Starton derbi Partizani dhe Tirana i luajnë të gjitha në “Air Albania”

252
Sigal

Ka startuar përballja Partizani-Tirana në stadiumin “Air Albania” për herën e 161-të në historinë e tyre. Në dallim nga derbet e sezoneve të fundit, ky i sotmi ka një rëndësi dhe dukuri të veçantë, pasi si rrallëherë në edicionet e shkuara, të dyja ekipet luftojnë për objektiva madhorë. Kështu që, përballja e sotme mes dy rivalëve historikë të kryeqytetit mund të quhet fare mirë edhe si derbi i së vërtetës.

Thuhet i së vërtetës, pasi ekipi që fiton do ta ketë më të qartë busullën orientuese. Nëse fiton Tirana, e cila në këtë sezon të 82-të të Superiores nuk ka fituar asnjë herë me “demat”, i bie që të besuarit e trajnerit Orges Shehi, jo vetëm që hedhin një hap konkret për sigurimin e biletës europiane, por mbeten në garë deri në fund për mrekullinë… titull.  Për Partizanin është derbi i së vërtetës për faktin se fitorja është ilaçi i vetëm për të synuar titullin kampion. Tri përballjet e fundit në këtë kampionat, 1 barazim dhe 2 fitore, i bëjnë optimistë të besuarit e trajnerit Ilir Daja për të mos devijuar në fund nga korsia e titullit.

Barazimi dhe humbja thjesht mund t’i mbanin më larg kreut, por më pas titulli nuk do të varej tërësisht nga ata në tri sfidat e fundit. Ky mund të jetë derbi i së vërtetës edhe për shumë lojtarë që duan të tregojnë veten dhe për të shtuar kreditet për një hap më të madh në karrierë jashtë vendit. Praktikisht ky derbi vendos shumë edhe për të ardhmen e klubeve dhe lojtarëve.

FORMACIONET ZYRTARE:

PARTIZANI: Hoxha, Mala, Bitri, Belica, Hakaj, Broja, Murataj, Bardhi, Asani, Çinari, Stenio Zhunior. Trajner: I. Daja

TIRANA: Bekaj, Vangjeli, Najdovski, Hoxhallari; Toshevski, Batha, Çelhaka, Danso, Ismajlgeci; Torasa, Seferi. Trajner: O. Shehi