Starova: “Fituam me meritë”

517
Sigal

Trajneri i Kukësit flet pas fitores 2-1 me Tiranën: “Mundëm skuadrën më të mirë të momentit”

Trajneri i Kukësit, Sulejman Starova, u shpreh mjaft i kënaqur pas fitores 2-1 me Tiranën, të cilën ai e cilësoi si skuadrën më të mirë të momentit në Superligë. Tri javë më parë, Kukësi humbi 3-1 me bardheblutë në “Qemal Stafa”, ndërkohë që, dje verilindorët morën revanshin, duke kapur kështu vendin e katërt, me dy pikë më pak se Partizani i vendit të dytë. Takimi në impiantin ndërkombëtar të kryeqytetit ishte emocionues, ndërkohë që dy tifozeritë prodhuan një atmosferë të bukur, edhe pse nuk munguan replikat midis tyre në distancë.

 – Starova, me këtë fitore ia kthyet shumë shpejt reston Tiranës?

– Në fakt, nuk do ta konsideroja si një kthim restoje. Problemi qëndron në faktin se, pikët janë shumë të vlefshme. Kishim përballë një skuadër shumë të mirë dhe të fitosh me të do të thotë fitosh ndaj ekipit që, është më i miri i momentit.

Kundërshtari ka bërë shumë, pasi nga një gjendje jo e mirë e ka konsoliduar skuadrën dhe për momentin, për mendimin tim është më e mira. Prandaj, kjo ia rrit dhe vlerat fitores sonë, ishin tri pikë shumë të vlefshme për objektivat që kemi.

– Çfarë do të veçonit nga ndeshja?

Ishte një ndeshje e bukur, ku nuk munguan golat, grinta dhe lufta sportive. Besoj se e kemi justifikuar.

– A jeni i kënaqur nga loja e skuadrës suaj?

– Duke pasur një kundërshtar të tillë përballë, patjetër që jam i kënaqur. Sigurisht që, ka anë shumë pozitive, ashtu sikundër ka dhe anë negative, të cilat duhen riparuar. Kjo është detyra jonë. Ndonjëherë edhe cilësitë individuale e çojnë skuadrën përpara.

– A konsideroni të mbyllur çështjen e titullit, duke luftuar tani për zonën e Europës dhe Kupën e Shqipërisë?

– Me diferencën që kemi me vendin e parë, kuptohet që lufta për titull është shumë e vështirë. Ne jemi në zonën e sipërme të renditjes, pra luftojmë për vendin e dytë apo të tretë, në zonën UEFA.

– Një Kukësi që rigjen fitoren pas barazimit me Vllazninë…

– Është një edicion jo i miri i yni, në sensin që na lodhi pjesëmarrja e gjatë në Europë, kështu që na lodhi dhe nga gjeti disi të papërgatitur kampionati. Mund të bënim përforcime më të mira, të tilla si ato që bëri Tirana, por tani me këta lojtarë që kemi duhet të arrijmë objektivin.

– Nga një humbje 3-1 me Tiranën në një fitore 2-1. Çfarë ka ndryshuar te Tirana gjatë këtyre tri javëve?

– Janë episodet ato që vendosin në një ndeshje. Ne patëm rast në fillim që të kalonim në avantazh, më pas pas dy rasteve tona e kishte Tirana për të kaluar në avantazh 1-0. Por, e theksoj se episodet e ndryshojnë fatin e ndeshjes.

– Starova, në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë do të përballeni me Teutën. Besoj se, objektivi është të paktën mbërritja në finale, apo jo?

– Ky objektiv është i detyrueshëm, si për ne ashtu dhe për Teutën, jo vetëm për të siguruar një vend në Europë, por për të marrë dhe Kupën. Kjo ka vështirësitë e veta. Gjithsesi, për momentin do të mendojmë për kampionatin, pasi lamë dy pikë me Vllazninë, kur kishim mundësi ta merrnim atë trepikësh edhe pse na penalizuan mungesat. Kemi ndeshjen me Flamurtarin në shtëpi dhe synojmë fitoren.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XXIV

Dje,

VLLAZNIA-PARTIZANI 0-1

Shënues:: Nexhipi 45+2’ (pen)

BESA-KASTRIOTI 1-1

Shënues: Mancaku 90+1’ / J.Sefa 49’ (pen)

TIRANA-KUKËSI 1-2

Shënues: Taku 52’ / Cikalleshi 49’, 73’

FLAMURTARI-TEUTA 0-0

Të shtunën,

LUSHNJA-SKËNDERBEU  2-4

Shënues:: Fonseka 37’, Sula 48’ /  Lilaj 8’, Pejiç 20’, 84’, Ribaj 35’

BYLISI-LAÇI 0-0

RENDITJA

1     Skënderbeu 24   +20 51

2     Partizani             24   +7   39

3     Laçi                     24   +5   38

4     Kukësi         24   +0   37

5     Besa                    24   +3   34

6     Teuta                  24   +3   33

7     Flamurtari           24   +0   31

8     Tirana          24   -7    27

9     Vllaznia       24   -2    26

10   Bylis                   24   -4    25

11   Kastrioti             24   -10  23

12   Lushnja        24   -15  23

Trajneri bardheblu: “Lojtarët nuk e kishin mendjen te Kukësi, por te derbi me Partizanin”

 Magani: “Na ndëshkoi vetëkënaqësia!”

 Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, e përjetoi keq humbjen me Kukësin, e para pas shtatë rezultatesh pozitive, duke theksuar se skuadra u ndëshkua nga vetëkënaqësia dhe se lojtarët e kishin më shumë mendjen te derbi i javës së ardhshme me Partizanin.

 – Magani, cila është shija e humbjes suaj të parë pas shtatë rezultateve pozitive?

– Normalisht, humbja është pjesë e lojës, por megjithatë do të thosha se, mënyra sesi humbëm sot (dje) ndeshjen, më bën të jem i pezmatuar shumë thellë. Nëse ajo do të vinte për meritë të kundërshtarit, dhe jo për fajin tonë, atëherë ajo do të ishte normale. Pasi dihet futbolli është një lojë sportive dhe gjithkujt i takon të marrë atë që jep në fushë. Ne nuk dhamë gjithçka në fushë, për të marrë rezultatin dhe mendoj se, në raport me kundërshtarin nuk mbajtëm ekuilibrat në fushë.

– Skuadra tregoi shenja lodhje. Lojtarë të caktuar si Kërçiku, Ndikumna apo dhe ndonjë tjetër nuk dhanë maksimumin…

– Mund të them që, që çdo lojtar duhet të menaxhojë mirë energjitë e veta. Mendoj se disa lojtarë e kanë pasur më shumë mendjen te derbi me Partizanin, dhe unë i ruhesha kësaj.

– A mendoni se, dy golat e pësuar erdhën si pasojë e gabimeve të portierit Lika?

– Mendoj se, gabimet janë pjesë e lojës. Ashtu sikundër nga ka shpëtuar portieri në ndeshje të tjera, sot (dje) ai nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Gjithsesi, unë kam sërish besim tek Ilioni (Lika). Është një nga pikat tona kyçe dhe është një pikë referimi. Normalisht, të gjithë kemi përgjegjësi, kam unë, por ka dhe skuadra. Një pjesë e jona e kishte mendjen edhe te Kupat e Europës, gjë që unë ua kisha thënë lojtarëve.

– E konsideroni një pretendim të tepruar?

– Pa diskutim. Që të shkosh në Kupat e Europës duhet të jesh i përgatitur profesionalisht.

– Keni premtuar në Krujë se, kjo Tiranë nuk mundet?

– Kjo është e vërtetë. Sot, mundëm veten, pasi po t’i referohemi lojës kundërshtari nuk ka qenë shumë prezent në portën tonë. Kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë më.

– Kundër Partizanit do të mungojnë Kahata dhe Ndikumana. Sa i shqetësuar jeni?

– Çdo lojtar ka rëndësinë e tij në skuadër, por askush nuk është i pazëvendësueshëm. Kështu, që normalisht do të bëjmë të pamundurën për t’i zëvendësuar me lojtarë të tjerë pasi organikën e kemi të bollshme.

– Kush ishte më e mirë, Tirana e pjesës së parë, apo të dytë?

– E pjesës së dytë. Unë futa më shumë lojtarë me cilësi ofensive. I porosita që kundërshtari do të luante pas, pasi u rreshtua shumë ngushtë në mbrojtje, ndërkohë që ne luajtëm më vertikalizime.

– A keni një mesazh për tifozët?

– U kërkoj publikisht falje, edhe në emër të skuadrës. Mendoj se, nuk do t’i zhgënjejmë më.

– A do të riktheheni te fitorja në ndeshjen me Partizanin?

– Besoj se, po. Do ta kërkojmë me çdo çmim fitoren, pasi dhe tabela e renditjes na e kërkon atë. Derbi është derbi dhe duam të japim gjithçka tonë.

– Tirana është sërish jashtë rrezikut…

– U kam thënë lojtarëve se, ende nuk kemi dalë. Duhet të jemi me këmbë të tokë, pavarësisht se po ta kthejmë kokën pas, do të shohim se ku kemi qenë dhe ku jemi tani.

Partizani fiton në Shkodër dhe merr vendin e dytë

 Falë një penalltie të realizuar nga Nderim Nexhipi në fundin e pjesë së parë, Partizani fitoi 1-0 me Vllazninë në “Loro Boriçi”, duke u rikthyer në vendin e dytë, tani me një pikë më shumë se Laçi. Në fakt, 11-metërshi u kontestua fort nga kuqeblutë, pasi dhe mënyra sesi ai erdhi ishte paksa i paqartë. Goditja në lojë të ndalur, pasi e kishte zotëruar topin, e portierit Selimaj ndaj sulmuesit Sacer, nuk është toleruar nga kryesori Jorgji. Ky i fundit ka nxjerrë me karton të kuq portierin Selimaj, por edhe ka treguar me dorë pikën e 11-metërshit, prej nga ka shënuar Nderim Nexhipi, duke shënuar përballë portierit të ri Vjerdha. Një gol trepikësh i tij, që vlen edhe vendin e dytë pas javës së 24-t, duke parakaluar Lacin. Në Kavajë, Kastrioti e humbi fitoren në minutat shtesë, kur Bledar Mancaku barazoi shifrat ën 1-1 në minutën e 91-të. Në minutën e 45-të, Jetmir Sefa ka tronditur shtyllën e portës së Bejtes, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë ka konkretizuar këmbënguljen e gjatë të të tijve në këtë transfertë. Ai ka kthyer në gol penalltinë e akorduar nga kryesori Jubica. Të dyja skuadrat e mbyllën me nga dhjetë lojtarë, pasi Fejzullahu i Besës dhe Hoxha i Kastrioti u ndëshkuan me të kuqe. Flamurtari barazoi pa gola me Teutën, duke dështuar në fushën e tij. Në “Qemal Stafa”, Sokol Cikalleshi me dy golat e tij i dha fitoren 2-1 Kukësit ndaj Tiranës, e cila kishte barazuar përkohësisht me Takun. Në ndeshjet e së shtunës, Skënderbeu fitoi 4-2 në Lushnjë, ndërkohë që Bylisi dhe Laçi u ndanë në barazim pa gola. Kampionatin e kryeson Skënderbeu me 51 pikë, 12 më shumë se Partizani i vendit të dytë, 39. Në javën e ardhshme spikat derbi Partizani-Tirana.

Shkëlzen Gashi tregolësh, Mavraj e Kaçe me të kuqe

  Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, është ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e kësaj fundjave mes Furth dhe Union Berlin, e mbyllur në barazim 1-1. Miqtë do të kalonin të parët në avantazh në minutën e 43-tq me Brandy, ndërsa për vendasit do të barazonte Ilir Azemi në minutën e 56-të. Mërgim Mavraj do të merrte kartonin e dytë të verdhë dhe do të linte skuadrën për sekondat e fundit me një lojtar më pak. Nga ana tjetër mesfushori Shkëlzen Gashi ka pasur një javë fantastike në Zvicër, duke shënuar plot 3 herë për skuadrën e tij në fitoren 4-2 të Grasshopper ndaj Sion në luftën për vendin e dytë.

Në sfidën tjetër, Lucerni i Jahmir Hykës mposhti 1-0 Zyrihun e Armando Sadikut me gol të Rangelovit. Dy shqiptarët do ta nisnin nga stoli dhe i pari do të futej në fushë në minutën e 81 dhe i dytë në të 85. Ergys Kaçe ka mori karton të kuq në ndeshjen Aris-PAOK në kampionatin grek.