Statujë dhe mozaik, Argjentina përkujton Diego Maradonën

178
Sigal

Argjentina luajti në orët e para të mëngjesit të sotëm kundër Kilit, duel i vlefshëm për kualifikueset e Botërorit Katar 2022. Kjo ishte ndeshja e parë që dy herë kampionët e botës zhvillonin pas vdekjes së Diego Armando Maradonës.

“El Diez”, për shumëkënd më i madhi i historisë së futbollit, u nda nga jeta 25 nëntorin e vitit të kaluar. Një humbje e madhe që përloti miliona tifozë të lojës më të bukur në planet. Argjentina e nderoi siç duhet përpara sfidës me Kilin.

Një statujë prej bronzi 5 metra e lartë në nder të Maradonës, u zbulua jashtë stadiumit “Estadio Unico” në Santiago del Estero. Lojtarët e Argjentinës zbritën në fushë me fanella ku dallohej ish-ylli botëror.

Në kraharor një foto e Maradonës dhe poshtë vetëm viti i lindjes, pasi legjendat nuk vdesin kurrë. Ndërkohë, në hyrjen e hotelit ku është akomoduar kombëtarja albiceleste janë vendosur dy mozaikë të Diegos dhe Leo Messit. Ky i fundit, shënoi edhe golin e parë të ndeshjes, që përfundoi 1-1.