Superliga mes goditjeve, Laçi ul me këmbë në tokë Kukësin

612
Sigal

U luajtën dje 4 takimet e javës së 21-të të kampionatit, ku humbja e Kukësit dhe fitorja e Tiranës baraspeshuan renditjen në klasifikim

 Rikthehet dhuna në futbollin shqiptar, këtë herë pikënisja është nga Laçi ku siç u pa, tifozët e kësaj skuadre nuk ngurruan që të demonstronin akte dhune me hedhje të sendeve të rënda në fushë, ku u vu re edhe një irritim i madh i tifozëve ndaj futbollistëve, edhe pse në fushë po zhvillohej një ndeshje tejet korrekte nga personazhet e vërtetë, lojtarët. Duke e kaluar këtë pjesë, që në bazë të rregullave do kalojë në shqyrtim të Disiplinës, katër ndeshjet e djeshme ishin të mbushura me emocione ku u panë fitore të skuadrave nëse mund t’i quajmë inferiore, ku në rastin e ndeshjeve mes Laçit dhe Kukësit, laçianët treguan edhe një herë se janë skuadër për të mos u nënvlerësuar, duke marrë pikë ndaj skuadrave të vendeve të para. Vetëm në javët e fundit, Laçi ka arritur të barazojë me Partizanin, Skënderbeun dhe dje fitoi me Kukësin. Nga ana tjetër, kemi rikthim tek fitorja e Elbasanit, ku këta të fundit në një stadium të boshatisur ia dolën që të mposhtnin Teutën, që edhe pse me rezultat minimal (1-0), ajo që ka rëndësi janë tre pikët dhe afrimi prej shtatë pikësh në renditjen e përgjithshme, fitorja foli edhe për Tiranën dhe Flamurtarin, ku të dy ekipet nuk shkuan më shumë se një 1-0 për të rrëmbyer 3 pikët.

Laçi-Kukësi: Ashtu siç ishte parashikuar, kjo ndeshje hasi në presion të madh, jo nga futbollistët por nga tifozët e “rrjeteve sociale” që i “shpallin luftë’ njëri-tjetrit, duke treguar pastaj në shkallët e stadiumit një sjellje që qëndron jashtë çdo etike jo vetëm sportive por edhe njerëzore.

Incidenti: Smajli, futbollisti i Kukësit u godit me flakadanë nga tifozët vendas të laçit, duke bërë që futbollisti të linte fushën e lojës për të marrë një trajtim më të specializuar. E gjithë kjo ndodhi në fillimin e pjesës së dytë, ku tifozët e laçit nuk ngurruan që të tregonin arsenalin e tyre në shkallët e stadiumit, e ndërkohë që futbollisti ishte i shtrirë në barelë përsëri goditjet në drejtim të tij nuk munguan.

Ndeshja: Takimi ishte i ekuilibruar në pjesën e parë, ku kuksianët ia dolën që të shënonin të parët por hasën në rezistencën e vendasve, për tu barazuar 5 minuta para fundit të pjesës së parë. Në pjesën e dytë, çdo gjë flet për Laçin që u futën në fushë me një tjetër ritëm dhe me synimin vetëm për të fituar. Mes rasteve të shumta, më në fund laçianët arrijnë që të kalojnë përsëri Halilajn. Rezultati 2-1 shkoi në favor të vendasve, duke ju gëzuar pikëve të arritura ndaj skuadrës pretendente për titull.

Elbasani-Teuta: Nga ana tjetër, takimi i dytë i orës 14:00 u mbyll me fitoren e Elbasanit, ku rihapet përsëri “lufta” për mbijetesë, me elbasanasit që kanë vetëm 7 pikë diferencë ndaj durrsakëve. Kjo fitore kishte edhe një vlerë tjetër për vendasit, që përveç tre pikëve arritën që të marrin edhe fitoren e parë në “Elbasan Arena”, që për fat të keq e shijuan me stadiumin bosh, duke qenë se është dënuar fusha e tyre që nga ndeshja me Tiranën. Duke u ndalur tek takimi i djeshëm, ndeshja ishte e vakët, pa raste të shumta, me një lojë të zhvilluar kryesisht në mesfushë dhe me asnjërën prej skuadrave që mobilizohej për të sulmuar. Vetëm në pjesën e dytë, në minutën e 77-të, pas disa rasteve të shpërdoruara, Elbasani arriti që të shënonte golin e vetëm të ndeshjes me anë të Lamçaj, gol që ka vlerën e tre pikëve të ringjalljes në tabelë.

Vllaznia-Tirana: Një takim i shumëpritur nga të gjithë por që nuk rezultoi edhe aq spektakolar, ku u shënua vetëm një gol nga ana e miqve, që iu dha edhe fitoren edhe bashkëkryesimin me Kukësin. Ndeshja shkoi e qetë, me një fillim të mirë për skuadrën shkodrane, por që nuk ia dolën dot që të finalizonin, duke humbur shumë raste përballë portierit. Për tu përmendur gjatë ndeshjes është edhe nxjerrja me karton të kuq të trajnerit të kuq e bluve, Rainerit, që u revoltua me vendimet e arbitrit të lojës. Në tërësi, rezultati ishte pozitiv për Tiranën, duke marrë parasysh se ndeshja me Vllazninë cilësohej si shumë e vështirë, e nga ana tjetër, janë shkodranët humbësit e mëdhenj të kësaj jave, që përsëri nuk ia dolën të marrin rezultat pozitiv, duke humbur të tre ndeshjet e kësaj faze të tretë, ndërkohë që ka mbetur në kuotën e 23 pikëve.

Flamurtari-Apolonia: Vlonjatët i falen penalltisë dhe Telushit për tre pikët e radhës, në ndeshjen e zhvilluar ndaj Apolonisë, në një terren mjaft të rënduar. Ndeshja u zhvillua e qetë për të dyja ekipet, me vendasit që arritën të triumfonin falë penalltisë, pa qenë në gjendje të ndërtonin aksione goli, kjo si pasojë edhe e fushës që ishte në një gjendje shumë të rënduar. Ishte pikërisht kjo gjendje e rënduar që detyroi skuadrën fierake që të ndryshojë fanellat në pjesën e dytë, pasi nuk dallohej më ngjyra për shkak të baltës.

Sot superndeshja Partizani-Skënderbeu: Edhe pse pjesa më e madhe e ndeshjeve u lujat ditën e djeshme, sot kalendari ka rezervuar takimin e fundit mes Partizanit dhe Skënderbeut, ku të dy ekipet kanë shansin që të fitojnë avantazh ndaj Kukësit, falë humbjes së verilindorëve. Të dy ekipet janë në kuotën e 40 pikëve, e fitorja është detyrim për të dyja, ndërkohë që

Dhuna në Laç

Gjici: Duam pikët në tavolinë, Laçi fitoi me dhunë

Safet Gjici, presidenti i Kukësit u shpreh në lidhje me situatën aspak të këndshme që përcolli ndeshjen Laçi-Kukësi, ku tifozët hodhën sende të forta në fushë, nga ku edhe një futbollist, Dritan Smajli, u gjuajt me flakadan, duke u detyruar të shtrohej në spital për një ndihmë më të specializuar. Në lidhje me këtë, Gjici u shpreh: “Të gjithë e pamë se çfarë ndodhi. Smajli tani ndodhet në spital dhe nuk është aspak në një gjendje të mirë. Laçi fitoi nëpërmjet dhunës dhe ne do të kërkojmë 3 pikët në tavolinë. Do të ankohemi në FSHF për atë që ndodhi dhe shpresojmë të na jepet e drejta”- tha Gjici

 Cungu: Le të vendosë disiplina
Trajneri i Laçit ka komentuar dje atë që ndodhi në fushë duke marrë një pozicion kundër veprimeve të tilla të shfaqura në stadiumin e Laçit: “Incidenti nuk ishte një gjë e mirë, unë jam kundër këtyre incidenteve dhe e respektoj shumë tifozerinë e Laçit dhe nuk e kuptoj një sjellje të tillë, tifozeria duhet të mbështesë skuadrën dhe nuk duhet të merret me asgjë tjetër. Në pjesën e dytë nuk u shfaqëm ashtu siç filluam, është normale kur nuk shënon do pësosh, por mos harrojmë dhe rastin e Smajlit. Për mua në ato momente ndeshja ka mbaruar, por le të vendosë Disiplina, ndërsa futbollisti është nën vëzhgimin e mjekut

  SKUADRA ND F B H P
1 Tirana 21 13 5 3 44
2 Kukësi 21 14 2 5 44
3 Skënderbeu 20 12 4 4 40
4 Partizani 20 12 4 4 40
5 Laçi 21 8 8 5 32
6 Flamurtari 21 7 7 7 28
7 Vllaznia 21 8 2 11 23
8 Teuta 21 6 1 14 19
9 Elbasani 21 4 0 17 12
10 Apolonia 21 2 3 16 9

Rezultatet e takimeve të djeshme

Laçi 2-1 Kukësi

Elbsani 1-0 Teuta

Flamurtari 1-0 Apolonia

Vllaznia 0-1 Teuta

Sot

Partizani 18:00 Skënderbeu

 

  

Kategoria e Parë/ Tërbuni dhe Lushnja ruajnë kreun, Mamurrasi “thirret” sot në apel

 Një barazim që tingëllon si fitore për pukianët, ku ai rezultat 0-0 me Besëlidhjen e la përsëri në +4 pikë, duke vazhduar, ndër të tjera, ecurinë pa humbje në të gjitha ndeshjet. Janë 13 ndeshje të luajtura, ku 3 janë barazime, rezultati më i keq i mundshme dhe 10 ndeshjet e tjera janë fitore. Me ecurinë e deritanishme, kjo skuadër ka vendosur “me forcë” një këmbë në Superligë, duke lënë pak pas vetes si Besëlidhjen ashtu edhe Mamurrasin. Kjo e fundit luan sot ndaj Adës, ndeshje testuese edhe për të që mund të përfitojë shumë mirë nga barazimi i Besëlidhjes dhe mund të tejkalojë me pikë lezhjanët. Nga ana tjetër, në grupin B është Lushnja skuadra që po bën më mirë nga të gjitha, pasi ashtu siç e mbylli vitin, në krye të renditjes, ashtu edhe e hapi, kjo pas asaj ndeshje të vështirë ndaj Dinamos, që arriti ta mposhte 2-0. një situatë pak e ndërlikuar kjo e grupit B, ku ekipet janë shumë afër me pikë ndaj njëra-tjetrës, pasi në vendin e tretë është Butrinti që ndodhet me pikë të barabarta me Pogradecin dhe Sopotin, 19 të tilla, ndërkohë që Tomori i vendit të 6-të ka një pikë më pak. Në këtë grup situata është shumë e ngjeshur, ku ekipet kanë shumë pak diferenca në pikë nga njëra-tjetra dhe ndeshjet e para treguan edhe një herë se kjo situatë do të vazhdojë të jetë e njëjtë, ku diferencat janë të pakta tek ekipet.

Legjionarët

Shkëlzen Gashi nuk ndal shkëlqimin, shënon gol ndaj Grasshopers

“Lojtari më i mirë i Zvicrës” për vitin 2014, duket se do ta mbajë këtë çmim edhe për 2015-ën, ku mbrëmë ishte pjesë e fitores 2-4 të Bazelit ndaj ish ekipit të Gashit, Grasshopers-it, duke shënuar një gol. Paraqitja e tij mbresëlënëse është vetëm vijueshmëri e paraqitjeve të mëparshme, ku ishte pjesë e rëndësishme e arritjeve të mëdha të ekipit, ku ndër të tjera përmendet edhe kualifikimi në fazën e 1/16 të Ligës së Kampioneve.

Odise Roshi e nis mbarë, shënon me Frankfurtin

Duket se ka nisur një vit i mbarë për të gjithë legjionarët shqiptarë, ku edhe Odise Roshi ishte pjesë e fitores së skuadrës së tij, Frankfurtit, në takimin e Bundesligës së dytë ndaj Nurenbergut. Roshi arriti që të shënonte golin e tij, që ishte i dyti për ekipin dhe mund të quhet edhe goli i qetësisë në një ndeshje shumë të luftuar mes këtyre dy ekipeve. Aktualisht skuadra e Roshit gjendet në vendin e 11-të të klasifikimit.