Sporti shqiptar vuan nga problemet, Ministria e Bumçit vazhdon ta bëjë gjumin e qetë

1334
Sigal

Komuniteti sportiv është i zhgënjyer nga perfomanca e drejtuesve të sportit më MTKRS. Buxhete të varfra, keqmenaxhim i  investimeve të njerëzve pa vizion

 Komisioni i Sporteve pranë Partisë Socialiste kritikoi ashpër mënyrën sesi është drejtuar sporti shqiptar deri tani nga ana e drejtuesve aktuale të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duke propozuar një reformim total të sistemit aktual. Thuajse të gjithë ekspertët janë të bindur në një fakt se, performanca e të cilëve nuk është në lartësinë që ka shpresuar komuniteti sportiv, madje janë të shumtë ata që janë zhgënjyer dhe presin ndryshimin e ekipit drejtues të sportit. Deputeti Fidel Ylli, me një kontribut thelbësor në sport, ish-shefi i Misionit të Delegacionit Olimpik Shqiptar në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, por një nga njohësit më të mirë të problematikës që po përjeton sporti në, bëri të ditur draft-programin e Partisë Socialiste. Ai është hartuar së bashku edhe më një grup profesorësh të nderuar të sportit me eksperiencë të pasur në fushat përkatëse; si Leonidha Toska, Rauf Dimraj, Petraq Sima, Roland Çerepi, Lluka Heqimi, drejtues e administratorë sportivë, juristë të profilizuar në çështjet sportive, juristë të profilizuar në çështjet sportive, inxhinierë e urbanistë me njohje të gjerë në fushën e infrastrukturës sportive, trajnerë e ish-sportistë me arritje të niveleve ndërkombëtare, kanë ndërtuar edhe draft-programin e prezantuar para pak ditësh. Për herë të parë një parti politike e ngre sportin në nivelin e politikave kombëtare duke e bërë atë pjesë të programit të saj politik gjë që tregon vëmendjen që do të ketë ndaj sportit duke e konsideruar si një nga hallkat që ndikon direkt në cilësinë e jetës së qytetarit. Draft-programi ka për synim ringjalljen e sportin, ndryshimin rrënjësor në të gjitha strukturat e tij: sporti të për gjithë, sporti në shkolla, sporti cilësor, sporti paraolimpik, infrastruktura sportive, legjislacioni sportiv dhe çdo gjë tjetër që lidhet direkt ose indirekt me sportin. “Synojmë të rikthejmë interesin publik për sportet e traditës në ato zona të harruara tashmë nga qeverisja qendrore dhe vendore. Mungesa e terreneve sportive është një nga problemet që shqetëson sot sportin shqiptar. Shumë pak objekte sportive i kanë shpëtuar shkatërrimit, dhe ato pak që kanë mbetur janë në gjendje të mjerueshme. Ky program nuk mund të realizohet vetëm nga institucionet sportive, burimet njerëzore që ka sporti, shoqatat dhe federatat sportive. Duke qenë se është një program që ka gjithpërfshirje, si në aspektin sportiv ashtu dhe në atë social-ekonomik, nevojitet mbështetje dhe frymë bashkëpunimi me organizmat sportive dhe jo sportive, shtetërore dhe joshtetërore që do të ndikojnë direkt apo indirekt në ringjalljen e sportit shqiptar, – thuhet në draft-program.

  PËRMIRËSIMIN E PAKETËS LIGJORE

 Draft-programi i Partisë Socialistë ka për synim përmirësimin e paketës ligjore që garanton zhvillimin e sportit shqiptar, për t’u dhënë zgjidhje disa prej probleme me madhore me të cilat përballet sporti dhe të lëna në heshtje nga drejtuesit aktualë. “Përballë sfidave tona integruese edhe në sport dhe të vetëdijshëm se rruga e realizimit të të gjitha synimeve dhe objektivave të këtij programi kalon nëpërmjet ligjit i kemi konsideruar të rëndësishme ndërhyrjet në legjislacionin sportiv por edhe në atë të përgjithshëm ku të zënë vend edhe sportet. Përmirësimin e infrastrukturës sportive, duke e konsideruar atë si shtyllën kryesore të progresit të sportit shqiptar ku ndërtimi i një Qendre Olimpike është sfida jonë e madhe. Zhvillimin e shoqatave sportive dhe privatizimin e klubeve sportive duke u mbështetur në plotësimin e kuadrit të nevojshëm ligjor.”, – thuhet në draft-program. Harta e sporteve të traditës sipas zonave është hapi i parë i përfshirjes në Programin Kombëtar të Sportit të gjithë bashkive dhe komunave të Shqipërisë. Kjo do të ndihmojë në rritjen e interesit publik dhe trashëgimin brez pas brezi të sporteve të traditës në atë zonë, por do të shërbejnë pikësëpari si burim për ekipet profesionistë dhe për rrjedhojë në ngritjen e nivelit të sportit cilësor. Gjithëpërfshirja dhe zgjerimi i hartës sportive sipas pozicionit gjeografik dhe sporteve që zhvillohen në atë zonë, do të rigjenerojë sportet e traditës të cilat po shkojnë drejt asimilimit për shkak se nuk kanë marrë vëmendjen e duhur.

 RRITJA E FONDEVE PËR SPORTIN

 Deputeti i PS-së, Fidel Ylli, gjatë një interviste për “Sport Ekspres” (9 nëntor 2012), në lidhje me buxhetin e sportit tha: “MTKRS, ka 4 vjet që buxhetet e sportit i ka në ulje në masën 20-30%. Për sportin, në vitin e fundit janë akorduar 234 milionë lekë të reja, që janë përafërsisht 2 milionë dollarë, për të gjitha federatat, në formën e GRANT-it, ku përfshihen rroga sekretarësh, siguracione për administratën, qera të ndryshme, ujë, drita, aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Çfarë mund të bëjë një federatë me një GRANT që ndahet nga shteti në 25 Federata? Asgjë. Ne bëjmë sikur bëjmë sport elitar dhe qeveria bën sikur na paguan. Në vitin që jemi, Federata Greke e Peshëngritjes e ka buxhetin e saj 2 milionë euro, me krizën që ka pllakosur atë vend. E imagjinoni sa mund ta ketë pasur më parë? Si mund të kërkojmë ne kampionë Europe apo Bote, apo Medalje Olimpike, kur nuk kemi buxhete, nuk ka trajtime, kualifikime, pa mjekësi sportive, kushte stërvitore, pa vëmendjen e MTKRS? Imagjinoni, kjo qeveri akordon 34 milionë lekë të vjetra për Olimpiadën e Londrës për sportistët që do të përfaqësonin Shqipërinë në këtë aktivitet botëror dhe këto para lëvrohen në 20 gusht, kur i gjithë aktiviteti kishte përfunduar në 8 gusht. E kuptoni këtë paradoks se në çfarë situate dramatike ndodhet sporti sot?”. Duke u nisur nga këto të dhëna, në draft-programin e Partisë Socialiste thuhet qartësisht midis të tjerash: “Synojmë të rikthejmë interesin publik për sportet e traditës në ato zona të harruara tashmë nga qeverisja qendrore dhe vendore, duke i bërë pjesë të Programit Kombëtar të Sportit ku do të synohet: rritja e fondeve për sportin; nxitja dhe sigurimi i kushteve për kryerjen dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive në nivel lokal; ndërtimin, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e objekteve sportive publike dhe lokale; ristrukturimin, masivizimin dhe konsolidimin e sistemit sportiv në dobi të shëndetit të shoqërisë sonë që nga fëmijët e kopshteve, të rinjtë, studentët, të rritur, të moshuar e deri tek personat me aftësi të kufizuar; statusin e Sportistit Elitar me shpërblime të veçanta, sipas arritjeve sportive në mënyrë që ata të mos ndjehen të braktisur në vendin e tyre dhe të mos e braktisin atë për një trajtim më të mirë

 Politika tatimore

 Nxitja e politikave tatimore, të cilat do të ndihmojnë në stimulimin e sportit. Një legjislacion, që mbi të gjitha, do të shërbejë për realizimin e Programit Kombëtar të Sportit, nisma për përmirësimin e legjislacionit sportiv.

 Sport për të gjithë

 Vëmendja do të përqendrohet sidomos në trajtimin e sportit shqiptar në nivel lokal rajonal kombëtar duke shmangur monopolizimin e zhvillimeve të aktiviteteve sportive vetëm në zonat urbane të vendit.

 Parandalimi i dhunës

 Do të marrim nismë ligjore për përmirësimin e Kodit të Procedurës Penale ku do të propozojmë që të parashikohen dënime penale për ata individë që kryejnë akte dhune në mjediset sportive. Ngritja e sistemeve të sigurie, në mjediset ku zhvillohen aktivitete sportive

 Programi Antidoping

 Hartimi dhe zbatimi i një Programi Kombëtar Antidoping është një detyrë parësore, kjo në kuadër të detyrimeve që rrjedhin nga Karta Europiane e Sportit për të Gjithë, Konventat ndërkombëtare, Kodi Botëror i Anti-Dopingut dhe në zbatim të rekomandimeve të Agjencisë Botërore të Anti-Dopingun.

Jo tjetërsim të terreneve sportive

 Infrastruktura e mirë është një faktor kryesor në përgatitjen e sportistëve cilësorë. Tirana është motori i lëvizjes sportive. Kryeqyteti kishte para viteve 1990, më shumë se tre komplekse sportive të mirëorganizuara, ato të Dinamos, Partizanit dhe Tiranës, ndërkohë që në qytet ekzistonin gati 25 fusha futbolli dhe terrene sportive, poligone qitjeje, të standardeve normale, pra ishin fusha me përmasa optimale, ndërkohë që sot mund të themi se te kompleksi i famshëm “Partizani”, që përfshinte përveç godinës ku kishte salla të forcës dhe për stërvitje individuale, disa fusha basketbolli, volejbolli, u shkatërrua tërësisht dhe sot në vend të kompleksit të dikurshëm po ngrihen ndërtime luksoze. Edhe kompleksi “Dinamo”, i ndërtuar në vitet 1980, e që dikur ishte krenaria e infrastrukturës sportive shqiptare, madje në të kishte dhe fushë tenisi, sot është thuajse i degraduar, pasi në të nuk ka më investime serioze, përveç fushës me bar sintetik. Mungesa e infrastrukturës është përkthyer në mungesën e ekipeve. Kur flasim për mungesën e saj në kryeqytet, në rrethe ajo është për të “vënë duart në kokë”. “Mungesa e terreneve sportive është një nga problemet që shqetëson sot sportin shqiptar. Shumë pak objekte sportive i kanë shpëtuar shkatërrimit, dhe ato pak që kanë mbetur janë në gjendje të mjerueshme dhe në pjesën më të madhe nuk kanë as kushtet minimale për zhvillimin normal të aktiviteteve sportive, kjo dhe për shkak se nuk i është kushtuar vëmendje ruajtjes dhe mirëmbajtjes së tyre. Gjendja aktuale e terreneve sportive sot është në ditën më të zezë pikërisht për shkak të keqmenaxhimit dhe investimeve pa vizion që janë bërë nga qeveritë e kaluara. Mijëra metra katrorë që dikur kanë qenë palestra, fusha futbolli, pallate sporti etj janë zhdukur nga “harta” sportive. Përmirësimi i infrastrukturës sportive: planifikimi, ndërtimi, mirëmbajtja dhe menaxhimi i terreneve publike dhe private. Ruajtja dhe mirëmbajtja e atyre pak terreneve që i kanë mbetur sportit do të jetë një nga pikat e rëndësishme të programit tonë, duke afruar njerëz të kualifikuar dhe profesionistë në menaxhimin e tyre. Mostjetërsimi i terreneve sportive. Nuk do te lejojmë në asnjë rrethane tjetërsimin e atyre pak terreneve sportive ekzistuese por do të luftojmë që ti mbrojmë ato përmes ligjit. Kjo është një nga pikat më të rëndësishme që do të shkojë në vijë të drejtë me ndërtimin e terreneve të reja. Përmirësimi i infrastrukturës, me një vizion të qartë se ku dhe si do të investohet bazuar në hartën e sporteve të traditës sipas zonave. Do të krijojmë rrjetin e objekteve sportive publike përfshirë ato ekzistuese dhe krijimin e standardeve për planifikimin dhe ndërtimin e objekteve të reja në ato zona ku sporti merr zhvillim. Mjediset sportive të shkollave edhe në rastin më fatlum, janë shumë të amortizuara në qendrat kryesore urbane. Në zonat rurale ato janë praktikisht inekzistente thuajse në të tërë territorin shtetëror. Në zonat rurale, mësuesve u mungon minimumi bazik infrastrukturor, për të zhvilluar mësimin e edukimit fizik”, – thuhet në draft-programin e PS-së. Projekti më i guximshëm është ngritja e një Qendre Kombëtare Olimpike në qytetin e Korçës, e cila do të ketë status të veçantë dhe model menaxhimi të implementuar nga Gjermania, Itali dhe Greqia.

Talenteve u ka munguar vëmendja e shtetit

 Sporti, imazhi i një vendi

 Sporti është imazhi i një vendi. Janë të shumtë talentet shqiptarë anembanë botës që premtojnë në shumë disiplina sportive. Janë identifikuar jo pak të rinj shqiptarë: futbollistë, basketbollistë, notarë, atletë etj, të moshave të ndryshme, të cilët militojnë në nivele të ndryshme të sportit Europian  dhe Botëror. Për shkak të emigracionit që përfshiu vendin pas viteve ’90 ekziston një kontingjent shumë i madh talentesh, që u ka munguar vëmendja e shtetit shqiptar për tu bërë pjesë te ekipeve kombëtare. Edhe futbolli që ka një përvojë në këtë fushë sërish ka probleme në afrimin e talenteve shqiptare që militojnë në klube të huaja. “Ne do të kemi një vëmendje shumë të madhe ndaj tyre duke e zgjeruar fushën e kërkimit të talenteve edhe në sporte të tjera. Shqipëria ka nevojë për këto talente, jo vetëm për të rritur cilësinë sportive por dhe për faktin se përmes tyre rritet imazhi i vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, – thuhet në draft-programin e PS-së. Edukimi fizik dhe sporti në shoqëritë demokratike, ka mision jetësor  hedhjen  e bazave të sigurta e të shëndetshme fizike e shpirtërore për çdo individ, sipas motos “mundësi të barabarta për të gjithë”. Ky mision jetik i sportit, zbehet mjaft në praktikën e përditshme shkollore. Përvoja europiane universitare tregon dy forma të organizimit të sportit universitar: Sporti Olimpik që i mundëson studentët të ushtrojnë aktivitet të lirë fizik, në mjediset e shumta sportive universitare gjate tre viteve të studimit bachelor, kundrejt rregullave që administrojnë këto mjedise sportive dhe Sporti Universitar që përfaqëson universitetin në universiada dhe konkurrime të tjera në nivel universitar. Por në Shqipëri gjendja është “tragjike”. “Sporti edukativ në programin tonë do të jetë sporti i fëmijëve, të rinjve dhe studentëve të cilët e praktikojnë sportin si një aktivitet të detyrueshëm të kurrikulave në mënyrë që të jemi në koherencë me rekomandimet e BE-së”, – thuhet në draft-program.

 Klubet sportive

 Klubet kanë si qëllim të rrisin cilësinë sportive dhe të arrijnë suksese në arenën kombëtare e ndërkombëtare, të sigurojnë stabilitetin e tyre financiar e të organizohen dhe të fuqizojnë statusin privat, imazhin dhe identitetin e qytetit  të tyre e atë shqiptar. Përgjithësisht klubet sportive në vendin tonë janë në vartësi të Pushtetit Vendor. Klubet financohen nga bashkitë e komunat me një buxhet shumë të pamjaftueshëm dhe atyre iu është dhënë e drejta e administrimit të terreneve dhe e ambienteve sportive, të cilat janë shumë të vlefshme. Sponsorizimi në klube është i ligjëruar, por ai është shumë pak i zhvilluar pasi sponsorët përkrahen me përfitime në nivele të papërfillshme. Në klubet shqiptare pothuajse mungon institucionalizimi i hallkave të nevojshme. Mungon statuti i klubit i miratuar në gjykatë. Nëpër klube, përgjithësisht mungojnë ekipet zinxhir të organizuara mbi baza shkencore. Nëpër klube, përgjithësisht mungojnë shoqatat respektive sportive. Nuk bëhet kartelizimi i rregullt mjekësor dhe nuk ka të dhëna të marrëdhënies sport-shëndet.  Infrastruktura sportive paraqitet me mangësi në drejtim të kushteve të nevojshme për stërvitje si fusha, dhoma zhveshje, dushe etj. Mungojnë projektet e planifikimit dhe shfrytëzimit të fondeve ekzistuese dhe ato sponsorizuese. Strategjia e Marketingut nuk ekziston e, si rrjedhojë nuk njihet zhvillimi i imazhit e i shërbimeve që ofrohen nga klubi, pasi nuk kuptohet rëndësia dhe efekti i tyre për mbarëvajtjen ekonomike të vetë klubit. “Ligjërimi i statusit të Klubit shumësportësh si në formë ashtu edhe në përmbajtje pasi asnjë klub nuk ngjan me tjetrin. Si p.sh klube shumësportëshe si Dinamo, Partizani, Studenti të cilat varen dhe organizohen nga shteti, krejt ndryshe nga klubet e tjera shumësportëshe që varen nga pushteti vendor. Kemi një asimetri që organizohet dhe mbrohet nga shteti duke krijuar pabarazi në kompeticionet sportive.

 Privatizimi i klubeve

 Të konkurrosh botën në sport, natyrisht ka një rëndësi të madhe ana morale e sportistit, por domosdoshmërish nevojitet dhe mbështetja financiare, e cila duhet të përballojë në mënyrë të përshtatshme edhe kërkesat e sportit cilësor dhe profesionist. Prandaj do të synojmë një plan më të gjerë kombëtar. “Do ti hapim rrugën  privatizimit të klubeve sportive ashtu si, gjithë ekonomia kombëtare e vendit. Klubet sportive kanë mbetur të vetmet ndërmarrje shtetërore, që funksionojnë thuajse njësoj si në kohën e diktaturës, sidomos ato shumësportëshe. Duhet një reformim i plotë i këtyre strukturave, duke synuar që ti kthejmë ato në Sh.A., por pa cenuar  mbështetjen e pushtetit lokal për sportin.  Sporti shqiptar është i vetmi sektor i shoqërisë sonë që ka mbetur ende në dilemën e privatizimit, që nuk po gjen dot rrugën e reformës institucionale në nivel lokal. “Në zbatim të rekomandimeve dhe të Federatave Europiane dhe Botërore ne do të synojmë që Klubet në përgjithësi të kthehen në shoqëri tregtare ose në shoqata sportive në mënyrë që të kenë mundësi të kenë autonomi të plotë menaxhuese”.

 Federatat sportive

 Draft-programi synon një konfigurim organizativ të Federatave Kombëtare Sportive, ndryshimin e menaxhimit të tyre në mënyrë që të kuptohet më mirë kjo strukturë organizative dhe roli i aktorëve nëpërmjet funksionimit, pushtetit, misionit dhe strategjive të tyre. Për t’ia arritur kësaj do t’u japim autonomi të plotë dhe vetëmanxhim Federatave Sportive sipas rekomandimeve të organizmave ndërkombëtare të sportit të ratifikuara nga Parlamenti por duke vënë kritere mbi cilësinë dhe rezultatet.

 Sporti elitar

 Aseti më i madh i sportit shqiptar janë sportistët elitar të cilët qenë të parët që e çuan Shqipërinë në Europë. Prandaj një vëmendje e veçantë në këtë Program është për sportistët elitar që ata të mos ndjehen të nëpërkëmbur dhe të mos braktisin vendin e tyre për kushte më të mira dhe mbështetje më të madhe financiare. “Ne do t’u japim atë që ata meritojnë më shumë Statusit e Sportistit Elitar  bazuar në kriteret e arritjes së rezultateve të larta është një nga pikat me rëndësi të veçantë në këtë program”.

 Buxheti i sportit

 Përveç buxhetit të shtetit që do të ketë rritje, në programin e PS-së flitet edhe për stimulimin e politikës së taksave në favor të sportit; përmirësimin e ligjit të Lojërave të Fatit, kazinotë dhe hipodromet me qëllim rritjen e kontributit të llotarive sportive në favor të sporti dhe nxitjen e politikave tatimore për duhanin dhe alkoolin për të shtuar burimet financiare për sportin.

 SPORTI DHE INSTITUCIONET

 1.   Ligji i sportit

a)   Rishikimi dhe hartimi i një ligji funksional

 2.   Buxheti i sportit

a)   Sigurimin e burimeve dytësore për sportin

b)   Sporti dhe privatët

 3.   Bashkëpunimi me institucionet Qendrore dhe Vendore

a)   Më shumë mbështetje nga institucionet, që ta shohin me prioritet interesin e përbashkët në rritjen dhe zhvillimin e sportit shqiptar

 4.   Bashkëpunimi me Institucionet Shtetërore dhe Organizatat Sportive të Kosovës për organizimin e kampionateve të përbashkëta në sportet e traditës

a)   Kampionate te përbashkëta në disa sporte

b)   Kosova në familjen olimpike

 Ligji i Sportit, si “Maliqi”

 Ligji i sportit i ndërruar disa herë në këto 8 vitet e fundit ka treguar se ai nuk është funksional dhe bie në kundërshtim me nevojat që ka sporti shqiptar. Prandaj ai kërkon një rishikim në tërësi në mënyrë që, përmes tij të mund të realizohet reformimi i strukturave në nivel Kombëtar për Sportin. Në draft-programin e PS-së është shprehur qartësisht se do të bëhet rishikimi dhe hartimi i një ligji funksional. “Ne do të synojmë: në ngritjen e Këshillit të Lartë të Ekspertëve në Sport dhe ngritjen e komisioneve sipas nevojave të Sportit; në përcaktimin e Statusit të Sportistit të Nivelit të Lartë; në përcaktimin qartë për çështjet e pronësisë  së objekteve sportive, etj.”.

 Sporti dhe privatët

 Aktivitete sportive nuk duhet të shihen thjesht si burim argëtimi për sportdashësit por edhe si burim të ardhurash. Përcaktimi i qartë i statusit të klubeve sportive, shitja e të drejtës televizive, shfrytëzimi i mjediseve ku zhvillohet aktiviteti për reklama por dhe të drejta të tjera që rrjedhin prej tyre do të zgjonin pa dyshim interesin e biznesit për sportin. Edhe shumësportëshi, ashtu si futbolli, mund të shihet si burim që sjell fitime për biznesin, nëse do të arrijmë të krijojmë një sistem funksional me rregulla loje të sanksionuara me ligj për zhvillimin e sportit siç synon Partia Socialiste me këtë program.

 Kampionate të përbashkëta me Kosovën

Përveç kampionateve të përbashkëta bashkëpunim ndërqeveritar që njohja e shtetit të Kosovës të bëhet përmes familjes olimpike. Ideja për njohjen e Kosovës shtet përmes sportit ka nisur përmes KOKSH-it që në vitin 2007-të, por dhe nga bashkëpunimi institucional mes federatave sportive që kanë zhvilluar aktivitete mbarëkombëtare dhe nismën një shtet një komb.  Në do të punojmë që ta forcojmë punën tonë në këtë drejtim.

“Do të punojmë për të organizuar një ligë të përbashkët mbarëkombëtare në sporte të ndryshme si në basketboll, volejboll, mundje, boks, sportet luftarake, futboll etj. Me anë të sportit do të synojmë bashkimin e kombit. Një nismë e tillë ka vite që ka nisur në sportin shqiptar që me organizimin e aktiviteteve mbarëkombëtare në mundje, xhudo dhe basketboll.   Do të synojmë që përmes sportit të afrojmë pranë familjes olimpike edhe shtetin e ri të Kosovës pasi sporti është gjithmonë një hap para politikës”.