Te Partizani ka një çështje doktorësh

537
Te Partizani duket se ka një çështje doktorësh, ndërsa situata është e atillë si me Bajernin, atje ku pas humbjes me Porton në Ligën e Kampioneve stafi mjekësor u akuzua se nuk kishte rikuperuar në kohë lojtarët e dëmtuar. Por tek Partizani situata ndryshon, sepse nuk ka pasur dorëheqje të kryemjekut, ndërsa Guardiola mori të gjitha përgjegjësitë e humbjes. Në klubin e kuq një çështje në lidhje me mjekët sapo është hapur dhe ka të bëjë me Çuçulin. Të kuqtë e përfunduan takimin e javës së 31-të me Kukësin me 10 lojtarë, pasi mbrojtësi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në rastin e ndërhyrjes në penalltinë e Pejiç. Në minutën e 50-të të takimit Çuçuli u dëmtua gjatë një kontakti në dyluftimin me Lushtakun. Në ndihmë të tij shkoi stafi mjekësor dhe 27-vjeçari qëndroi disa minuta jashtë fushës për t’u futur më pas sërish në lojë, por në ndërhyrjen e parë që bëri shkaktoi penalltinë që ngriu buzëqeshjen e të kuqve. A ishte Çuçuli në gjendje për të vazhduar lojën, apo duhej të zëvendësohej? Përgjigja e trajnerit Duro ka një adresim të qartë. “Unë mora informacion nga mjekët për Çuçulin dhe më thanë që nuk ka problem, kështu që futbollisti mbeti në lojë”. Te Partizani ka një çështje, e ngjashme me atë të Bajernit. Ndërsa Duros ndërkohë i duhet t’i bëjë llogaritë për ndeshjen e radhës me Teutën pa Çuçulin, jo vetëm të dëmtuar, por dhe të ndëshkuar me karton të kuq.
Tifozët në mbrojtje të Duros
Ishte e ditur që ndeshja me Kukësin ishte shansi i fundit për Shpëtim Duron në krye të skuadrës së kuqe. Sepse vetëm një fitore me verilindorët e mbante Partizanin në rrugën për titullin kampion, që kështu duhet të presë dhe 23 vjet të tjera për të marrë një trofe të tillë. Por dje edhe duke qenë ditë pushimi duket se nuk ka pasur reagim për ndonjë vendim të tillë. Ndërkohë që në mbështetje të trajnerit Duro kanë dalë tifozët, të cilët e kanë mbështetur atë nëpërmjet një postimi në facebook. Madje “Ultras Guerrils” kanë deklaruar se garantojnë mbështetjen e tyre ndaj skuadrës në javët e mbetura pavarësisht zhgënjimit, ndërkohë që kërkojnë me çdo kusht pjesëmarrjen e skuadrës së kuqe në Kupat e Europës. “Ultras Guerrils” e mbyllin komunikatën e tyre me një mesazh të qartë për drejtuesit e klubit ku shkruhet: As të mos guxojnë dhe të mendojnë të vënë në diskutim trajnerin, përndryshe do të viheni të gjithë ju në diskutim! Duro qëndron”. Mesazhi i fortë i “Ultras Guerrils”, vjen pas një jave të trazuar në të cilën u fol se drejtuesit e Partizanit i kishin vënë një ultimatum trajnerit, i cili duhej të fitonte ndaj Kukësit për të qëndruar në stol. Diçka e tillë nuk ndodhi, por tifozët këtë herë janë me Duron. 
Java e 31-të, Partizani humbësi më i madh
Java e 31-të e Kategorisë Superiore konfirmoi edhe një herë se ky kampionat është ndër më cilësorët e historisë së futbollit shqiptar, me të paktën tri skuadra që kanë mundësi reale që të ngrenë lart trofeun e kampionit. Kur kanë mbetur edhe 5 javë nga përfundimi i garës, mbetet i distancuar, por jo i shkëputur përfundimisht nga të tjerët Partizani, që vetëm një mrekulli mund ta ndihmojë për të fituar pas 22 vjetësh titullin kampion. Pas humbjes së rëndë me Skënderbeun në Korçë, të kuqtë e Duros duhet të merrnin maksimumin e pikëve me Kukësin në “Qemal Stafa” për të mbetur në garë në vijën e parë për sulmin final. Mirëpo një gabim i Çuçulit në fazën mbrojtëse rezultoi fatal për 15 herë kampionët e Shqipërisë, që nuk mundën t’i jepnin vlerë maksimale golit të Raçiçit në pjesën e parë. Pero Pejiç i dha një pikë Kukësit nga pika e bardhë, por jo rezultatin që të gjithë prisnin në kampin verilindor para përballjes direkte me Skënderbeun, të cilën formacioni i Shaqirit është i detyruar ta fitojë. Kampionët në fuqi vuajtën shumë përballë një Apolonie më shumë se simpatike, por në fund morën atë që kërkonin, një fitore të çmuar që i shkëput edhe më shumë nga ndjekësit më të afërt. Bardheblutë me fitoren 3-1 ndaj Elbasanit bënë thjesht detyrën në këtë javë të 31-të të Superiores, duke siguruar një pozicionim më të mirë në renditje, falë barazimit në përplasjen direkte mes Partizanit dhe Kukësit. Përsa i përket 90-minutëshit të “Loro Boriçit”, Vllaznia – Flamurtari vlejti thjesht për të kompletuar kuadrin e ndeshjeve të javës, pasi si shkodranët ashtu edhe vlonjatët luajnë për të respektuar kampionatit. Me barazimin 1-1, të dyja skuadrat ndanë të njëjtën kuotë pikësh në përplasjet direkte të sezonit, 5 për secilën, me nga një fitore dy barazime dhe një humbje. Ndërkohë të premten, Laçi ka fituar me Teutën, 1-0. 

Java e 31-të e Kategorisë Superiore
Laçi – Teuta 1-0
Elbasani – Tirana 1-3
Vllaznia – Flamurtari 1-1
Partizani – Kukësi 1-1
Skënderbeu – Apolonia 1-0
Renditja
Skuadra N F B H G+/_ P
Skënderbeu 31 20 6 5 49-16 66
Kukësi 31 19 6 6 48-21 63
Tirana 31 19 6 6 42-21 63
Partizani 31 18 6 7 34-22 60
Laçi 31 16 9 6 37-16 57
Flamurtari 31 9 8 14 25-29 35
Vllaznia 31 11 4 16 26-34 34
Teuta 31 8 2 21 26-45 26
Apolonia 31 5 4 22 11-48 19
Elbasani 31 4 1 26 16-62 13
Kukësi, shënon Pejiç, por është problem i madh
Në dy javët e fundit, Kukësi ka humbur kryesimin. Tani skuadra e Artim Shaqirit, e projektuar dhe ndërtuar me një synim të vetëm, titullin kampion, gjendet në vendin e dytë me 3 pikë distancë ndaj Skënderbeut kryesues. Takimi i fundjavës së ardhshme në kampionat në ”Zeqir Ymeri”, pasi skuadrat të kenë përplasur sërish “brirët” më parë në Kupë në Korçë do të vendosë shumë mbi fatin e dy pretendentëve kryesorë për titullin, por ndërkohë paradoksi i Kukësit qëndron te lidhja mes rezultatit dhe lojës. Deri para dy javësh, kur Kukësi ishte në krye akuza kryesore në drejtim të skuadrës verilindore ishte varësia totale nga Pero Pejiç. Thënë shkoqur kritikat ishin se loja e Kukësit ishte thjesht pasim te Pejiç dhe pastaj të gjithë në dorën e kroatit, i cili deri më tani ka shënuar 25 gola, duke qenë shënuesi më i mirë i kampionatit. Ka shënuar më tepër se gjithë pjesa tjetër e ekipit, 48 janë në total finalizimet e Kukësit në kampionat. Justifikimi i Shaqirit ishte si në këtë pjesë të sezonit i intereson rezultatin, ndërsa loja e bukur do të vinte. Paradoksalisht në takimin e fundit atë me Partizanin, trajneri i Kukësit u shfaq i kënaqur me lojën që zhvilloi skuadra e tij përballë të kuqve, duke evidentuar se Kukësi luajti në sulm dhe pati raste më konkrete, por këtë herë ishte i zhgënjyer me rezultatin. Loja apo rezultati? Në këtë pikë të sezonit padyshim që nëse do të zgjidhte Shaqiri do të preferonte pikët, por në fakt edhe pse i kënaqur me lojën ndaj Partizanit, paraqitja e Kukësit e pati një difekt, mungesën e finalizimit apo të goditjeve në katërkëndëshin e portës. Strumbullari gjithmonë mbetet Pejiç, rivalët tani e kanë të qartë pikën e referimit dhe varësia ndaj kroatit nga një problem i bekuar rrezikon të kthehet në një problem fatal për skuadrën e Shaqirit.
Migjen Basha rikthehet me karton
Migjen Basha, mesfushori i kombëtares që luan me Torinon në Serinë A, është rikthyer në fushën e lojës me karton. Pat munguar një javë më parë ndaj Romës, sepse në transfertën e Bergamos, atje ku Torino fitoi 2-1, në të 92’qe ndëshkuar me karton të kuq. Por dhe dje, teksa ka hyrë në fushën e lojës si zëvendësues në të 70’ në ndeshjen ndaj Sasuolos, barazuar 1-1, sërish në të 92’ është ndëshkuar me karton. Këtë herë me të verdhë, që do të thotë se duhet të ruhet më shumë, sepse ndëshkohet javë pas jave.
Derbi i shqiptarëve ndahet në barazim
Empoli dhe Parma, quajtur një tjetër derbi shqiptarësh në Itali, është ndarë në barazim 2-2. Por titullar ka luajtur vetëm Andi Lila, i cili është aktivizuar nga trajneri Donadoni për 69’, ndërsa tekniku i Empolit nuk e ka preferuar Elseid Hysajn në formacion, teksa e ka mbajtur në stol. Ndërkohë po në Serinë A nuk ka luajtur asnjë minutë Vajushi tek Kievo, kurse Cana të shtunën ka qenë titullar në formacionin e Piolit, teksa ka marrë dhe karton të verdhë. Po kështu dhe Berisha ka mbetur në stol.
Odise Roshi titullar, por FSV Frankfurt mundet
Odise Roshi ka qenë titullar dje për FSV Frankfurtin, që është mundur 1-0 nga Aue. Mesfushori i djathtë i kombëtares shqiptare në të 81’është ndëshkuar me karton të verdhë. Ndërkohë që Edmond Kapllani dje nuk ka qenë i përfshirë në tetëmbëdhjetëshen e FSV Frankfurtit, kurse në mbrojtje të portës ka luajtur një tjetër shqiptar. Bëhet fjalë për portierin Florijon Belegun, që është 22 vjeç, ndërsa është me dy nënshtetësi dhe gjermane, edhe kosovare. Ai ka kontratë deri më 2016-ën me FSV Frankfurt. 
Sigal