Surprizë në Kupë, Luftëtari përmbys Partizanin

387
Sigal

Luftëtari e ka befasuar Partizanin në fund, pasi me përmbysje e fitoi 1-2 çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Telushi shënoi një gol mjaft të bukur në pjesën e parë, por bluzinjtë nuk u dorëzuan dhe fillimisht barazuan me Filin. Në fund ishte Rustem Hoxha ai që shënoi edhe golin e dytë. Dominimi i Partizanit ishte i pavlefshëm dhe kualifikimi në gjysmëfinale me këtë rezultatet sigurisht që vështirësohet shumë.

Goli i parë i takimit erdhi në minutat e fundit të pjesës së parë, teksa Telushi me një goditje nga jashtë zone shmangu portierin Edvan Bakaj. Me golin e vlonjatit në fuqi u mbyll fraksioni i parë i lojës.

Pjesa e dytë nisi me zëvendësim, teksa Duka zuri vendin e Rexhepit. Luftëtari ishte i rrezikshëm përmes kundërsulmeve, por goli erdhi pas një goditjeje standarde. Fili, pas një pasimi të Hoxhës me kokë, shënoi dhe vendosi barspeshën.

Skuadra e Gegës u përpoq të rigjente avantazhin dhe mund t’ia dilte me Asanin dhe Çinarin, por pa sukses. Kur mendohej se po shkonte gjithçka në barazim, ishte Rustem Hoxha që në fund mposhti portierin e Partizanit dhe i dha fitoren Luftëtarit.

KUPA E SHQIPËRISË – FAZA ÇEREKFINALE
E martë, më 12 mars, ora 14:00
Stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan
PARTIZANI-LUFTËTARI 1-2
Shënues: Telushi 42′ / Fili 54′, Hoxha 90′