Të dielën, Cana ndeshjen e lamtumirës në Kampionatin francez

613
Ditën e diel, kampionati francez rezervon një sfidë klasike, atë mes Marsejës dhe PSG-së. Përveç përballjes që pritet të ketë spektakël, Lorik Cana do të luajë topin e parë nga mesi i fushës së lojës. Ish-kapiteni i kombëtares, njëkohësisht edhe ish-lojtar me të dyja ekipet, do të zhvillojë kështu edhe një ceremoni në “Velodrome”, për të shënuar kështu zyrtarisht mbylljen e karrierës. Loriku e nisi karrierën e tij tek ekipi B i PSG-së në vitin 2000, për të kaluar më pas në sezonin 2002 drejt ekipit të parë, ku qëndroi për tre vite. Më pas, ai kaloi tek klubi i Marsejës, ku qëndroi plot katër vite, nga sezoni 2005-2009. Aty ai fitoi edhe zemrat e tifozëve, ku për disa kohë ishte edhe kapiteni i skuadrës. Karriera e tij vazhdoi në skuadra të tjera të mëdha, si Sandërlend në Angli, Gallatasarai në Turqi dhe Lacio në Itali. Pak ditë më parë, në ndeshjen kundër Italisë në “Loro Boriçi”, Lorik Canës iu rezervua edhe një ceremoni e veçantë nga FSHF-ja, duke zyrtarizuar mbylljen e karrierës së tij me kombëtaren shqiptare.
Sigal