Strakosha kthehet në stërvitje me Lazion, bëhet gati për Milanin

159
Sigal

Thomas Strakosha do të jetë përsëri mes shtyllave të portës së Lacios në këtë fundjavë, në duelin delikat të ekipit të tij kundër Milanit.

Në klub ka shpërthyer një infeksion viral gjatë ditëve të fundit dhe shumë lojtarë, mes të cilëve edhe portieri shqiptar, kishin munguar në stërvitjet që kishte zhvilluar ekipi nën urdhrat e trajnerit Sarri.

Megjithatë, sot Strakosha është kthyer në stërvitje, të paktën pjesërisht, pasi ka punuar në palestër dhe jo në fushën e lojës.

Lojtari raportohet se ka lënë pas simptomat e gripit që e kishin shoqëruar këto ditë, ashtu si Milinkoviç-Saviç, Marushiç dhe Kataldi.

Kështu, pritet që ai të jetë të shtunën në fushën e lojës ndaj Milanit, një skuadër për të cilën ai do të ketë gjithmonë një kujtim të veçantë.

Pikërisht përballë kuqezinjve ndodhi edhe debutimi i tij në elitën e futbollit italian, kur dëmtimi i Marketit i hapi dyert e ekipit të parë në shtatorin e vitit 2016.

Lacio u mund në atë ndeshje 2-0, por Strakosha ra në sy me sigurinë e tij dhe shumë shpejt iu besua edhe fanella e titullarit në klubin kryeqytetas.