Superliga “lë” festat, tani mendohet vetëm për kampionatin

474
Sigal

Pushimet e fillim vitit dalëngadalë erdhën drejt fundit, e kjo vihet re edhe tek çdo skuadër në Superligë pasi fillojnë sot stërvitjen, kur ndodhen edhe me pak se tre javë nga fillimi i gjysmës së dytë të sezonit. Disa nga skuadrat kanë vendosur që të kryejnë stërvitjen e tyre jashtë Shqipërisë, me disa prej tyre që kanë zgjedhur Turqinë e disa Malin e Zi dhe me Skënderbeun që ka zgjedhur Spanjën, por sidoqoftë, qëllimi është i ditur: të zhvillohet një fazë përgatitore sa më e plotësuar në mënyrë që të jenë gati dhe të përgatitur për ndeshjet e ardhshme. Sipas informacioneve të marra, shumica e skuadrave do ta fillojnë sot fazën përgatitore dimërore, ndërkohë që Partizani ka filluar që dje duke vendosur madje që të qëndrojë në Shqipëri dhe jo t’i drejtohen Turqisë siç ishte lajmëruar kohë më parë. Në të njëjtën linjë është edhe Tirana, që edhe pse kishte konfirmuar për një fazë përgatitore jashtë Shqipërisë, diçka e tillë nuk do të ndodhë pasi do të qëndrojnë brenda vendit. Ndërkohë që skuadra e Skënderbeut do të niset sot drejt Spanjës për të qëndruar atje deri me datën 19 janar, pak ditë para fillimit të sezonit. Sigurisht që kjo fazë përgatitore vlen për skuadrat që të rikthehen përsëri në fushat e lojës, por me forca të ripërtërira. Synimet e secilës skuadër janë të dukshme dhe të qarta, duke filluar që nga kreu i renditjes që janë “kokë me kokë” me njëra-tjetrën plot 4 skuadra, Kukësi kryesues, Skënderbeu, Partizani dhe Tirana. Më tej janë në ndjekje të njëra-tjetrës skuadrat e Laçit, Vllaznisë dhe Flamurtarit, për t’ua lënë luftën për mbijetesë skuadrave të Teutës, Elbasanit dhe Apolonisë, skuadra që edhe e mbyll renditjen e kampionatit. Deri në ndeshjen e parë për këtë vit, skuadrat kanë të gjithë kohën e nevojshme në dispozicion që të përgatiten për gjysmën e dytë të kampionatit, që është në fakt edhe gjysma më e rëndësishme dhe finalizuese për të gjitha pretendimet dhe qëllimet e secilit ekip. Mbyllja e gjysmës së parë të kampionatit la në qendër të vëmendjes katër skuadrat e para, Kukësin, Skënderbeun, Partizanin dhe Tiranën që vazhdojnë të rivalizojnë njëra-tjetrën për titullin në fund të këtij sezoni. Tanimë është bërë e qartë se titulli do të ndahet mes këtyre katër skuadrave e rol të rëndësishëm do të luajë sidomos fillimi i fazës së tretë në gjysmën e dytë të kampionatit. Ndeshjet e para do të jenë domethënëse dhe pothuaj vendimtare për secilën prej tyre, si në fillim të renditjes por edhe në fund, ku kujtojmë se vazhdojnë të jenë dy skuadra që rrezikojnë ndjeshëm për ta lënë superioren vitin e ardhshëm, por që gjithsesi ndryshimet dhe përgatitja që mund të bëjnë, do të sjellin edhe rezultatet e dëshiruara për secilën skuadër.

 Zona e transferime të lojtarëve në Superligë, largime dhe afrime të shumta

 Merkatoja dimërore ka disa ditë që është e hapur dhe kjo sigurisht ka vënë në punë shumë skuadra që dëshirojnë të kenë në ekip lojtarë cilësor që mund të ndikojnë në rritjen e nivelit të grupit. Shumë lëvizje ka pasur, ku skuadra që ka bërë më shumë largime deri më tani ka qenë pa dyshim Flamurtari që edhe dje ka bërë një lëshim tjetër në drejtim të skuadrës së Kukësit. Futbollisti i radhës që largohet është Gledi Mici, që tanimë ka kaluar nën urdhrat e Kukësit, kampionëve të dimrit. Kjo blerje është me vlerë për verilindorët që e kishin vënë në shënjestër futbollistin Mici si një nga të pëlqyerit për kastën drejtuese të klubit kuksianë. Nga ana tjetër, kemi një largim nga skuadra e Skënderbeut që ka lënë të lirë futbollistin Amarildo Dimo, duke e falënderuar për çdo gjë që ka dhënë fieraku gjatë kohës që u aktivizua në këtë skuadër. Se drejt cilës skuadër është drejtuar Dimo, nuk ka asnjë informacion, nisur nga fakti që edhe zgjidhja e kontratës është bërë me marrëveshje nga të dy palët. Ndërkohë që është po klubi korçar që bën një tjetër deklaratë “pikante” ku vërteton se do të ketë dy afrime të reja në klub, por pa zbardhur emra konkretë apo nëse janë futbollistë shqiptarë apo të huaj. Largim tjetër në ditën e djeshme ndodhi nga skuadra e Kukësit ku Igli Allmuça dhe skuadra verilindore deklaruan prishjen e kontratës ndërmjet tyre. Akoma nuk dihet se ku do të vazhdojë të luajë 34 vjeçari, por ajo që dihet është se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga futbolli i luajtur. Duket se këtë vit skuadrat po luajnë të gjitha më “fshehurazi” sa i përket afrimeve dhe largimeve në skuadër dhe flasin vetëm kur çdo gjë zyrtarizohet.

  Artan Mërgjyshi, trajneri më i ri i Superligës, shpresë për Apoloninë

 Lëvizjet e shumta të futbollistëve në këtë fazë të vitit, janë diçka e zakonshme pasi pasohen nga hapja e fazës së parë të merkatos së vitit, por ky fillim viti ka sjellë për kampionatin shqiptar edhe një trajner të ri, ku Artan Mërgjyshi do të vihet në krye të drejtimit të skuadrës së Apolonisë. Ish trajneri i Besës dhe i Dinamos ka marrë drejtimin e skuadrës deri në fund të këtij sezoni, që është afërsisht një periudhë 6 mujore, ndërkohë që rinovimi do të vijë vetëm në qoftë se vihen re ndryshime në skuadër dhe mbi të gjitha ndryshime në renditje ku dihet se dëshira kryesore e drejtuesve është që të rrinë në Superligë, duke shmangur kësisoj rënien nga kategoria. Forma e dobët e fierakëve tregohet më së miri me vendosjen në tabelë, ku kujtojmë se ndodhen në vendin e fundit të renditjes duke qëndruar edhe pas Elbasanit. Mërgjyshi shkon tek Apolonia me misionin e vetëm për ta shpëtuar këtë skuadër nga rezultatet e tjera negative.

  Lacio i thotë jo Veronës për Berishën

 Etrit Berisha nuk po kalon një kohë shumë të mirë në Romë, ku kohët e fundit aktivizimi nuk ka qenë i plotë për të në ndeshjet e luajtura. Kjo ka bërë që të mendohet për një largim të mundshëm të Berishës nga Lacio e si pasojë e kësaj nuk kanë munguar ofertat për gjigandin e portës sonë, ku kërkesën më serioze e ka bërë skuadra e Veronës që e kërkon me ngulm një portier me cilësitë e Berishës. Por me sa duket çdo gjë do të mbesë vetëm si dëshirë për veronezët sepse Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, ua mbylli derën duke mos pranuar që të shesin Berishën tek Verona. Në fakt kohët e fundit po shtohen zërat për një pakënaqësi të Berishës në lidhje me aktivizimin e tij, duke bërë që të shtohen zërat përreth tij për një largim të mundshëm.

 Xhani De Biazi falënderon Shqipërinë

 Të shpallesh sportist i vitit në Shqipëri do të thotë se ke bërë me të vërtetë shumë mirë sa i përket rezultateve të arritura, e këtë titull e fitoi Xhani De Biazi për vitin 2014. Trajneri me të drejtë u shpall më i miri sportist i vitit, nisur nga rezultatet e arritura me Shqipërinë dhe punën shumë të mirë që ka bërë së bashku me futbollistët dhe stafin drejtues. Nisur nga ky titull, De Biazi ka dërgua një letër falënderimi për Shqipërinë dhe Shqiptarët, duke përmendur rrugëtimin e bërë deri më tani, arritjet më të mëdha të vitit, si fitorja me Portugalinë, barazimi me Francën dhe Danimarkën dhe sigurisht edhe ndeshja me Italinë, që edhe pse Shqipëria humbi, fitoi në shkallët e stadiumit, ku 20 mijë shqiptarë kënduan himnin e Shqipërisë pastaj tok me italianët kënduan edhe himnin e Italisë. Në letrën e tij, De Biazi përmend edhe rrugëtimin që e solli deri këtu, fillesën e tij si trajner dhe e përfundon çdo gjë me dëshirën për arritur kualifikimin në Euro 2016, diçka që ka nisur të marrë formë që në 2014-ën.

 Cana në formacionin më të mirë të PSG

 Lorik Cana, futbollisti i kombëtares tonë, fillesat e tij i ka pasur në Francë nga ku ka luajtur për PSG dhe Marsejë për një kohë të konsiderueshme. Është pikërisht skuadra e PSG që dje ka nxjerrë formacionin më të mirë të historisë, me futbollistët që nuk janë më pjesë e këtij ekipi e në këtë 11-she bën pjesë edhe Lorik Cana që luajti për këtë skuadër tre sezone, duke shënuar dy gola dhe duke u shpallur nënkampion i Francës dhe njëkohësisht duke fituar edhe Kupën e Francës. Gjatë kohës që luajti aty, është cilësuar si një nga futbollistët më të mirë, duke qenë pjesë e PSG në një nga vitet më të mira të tyre, duke lënë mënjanë PSG-në e sotme. Në këtë listë futbollistësh, bashkë me Canën, ndodhen edhe Ronaldinjo, Anelka, Sakho, Lugano. Kujtojmë se gjatë atyre viteve (2002-2005) Cana është aktivizuar si mesfushor, duke mos qenë i njohur për rolin e mbrojtësit.

 Xherdan Shaqiri jo më “bavarez”, i bashkohet Interit

 Çdo gjë erdhi drejt fundit për Xherdan Shaqirin, sa i përket përfshirjes së tij formacionin e Bajernit të Mynihut. Siç edhe ishte bërë me dije, Shaqiri ishte pranë largimit, me arsyen e qartë të mos aktivizimit dhe të mos gjetjes së hapësirave në fushën e lojës. Këtë sezon, Shaqiri nuk ka mundur të japë maksimumin e tij për skuadrën, si pasojë edhe e minutave të pakta në dispozicion, e nisur nga kjo është cilësuar si më e arsyeshme afrimi tek një tjetër skuadër që do t’i ofronte më shumë minuta loje. Ndryshimi i kursit është pothuaj kategorik, pasi nga kampionati gjerman shkon tek ai italian, për t’iu bashkuar Interit në SerieA. Në lidhje me këtë kalim mungon vetëm firma zyrtare, që pritet të ndodhë këtë të mërkurë, pasi kushtet e marrëveshjes mes lojtarit dhe skuadrave janë arritur. Kujtojmë që Interi është një skuadër që në kampionat nuk ka gjetur formën e duhur, por me blerjet e dimrit duket se do të rikthehet fuqishëm në fazën e dytë. Lukas Podolski dhe Xherdan Shaqiri janë futbollistë shumë të mirë që do e ndihmojnë skuadrën të dalë nga “kriza” dhe këtu, minutat janë të garantuara për këta dy futbollistë, diçka që e kishin me pakicë si gjermani tek Arsenal ashtu edhe zvicerani tek Bajern Mynih.