. Kjo tregon se ende nuk ka një përshtatje të mirëfilltë, si nga lojtarët, ashtu edhe nga trajnerët për organizimin e vendosjen e tyre në fushën e lojës”. Duke theksuar më pas se çfarë duhet të bëjnë të gjithë aktorët e faktorët e garës në Kategorinë e Parë, Arbri gjen mundësinë që të urojë ekipin e tij të zemrës për 100 vjetorin e klubit, më 25 nëntor 2023. “Gara në Kategorinë e Parë do forcohet edhe më shumë në vazhdimësinë e saj. Kemi të bëjmë me skuadra që kanë luajtur edhe në elite, dhe duhet që të gjitha t’i nxjerrin vlerat e tyre vetëm me përgatitje të detajuar dhe profesionale. Po përfitoj nga rasti që, duke qenë një familje e madhe futbollistësh, i gjithë fisi “Arbri” vjen krenar në 100 vjetorin e FK Tomori. Madje kështu besoj se do të jetë edhe në përvjetorë të tjerë ky mbiemër. Uroj që në këtë 100 vjetor të marrin rezultatet më të mira për t’u ngjitur në Superiore. Historia do kujtohet nga emrat e futbollistëve, duke e vlerësuar kontributin e tyre në këtë shekull histori”, ishte ky mendimi i Mjeshtrit Theodhori Arbri, për situatën në Kategorinë e Parë.
Legjionarët në Evropë
Kristian Asllani nisi rrugëtimin e titullarit zikaltër
Në mbrëmjen e ditës së mërkurë, në sfidën e Ligës së Kampioneve, Real Sociedad-Inter 1-1, titullar ishte edhe mesfushori zikaltër Kristian Asllani. Paraqitja e tij është vlerësuar me notën 6.5, dhe këtë nuk ka harruar ta mbështesë edhe trajneri Inzagi, i cili i është përgjigjur pyetjes se, a priste më shumë nga Asllani në këtë sfidë? “Do të bëja sërish zgjedhjet e fillimit. Unë mendoj se nuk mund të ndalemi në disa elementë, i gjithë Interi duhet të kishte bërë më mirë, duke përfshirë edhe mua”. Kështu, Asllani duket se e ka nisur rrugëtimin e titullarit te Interi.
Muçi dopietë në Champions, darkon me Silvinjo
Të enjten në mbrëmje, ishte radha e Ernest Muçit që të vuloste një fitore të rëndësishme për skuadrën e Legia të Varshavës. Sulmuesi ka shënuar dy gola në përballjen me Aston Villa, një nga pretendentët për ta fituar UEFA Konferencë Ligë. Për skuadrën polake ai ka qenë një nga më të mirët e kësaj ndeshjeje të rëndësishme. Por në ndeshjet e fundit të Kombëtares ndaj Çekisë e Polonisë, u grumbullua nga Silvinjo dhe nuk u preferua asnjë minutë. Dopietë si një sms për trajnerin kuqezi, i cili e ndoqi live ndeshjen, dhe pas saj darkoi me Muçin.
NDESHJET, JAVA 4
Të shtunën, 23 shtator 2023
Luzi 2008-Bylis 15:00
Burreli-Lushnja 15:00
Korabi-Besa 15:00
Tomori-Kastrioti 15:00
Të dielën, 24 shtator 2023
Flamurtari-Vora 16:00
AF Elbasani-Apolonia 19:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Apolonia 3 7
2.AF Elbasani 3 7
3.Bylis 3 7
4.Vora 3 6
5.Tomori 3 5
6.Besa 3 4
7.Kastrioti 3 3
8.Flamurtari 3 2
9.Luzi 2008 3 2
10.Korabi 3 2
11.Burreli 3 1
12.Lushnja 3 0
Displina në FSHF “kreh” disa skuadra
Komisioni i Displinës në FSHF ka marrë disa masa disiplinore ndaj skuadrave në Kategorinë e Parë. Luzi gjobitet me 100 mijë lekë të reja dhe zyrtari i tij Nertil Ferraj, pezullohet 4 ndeshje për sjellje josportive. Lojtari Kriviçiç i Flamurtarit pezullohet 4 ndeshje, ndërsa zyrtari Bekim Kuli me 2 ndeshje. AF Elbasani dhe Lushnja janë gjobitur me nga 50 mijë lekë, për hedhjen e sendeve të forta në fushën e lojës.