Sulejman Starova: Partizani do synojë Kupën, Kampionatin e nisim nga këtu

557
Nga Agron KAJA
PARTIZANI/ Në daljen e parë zyrtare para mediave, bankina e sigurt e skuadrës së kuqe “zbulon” objektivin e mbetur të sezonit
Dje në mesditë, në ambientet e Qendrës Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, është “rrëfyer” trajneri i ri dhe njohja e vjetër e Partizanit, Sulejman Starova, i cili më shumë se sa një prezantim zyrtar në rikthimin e ti te bankina e Partizanit, ka zbuluar synimin që tashmë i ka mbetur kësaj skuadre në këtë sezon. Në bashkëbisedimin e tij me mediat, Starova nuk harroi të falënderojë ata që e rkithyen në bankinë, njëherësh i dha kurajë skuadrës për të dalë nga situata e vështirë. “Unë si fillim dua që të falënderoj Presidentin dhe gjithë kryesinë e klubit, të cilët kanë menduar që vazhdimësinë e punës së trajnerit të Partizanit të ma besojnë mua! Ky është respekt, por edhe një detyrim i madh, siç është legjenda e Partizanit. Tashmë ne fillojmë një kampionat me tre faza, pikërisht ditën e mërkurë, me objektivin që të të grumbullojmë më tepër pikë se të gjithë, duke filluar nga Skënderbeu që udhëheq me meritë kampionatin”, ishte kjo hyrja e deklaratës së Starovës, dje në konferencën e tij të parë zyrtare për mediat e shtypin, ndërkohë që më tej, ai tregoi besimin te skuadra për synimin e mbetur të këtij sezoni. “Nuk mendoj se është vonë, përkundrazi, unë do të thosha se tashmë ne i kemi të gjitha mundësitë që ta realizojmë objektivin të cilin unë e përmenda më sipër në këtë bisedë. Nuk ka asgjë për të fshehur, po ja u them se Partizani do përforcohet në janar, të ndërgjegjshëm se në harkun e tre fazave të mbetura të Kategorisë Superiore, na duhet që të jemi të kujdesshëm dhe të durueshëm., sepse kthesa nuk mund të bëhet në mënyrë rrënjësore”. Kështu dukej sikur Partizani nuk do të kishte ndonjë objektiv konkret, por Starova më pas e zbuloi atë me “delikatesën” e tij, duke thënë se Kupa do të jetë synimi primar, por të marrin sa më shumë pikë dhe të ngjiten sa më larta në renditje. 

“Tashmë për ne, si objektiv primar mbetet fitimi i Kupës së Shqipërisë, por edhe që të fitojmë më shumë se kundërshtarët në këto tre faza, të mbetura, ndërsa sot nuk nuk mund ta përcaktoj deri ku mund të shkojmë. Ne shpresojmë që të ngjitemi sa më lart në kampionat, në fundin e këtyre tre fazave që do të luhen”. Por Starova e kishte edhe një merak, bashkimin me tifozët, për respektin e të cilëve, ai kërkon maksimumin nga skuadra. “Na duhet të jemi akoma më të bashkuar, i bëj thirrje dhe tifozerisë që nuk duhet të mërziten, ose të kalojë mërzitja sa më shpejt, në mënyrë që parulla që nuk e lënë skuadrën asnjëherë vetëm të bëhet realitet. Deri tani nuk ka munguar asgjë sa i përket përkrahjes gjatë 90 minutave, por lojtarët që të japin maksimumin duhet të kenë përkrahjen e tifozëve”. 
Për lojtarët jashtë forme, dihet përgjigja, kush vesh fanellën e Partizanit ka për detyrë të stërvitet e të japë maksimumin. Të gjithë duhet të jenë të gatshëm për në formacion dhe për në stol, sepse do ketë edhe lojtarë që do shkojnë në tribunë, si çdo skuadër normale
Kritikat e bëra për Iulianon dhe Moxhin, pakënaqësi për afrimet
Shumë larg konkretes, por Starova nuk mbeti abstrakt në kritikat e tij për situatën në skuadrën e Partizanit, duke mos e kritikuar aspak të shkarkuarin nga bankina, Mark Iulianon. “Mua nuk më intereson se çfarë thonë të tjerët, sepse jam i bindur se Iuliano është trajner i mirë. Ai ka pasur eksperiencë fantastike si lojtar, për mosrezultatet e tij, nuk është i pari ai. Sepse të gjithë të huajt që vijnë në Shqipëri, nuk kanë kohën e duhur për të njohur futbollin shqiptar, dhe kjo mendoj se është edhe arsyeja që ai nuk pati rezultatet e duhura. Kritikat e mia të mëparshme, më shumë kanë qenë, se nuk kemi qenë të kënaqur nga afrimet që janë bërë, në raport me skuadrën e sezonit të kaluar, ku de facto jemi skuadra kampione. Por edhe sepse të larguarit nuk u zëvendësuan në nivelin e duhur, ndaj tani na mbetet që të bëjmë më të mirën në pjesën e mbetur të këtij sezoni. 
Ndeshjet e Partizanit
Faza e parë 2017-2018 
Java 1-rë/ 10.09.2017 
Partizani-Laçi 0-2
Java 2-të/ 18.09.2017 
Partizani-Kukësi 0-0
Java 3-të/ 23.09.2017 
Skënderbeu-Partizani 2-0
Java 4-t/ 02.10.2017
Partizani-Lushnja 0-0
Java 5-të/ 12,10.2017
Teuta-Partizani 1-2
Java 6-të/ 16.10.2017 
Partizani-Luftëtari 2-0
Java 7-të/ 22.10.2017 
Vllaznia-Partizani 0-1
Java 8-të/ 29.11.2017 
Partizani-Flamurtari 0-1
Java 9-të/ 04.11.2017 
Kamza-Partizani 1-0
BILANCI NË 9 JAVË:
Nd 9, F 3, B 2, H 4, G 5:7

KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 10-të
Datë 15 nëntor 2017 
Laçi-Partizani
Vllaznia-Lushnja
Luftëtari-Teuta 
Kamza-Kukësi
Flamurtari-Skënderbeu

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 9 25
2.Kukësi 9 18
3.Flamurtari 9 16
4.Kamza 9 15 
5.Laçi 9 11
6.Partizani 9 11
7.Teuta 9 8 
8.Luftëtari 9 8
9.Vllaznia 9 6
10.Lushnja 9 5
Sigal