Superliga në “ndriçimin” e derbit, sytë drejtohen vetëm në “Qemal Stafa”

477
Sigal

Pa lënë mirë javën e 23-të të Superligës, vjen si papritur java e 24-t, ku ndeshja hapëse do të jetë as më pak e as më shumë sesa Tirana-Partizani, derbi i kryeqytetit dhe i Superligës, këtë të premte. Në fakt, asnjëherë më i fortë sesa këtë radhë nuk ka ardhur ky takim, ku këto dy skuadra janë në ndjekje e sipër të titullit kampion, me bardheblutë që kanë 47 pikë dhe të kuqtë që ndodhen në kuotën e 44 pikëve, tre më pak se kundërshtari, aq pikë sa mund të marrë nga kjo ndeshje dhe ta barazojë në tabelë.

Vllaznia-Elbasani, shansi i dytë për Vllazninë që t’i kthehet fitores

Një kalendar  me fat për skuadrën shkodrane që do të presë në “Loro Boriçi” ekipin e parafundit të renditjes, ekip që deri më tani nuk ka treguar se di të fitojë në ndeshjet jashtë fushe, ashtu si edhe në ndeshjen brenda, diçka që sigurisht e ka penalizuar, duke e vendosur në krahun e ekipeve që do t’i thonë lamtumirë Superligës sezonin e ardhshëm. Ky është një mundësi e artë për Vllazninë që të rikthehet përsëri tek fitoret, duke arritur dy rresht, diçka që aktualisht e kanë shumë të nevojshëm kampi kuqeblu.

Teuta-Skënderbeu, “humbëset” e mëdha të javës së 23-të

Dy skuadra që vijnë pas rezultateve jo edhe aq pozitive pas javës që lamë pas, duke filluar që me Teutën që përsëri nuk arriti të fitonte e duke përfunduar me Skënderbeun që barazoi me Kukësin, por ishte një barazim që tingëlloi si humbje, duke qenë se goli i verilindorëve u shënua pothuaj në sekondat e fundit. Kjo javë është një provë e fortë për të dy ekipet, sidomos për Skënderbeun që e ka të nevojshme fitoren, për të mos u larguar shumë nga kreu. Në fakt, pavarësisht formës aktuale apo renditjes, Teuta duhet të konsiderohet një ekip që ka forcën e duhur për të reaguar, edhe ndaj ekipeve të mëdha.

Flamurtari-Laçi, ndeshja për Kupat e Europës

Padyshim që ky është takimi më i fortë i javës, pas Tirana-Partizani, ku luajnë ndaj njëra-tjetrës dy skuadrat që synojnë të zënë një vend në Kupën e Europës, e për të arritur këtë duhet padyshim që të fitojnë në ndeshjet direkte që kanë për të zhvilluar së bashku. Deri më tani, padyshim që Laçi po zhvillon një fazë të tretë të shkëlqyer, ku ka arritur të fitojë në shumicën e ndeshjeve në kampionat, madje bindshëm, si në rastin e Tiranës dhe gjithashtu kanë arritur që të korrin shumë sukses në Kupë, duke kaluar në gjysmëfinale në përballjen që pati ndaj Partizanit. Një ndeshje që do të flasë shumë për synimet e secilit ekip, ndërkohë që Flamurtari, nëpërmjet këtij takimi, ka mundësinë që të rrisë mundësitë për një paraqitje akoma edhe më të mirë gjatë këtij kampionati, duke parë që nuk kishte një zhvillim edhe aq të mbarë.

Apolonia-Kukësi, një ndeshje për statistikë

Kështu të lë përshtypjen ky takim, që vë përballë Apoloninë dhe Kukësin, ku pritësit ndodhen në fundin e tabelës, ndërsa miqtë vunë diktatin në kampionat në ndeshjen ndaj Skënderbeut. Nuk duket ndeshje edhe aq e vështirë për Kukësin që duhet të shfrytëzojë çdo mundësi për të qenë në krye të tabelës dhe ndeshja me Apoloninë është një rast për të mos u humbur, ndërkohë që fierakët, për hir të së vërtetës, duken të pashpresë përballë verilindorëve.