Stavri Nica: Dua një Teutë më agresive, mbijetesa nuk do të jetë “kryefjalë” te ky ekip

643
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i Teutës, ja si e shikon skuadrën e tij në startin e gjysmës së dytë të sezonit
Edhe dy ditë kanë mbetur nga rifillimi i gjysmës së dytë të sezonit 2017-2018, si është situata te skuadra e Teutës?
Me punën që kemi bërë gjatë ditëve stërvitore në Antalia, skuadra është përgjigjur mirë në treguesit kryesorë të saj. Kemi bërë edhe disa përforcime gjatë këtij muaji që përkon me merkaton e dimrit, njëherësh kemi zhvilluar edhe ndeshje miqësore.

Ju si trajner, keni konstatuar ndryshime te skuadra në këto ditë përgatitore?
Kur them se skuadra i është përgjigjur shumë mirë ngarkesës e ritmit gjatë kësaj mini faze përgatitore, këtu i kam parasysh edhe ato mangësi që kanë qenë prezent në 16 javët e para. Prandaj është një periudhë e tillë, për të korrigjuar sa më shumë mangësitë që janë shfaqur.

Gjatë përgatitjeve në këtë muaj, në skuadër keni bërë merkato e ndeshje miqësore, është mbi ngarkesë kjo në këtë periudhë?
Jo, është në të kundërtën e kësaj që thoni ju. Nuk është mbingarkesë të kesh të tre këta tregues në aktivitet: Stërvitshmëri-Merkato-Miqësore. Të tria janë domosdoshmëri për çdo ekip që e ka zyrtarisht periudhë pushimi zyrtar muajin janar, por nga programet dhe alternimet tona, varet edhe ngarkesa e çdo lojtari.

Cili është mendimi juaj për skuadrën e Teutës pas kësaj mini faze përgatitore?
Kjo periudhë stërvitore që ne zhvilluam gjatë këtij muaji, nuk ka qenë e mjaftueshme për të bërë shumë ndërhyrje në skuadër. Gjithsesi, unë jam i kënaqur për mënyrën se si u stërvit skuadra në këtë periudhë, dhe ne si staf teknik na janë përgjigjur me korrektesë e përkushtim.

Çfarë kërkoni nga skuadra tuaj në këtë rinisje të sezonit?
Ndryshimin e parë dhe më thelbësor, e mendoj te agresiviteti. Teuta duhet të jetë një skuadër më agresive dhe me më shumë besim te vetvetja. Kemi elementë shumë cilësorë në përbërje, ndaj jam shumë optimist se kjo situatë në këto vende të fundit në renditje do të kalojë shumë shpejt.

Të premten rinis Kategoria Superiore me javën e 17-të, e mendoni ndeshje të vështirë përballjen me Lushnjen?
Edhe pse është skuadra e vendit të fundit të renditjes, Lushnja ka marrë vëmendjen dhe vlerësimin tonë maksimal. Nuk ka rëndësi pozicioni në renditje, sepse me përgatitjet që janë bërë, edhe Lushnja ka bërë korrigjime në raport me 16 javët që janë luajtur.

Mos ndoshta i druheni një rezultati surprizë në këtë sfidë?
Surprizat janë pjesë e futbollit, por në rastin tonë nuk ka pse të mendohet një gjë e tillë. Ne do të luajmë me më shumë agresivitet në të gjithë sektorët e fushës, duke pasur më shumë përqendrim në organizimin e aksioneve dhe në finalizimin e tyre.

Si e mendoni rezultatin në këtë sfidë të javës së 17-të?
Ne nuk kemi asnjë synim tjetër veç fitores, e këtë nuk e them se do të ndeshemi me Lushnjen. Edhe po të kishim skuadër tjetër përballë, të njëjtin synim do të kishim, sepse pikët janë të njëllojta në çdo fitore.

Ku e mendoni Teutën në fundin e këtij sezoni, si në Kampionat dhe në Kupë?
Nuk është rastësi që skuadra jonë luan në të dy kompeticionet e këtij sezoni. Në Kampionat synojmë që sa më shpejt të dalim nga vendet e fundit në renditje dhe të hyjmë në gjashtë skuadrat e para, ndërsa në Kupë shpresojmë të shkojmë deri në finalen e saj.
Teuta duhet të jetë një skuadër më agresive dhe me më shumë besim te vetvetja. Kemi elementë shumë cilësorë në përbërje, ndaj jam shumë optimist se kjo situatë në këto vende të fundit në renditje do të kalojë shumë shpejt
Teuta në 16 javë
Fitore 4
Barazime 3
Humbje 9
Golat 18:27
Pikë 15 
Renditja 8
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 17-të
Të premten, 26 janar 2018 
Kamza-Laçi 14:00
Teuta-Lushnja 14:00
Luftëtari-Skënderbeu 14:00
Flamurtari-Partizani 17:00
Vllaznia-Kukësi 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 16 37
2. Flamurtari 16 28
3. Laçi 16 27
4. Kukësi 16 25
5. Partizani 16 24
6. Kamza 16 23
7. Luftëtari 16 19
8. Teuta 16 15
9. Vllaznia 16 15
10. Lushnja 16 8
Sigal