Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” specialisti i futbollit, ja si e skanon javën e parë dhe si i parashikon sfidat e javës së dytë

Prof. Dr. MEHMET SPAHIU

Dhuna është ndërtuar në sistem, në Korçë tregoi mllefin që tifozët kanë me futbollistët e tyre

 

Nga Agron KAJA

 

Cili ishte për ju imazhi në aspektin teknik, që la java e parë e Kategorisë Superiore 2018-2019?

Unë mendoj se të gjitha opinionet mediatike nuk kanë qenë në sinkron me çka prodhoi kjo javë e parë e Superiores. Në fakt, duke e krahasuar edhe me sezonin e kaluar, duket se nuk ka ndryshuar asgjë, as nga mentaliteti, cilësia e organizimi. Ndryshimi është se u çel me dhunë.

Nisur nga rezultatet që u arritën në javën e parë, cili prej tyre doli jashtë pritshmërive?

Dy ishin rezultatet e pamenduara në këtë javë të parë: fitorja e Kamzës 1-0 me Tiranën, dhe fitorja e Kastriotit 1-0 me Luftëtarin. Më shumë se kaq, këto ishin fitore në transfertë, ndërkohë që në rezultatet e tjera, nuk mund të themi se kishte surpriza, apo të pa merituara.

Çfarë tregon fakti, që Kategoria Superiore 2018-2019 nisi me dhunë në ndeshjen Skënderbeu-Partizani 1-0?

Do të thosha se, dhuna nuk përputhet me rezultatet që u arritën në javën e parë të Superiores. Por, dhuna në Korçë tregoi mllefin që tifozët kanë me futbollistët e skuadrave të tyre. Ndoshta kjo prej tyre është menduar si e vetmja mënyrë proteste, që realisht është më e gabuara.

Cilët mendoni ju se mbeten shkaktarët e kësaj dhune në stadiumin “Skënderbeu”?

Unë them se, dhuna në futbollin shqiptar është ndërtuar në sistem prej vitesh. Me këtë start kaq drithërues, mendoj se elementët e dhunës do të jenë prezentë edhe në vazhdimësinë e këtij sezoni, në Kampionat e Kupë. Nuk do të dëshiroja aspak që të kemi dhunë edhe në javën e dytë.

Mund të themi se “binomi” Klub Futbolli-Polici, ligjërisht janë përgjegjës për këtë dhunë?

Policia e Shtetit nuk duhet të qëndronte jashtë stadiumit. Sepse niveli i rendit në Shqipëri, dhe situata aktuale nuk përputhen me atë që shkruhet në Ligjin për Sportin. Sot kemi persona që kërcënojnë e sulmojnë Policinë e Shtetit, mendo këtu Policinë Private se çfarë mund të bëjë.

Sot në “Selman Stërmasi” nis java e dytë me sfidën Tirana-Teuta, ju si e parashikoni?

Mendoj se Tirana duhet të motivohet më shumë nga ndeshja e parë me Kamzën. Është ndeshja e dytë në fushën e saj dhe nuk duhet t’i largohet grintës që tradicionalisht e ka karakterizuar. Teuta është skuadër e mirëpërgatitur, e besoj se do të shohim një ndeshje të mirë nga të dyja skuadrat.

Po në këndvështrimin teknik, si e mendoni sfidën e sotme në Tiranë?

Teknikisht unë mendoj se do të jetë një nga ndeshjet më të mira të javës së dytë. Të dyja janë skuadra korrekte në fushë që bëjnë lojë të pastër e të bukur. Tek kjo ndeshje pritet një nivel i lartë në lojë, por asnjëherë nuk heqim dorë edhe nga surprizat që sjell futbolli.

Në katër takimet e tjera të javës së dytë, mendoni se do të kemi situata surprizë si në javën e parë, apo rezultatet do të jenë në logjikën e tyre?

Kamza-Partizani dhe Kastrioti-Skënderbeu, mendoj se do të jenë dy sfida, ku veç rezultatit sportiv do të testohet edhe elementi dhunë. Ndërsa në ndeshjen Laçi-Luftëtari, laçianët mendohen në pranë tri pikëve, dhe ndeshja e fundit e javës në Vlorë, i ka të tria rezultatet.