Të vegjlit e “mëdhenj” të notit shqiptar, rekorde në Doha

510
Sigal

Klavio Meca merr pikët më të larta në renditje, Deni Baholli then rekord Kombëtar në 100 m stil i lirë.

Dje u hap Kampionati Botëror i Notit në pishinat gjysmë olimpike (25 m) që po zhvillohet në Doha, Qatar (3-7 dhjetor). Ashtu siç edhe u tha, rekordet dhe paraqitjet shumë të mira të notarëve shqiptar nuk munguan, ku për tu përmendur është rezultati i Klavio Meçës që arriti të që në fund të ditës të ishte notari më i pikëzuar nga të gjithë, me 610 të tilla, një arritje që flet shumë për këtë notar por edhe për punën e madhe që po bëhet. Ndërkohë që rekordi tjetër shkon për Deni Bahollin që theu rekordin Kombëtar në 100 m stil të lirë me rezultatin 1:08.65, dhe vlen të përmendet që edhe rekordin e mëparshëm e mbante po Deni Baholli, në kategorinë e të rinjve ku edhe bën pjesë por theu edhe rekordin kombëtar të të rriturve. Edhe notarët e tjerë treguan vlera, duke garuar dhe duke arritur rezultate shumë të mira, ku bie në sy konkurimi i Franc Aleksit në 200 m stil i lirë duke arritur rezultatin 2:01.15, rezultat shumë i lartë ky, gjithashtu Aleksi garoi edhe në 100 m stil flutur dhe arriti rezultatin 1:00.35, duke e mbaruar në një mënyrë shumë pozitive ditën e tij të garimit. Notari tjetër që tha fjalën e tij dje në pishina ishte edhe Aleksandër Ngresi që garoi në 100 m stil shpine, duke arritur rezultatin e 1:08.85, rezultat që pritet të pasohet edhe nga të tjerë shumë të lartë nga ky notar. Ndërsa për femra konkurroi vetëm Diana Basho dje, në 100 m stil shpine me rezultatin 1:16.86, në 200 m stil flutur me rezultatin 2:33.77, dhe në 400 m IM me rezultatin 5:43.88. Dita e parë ishte shumë e mirë dhe me rekorde, por pritet që të pasohet edhe nga rekorde të tjera në ditët në vijim, duke filluar që nga dita e sotme ku do të zënë vend edhe dy notarët tjerë si Binald Mahmuti në kategorinë e meshkujve dhe e ngelura e fundit për femrat Nikol Merizaj. Këta dy notarë dhe të gjithë të pranishmit në Doha e kanë treguar nivelin e tyre që në Shqipëri, duke thyer e duke vendosur rekorde në moshat e tyre, diçka që tregon më së miri për përkushtimin e tyre ndaj sportit por edhe të Federatës që në sajë të punës dhe përkushtimit të përbashkët po fryn një erë e re në këtë sport kaq të dashur dhe të pëlqyer. Rekordet e shumta që po vendosen dhe ecuria shumë e mirë e këtyre notarëve të jep garancinë se noti tani e tutje do të ketë atë epokën e artë, ku ngado që të kemi përfaqësim, rezultatet dinjitoze nuk do të mungojnë. E treguan dhe po e tregojnë qartë edhe këta notarë, që çdo gjë duket në rrugën e duhur, pasi po arrijnë që të marrin rezultate kaq pozitive në një nga turne më madhor në botë, ku ka pjesëmarrës nga të gjitha shtetet dhe nga të gjitha moshat, e përsëri emri i të vegjëlve (jo aq të vegjël në arritje) shqiptarë ia del të dëgjohet dhe të bëhet pjesë niveleve më të larta ndërkombëtare.

Në ditën e parë notarët shqiptarë morën pjesë në këto gara duke arritur këto rezultate:

 Deni Baholli  1998 në 100m stil bretkose me rezultatin 1:08.65

Klavio Meca 1996 në 200m stil i lirë me rezultatin 1:57.18

Franc Aleksi 1998 në 200m stil i lirë me rezultatin 2:01.15

Franc Aleksi 1998 në 100m stil flutur me rezultatin 1:00.34

Aleksander Ngresi 2000 në 100m stil shpinë me rezultatin 1:08.85

Diana Basho 2000 në 100m stil shpine me rezultatin 1:16.86

Diana Basho 2000 në 200m stil Flutur me rezultatin 2:33.77

Diana Basho 2000 në 400m IM me rezultatin 5:43.88

Nga rezultatet e ditës së parë mund të themi se ishte notari Klavio Meca që mori pikët më të larta nga FINA- 610 pikë dhe notari Deni Baholli mund të quhet rekordmeni i ditës së parë në garën e 100m stil bretkose, i cili me rezultatin 1:08.65 theu rekordin kombëtar të mbajtur nga ai vetë si në kategorinë e të rinjve ku ai bën pjesë por edhe rekordin kombëtar për të rritur

FSHF i thotë “PO” tifozëve të Tiranës në ndeshjen me Partizanit

Vetëm dje është vendosur nga FSHF që të lejohen tifozët e Tiranës që të jenë të pranishëm në stadium në ndeshjen e tetë dhjetorit ndaj Partizanit. Me vendimin që kishte marrë Komisioni i Disiplinës në lidhje me dhunën që u shkaktua nga tifozët e Elbasanit dhe Tiranës në ndeshjen që këto të dyja luajtën në “Elbasan Arena” ishte vendosur që tifozët e Tiranës të mos e ndiqnin skuadrën e tyre për 6 ndeshje rresht kur udhëtonin pasi gjatë atij takimi u zhvillua edhe një herë dhuna në formën më të keqe të saj, duke u shkulur stolat e stadiumit të sapo ndërtuar, që për pak kohë u bë krenaria e të gjithë shqiptarëve që e duan sportin por këtë vlerësim nuk e patën ata, “huliganët” e vërtetë që vazhduan të shkatërronin çdo gjë që ju dilte përpara. E dje, Federata doli me një deklaratë se tifozët e Tiranës do mund të jenë të pranishëm pasi vendimi i Komisionit të Disiplinës do të hyjë në fuqi pasi të marrë vendimin edhe Komisioni i Apelit, që i bie se aktualisht tifozët janë “falur”. Pra si përfundim, dënimi u hoq, të paktën për këtë ndeshje, nga ku përsëri do të kemi një takim me tifozët e të dy palëve, diçka që kërkohej me ngulm jo vetëm nga tifozët e Tiranës por edhe nga ata të Partizanit. Ndeshja që do të luhet ditën e hënë, datë jo shumë e zakontë e kampionatit, pritet që të tërheqë vëmendjen e tifozëve, jo vetëm të këtyre dy skuadrave por edhe të tifozerisë së këtij sporti në përgjithësi. Ky lajm u konfirmua nga vetë Presidenti Duka, direkt pas ardhjes nga Nioni i Zvicrës. Ndërkohë që ky vendim pritet të ketë efektin e duhur tek tifozët, që mund të mbushin stadiumin në këtë ndeshje. Vlerat që ka si ndeshje nuk është më e nevojshme të thuhen, por ky takim do të ketë edhe një vlerë tjetër, atë të provës së tifozerive, sidomos të Tiranës, që duhet ta kalojnë në qetësi të plotë çdo minutë të ndeshjes dhe mos të bien pre e provokimeve të secilës palë.

FSHF paguan tjetër “gjobë” për UEFA-n

Nëse mendohej se çdo gjë do të mbyllej me aq nga UEFA, ishte një mendim i gabuar, pasi si në çdo gjykim tjetër, palët janë të detyruara të paguajnë shpenzimet e gjyqit, e në rastin e Shqipërisë ishte një shumë prej 7500 euro, shumë që është ndarë në mënyrë të drejtë me Serbinë që ashtu si edhe Shqipëria do të paguajë të njëjtën gjobë. Vendimi që mori UEFA në lidhje me apelimin e vendimit të Komisionit të Disiplinës, ishte një vendim që nuk favorizoi asnjërën skuadër, duke e lënë çdo gjë, ashtu siç u pa, të njëjtë dhe të pandryshuar. Presidenti Duka, me ardhjen e tij në Tiranë dje, lëshoi një deklaratë ku tha se pala serbe ju kishte kërkuar në mënyrë konsensuale që të binin dakord për një ri përsëritje të ndeshjes, kështu që edhe UEFA do dëgjonte pretendimet e tyre dhe do vendoste në favor të konsensusit. Diçka e tillë sigurisht që nuk ndodhi, me palën shqiptare që do të ndjekë çdo gjë deri në gjykatën e Arbitrazhit, e fundit shkallë gjykimi në sport, por që cilësohet e pa anshme dhe që vlerësohet për vendimet e pa ndikuara ndaj atyre të UEFA-s, FIFA-s apo çdo institucioni tjetër sportiv, duke qenë se është një gjykatë për të gjitha llojet e sporteve dhe jo vetëm për futbollin.