Sigal

Ditën e sotme do të luhen 3 ndeshjet e mbetura të javës së 11-të të kampionatit shqiptar të futbollit. Në fushë do të zbresin dy kryesuesit aktualë të Superligës, Skënderbeu dhe Partizani. Kampionët në fuqi u rikthyen në krye pas suksesit të rëndësishëm në përballjen direkte të javës së kaluar me Partizanin. Korçarët ndeshen sot ndaj një kundërshtari të lehtë në letër, si Kastrioti i vendit të fundit dhe fitorja shihet si një detyrim për të ruajtur vendin e parë. Partizani e humbi kreun në disfatën me Skënderbeun, pasi e mbajti atë për pothuajse gjithë fazën e parë, megjithatë të kuqtë, me lojën e treguar deri më tani, janë ndoshta skuadra më e qëndrueshme e këtij sezoni dhe mbeten favoritë kryesorë për triumfin final. Skuadra e Skënder Gegës pret sot në shtëpi Kamzën e Klodian Duros, në një “derbi” të vogël të Tiranës. Sfida tjetër e ditës së sotme vë kundër njëri tjetrit Luftëtarin dhe Laçin.

Orges Shehi

“Ndeshja e radhës është me rëndësi, pasi vijmë pas një fitoreje të të rëndësishme, por një ekip si ne duhet të ketë më shumë në fokus vazhdimësinë. Kundërshtari i radhës nuk ka shumë emër, por do e vlerësojmë maksimalisht. E kemi harruar fitoren me Partizanin që në momentin që zhvilluam analizën e asaj sfide. Kreun i renditjes është i rëndësishëm për ne, pasi është fryt i punës sonë. Nuk është e lehtë për të mbajtur majën, por me lojtarët që kam në dispozicion mund t’ia dal mbanë. Kampionati është shumë i gjatë”. Shehi mendon se objektivat e korçarëve janë të shpallura. “Jemi në një klub të madh që i ka objektivat e veta. Nuk është e udhës të themi, se jemi për kampion, apo vendet e para. Ne na mbetet të punojmë fort dhe t’i marrin ndeshjen 1 nga 1. Jemi skuadër që jemi formuar nga e para, pasi kemi pasur largime. Kemi futbollistë të rinj, por ne duhet të punojmë që të arrijmë objektivin tonë. Rikthimi i lojtarëve nga huazimet na ka ndihmuar, pasi e dinë filozofinë e klubit”.

Skënder Gega

“Humbëm në fazën e parë në ndeshjen e parë në Korçë në minutën e 92-të dhe gjetëm forcat për të dalë në vend të parë. Gjithsesi jemi po aty, 1 pikë mbrapa. E dimë arsyen pse humbën. E kemi potencialin dhe forcën për t’u ringritur. Është një humbje, perceptimet janë të ndryshme. Personalisht, nuk e quaj dramë. Me çunat kam folur dhe u kam thënë se duhet të ngremë kokën. Humbëm një ndeshje me kundërshtarin që 2 herë e goditi portën. Minutën e 54-t u bë gjuajtja e parë e Skënderbeut. E kemi bagazhin dhe forcën për të treguar potencialin” Trajneri Gega dha opinionin e tij për situatën me tifozët e Partizanit. “Jam munduar t’i ndjek lajmet dhe, patjetër, jam pjesë e klubit. Unë ndihem keq, sepse janë dënuar gjithë sportdashësit e Partizanit. E shoh të paarsyeshme të dënohen të gjithë. Është humbje e madhe për ne. Te Partizani ndihet kjo. Nuk mund të ndërhyj, por mund të them se, institucionet tona janë inferiore karshi fqinjëve tanë. Ju e shikoni çfarë ndodh në stadiumet e Ballkanit, digjet flamuri ynë dhe nuk dënohet asnjë fushë”.