KATEGORIA E PARË/ Një ndeshje për kreun dhe një për mbijetesën, Dorian Bubeqi jo vetëm nostalgjik
Agron KAJA
Kategoria e Parë do të luajë këtë fundjavë ndeshjet e javës së 14-të, ndërkohë që kalendari sjell sfida të vështira, si për kreun, ashtu edhe në fundin e renditjes. Nisur nga renditja në 13 javë, specialist i futbollit Dorian Bubeqi e shikon me dritë-hije paraqitjen e skuadrave. Për gazetën “Telegraf”, ai u shpreh dje se deri në këtë javë të 13-të nuk kemi patur surpriza në renditjen e skuadrave. “Duke parë vetëm renditjen në 13 javë, qartazi duket se ekipet janë aty-aty në kreun e renditjes, ku tre skuadrat e para: Flamurtari, Besa dhe Vora janë duke ecur mirë, madje ka edhe disa skuadra të tjera, si Kastrioti, që mund t’i bashkohet “Tre moskëtierëve” të kreut. Ndoshta mund të kishim edhe ndonjë skuadër tjetër në luftën për kreun, por oshilacionet kanë mbajtur larg disa prej tyre”, kështu e nisi bisedën specialisti i futbollit Dorian Bubeqi, i cili tregoi se nuk ka surprizë në këto 13 javë të luajtura. “Duke e lexuar realisht renditjen, nuk mund të veçoj ndonjë skuadër surprizë. Por do të thoja se disa prej tyre janë larg pritshmërive, dhe këto shikoj Apoloninë, Lushnjën e Korabin. Kanë lënë pikë në transferta, por edhe në fushat e tyre, dhe ky është një tregues që te këto skuadra nuk pritej i tillë. Ndërkohë që, duke ju referuar synimeve që kanë deklaruar në fillimin e kampionatit, le të themi se të gjitha skuadrat e tjera thuajse janë jashtë pritshmërive”. Për Bubeqin, kreu i renditjes duket më i ngjeshur dhe në javën e 14-të nuk mendon se do ketë lëvizje të dukshme. “Nuk mendoj se ndeshjet e javës së 14-të do vendosin shumë për renditjen e të gjitha skuadrave. Do veçoj dy nga sfidat e kësaj jave: Vora-Flamurtari si kryendeshje, dhe Lushnja-Kastrioti si një ndeshje të vështirë për të dyja skuadrat. Por edhe ndeshjet e tjera e kanë rëndësinë brenda tyre, sepse është një kalendar që vendos përballë skuadra që kanë renditje të përafërta. Pastaj, kemi edhe “Derbin” e prefekturës, Burreli-Korabi, ku tradicionalisht është dhuruar edhe lojë e mirë, por ka patur edhe problematika mes tyre, dukuri të zakonshme në rivalitetin mes tyre”, vazhdoi më tej Bubeqi, për të cilin ky kampionat është duke u luajtur me garë të fortë dhe me rivalitet. “Në tërësi është luajtur një kampionat i fortë, ku ka pasur rivalitet në të dy kahjet e renditjes. Duke përjashtuar vetëm Erzenin të shkëputur nga të tjerët, skuadrat janë shumë afër me pike dhe unë mendoj se në vazhdimësi, tre ekipet e kreut do ndahen në javët e fundit. Do ketë rivalitet deri në javën e fundit për ngjitje në Superiore, dhe po kështu në mesin e fundin e renditjes”, këto janë mendimet e specialistit të futbollit Dorian Bubeqi, për situatën e Kategorisë së Parë në 13 javë.
LEGJIONARËT
Gol në Champions dhe kampionat, Jasir Asani
Realizoi gol në Championsin Aziatik, edhe “Reuters” e vlerësoi Asanin këtë fundjavë. “Zëvendësuesi Jasir Asani shënoi me prekjen e parë të topit për t’i dhënë Guangju fitoren 1-0 ndaj Shanghai Shenhua, që i mbajti koreanojugorët në vendin e dytë në Ligën e Kampioneve të Azisë”, kështu shkruante “Reuters”, ndërsa vetë Asani ka përshëndetur me dedikim të veçantë për ditën e Pavarsisë së Shqipërisë. “Jam djali yt Shqipëri”, ky ishte postimi që Jasir Asani ka bërë në rrjetet sociale. Sulmuesi i Kombëtares emocionoi më tej me disa vargje të zgjedhura prej tij. “Shqipëri të qofsha falë, të kam nënë e më ke djalë. Gëzuar Pavarësinë nëna Shqipëri”, ka shkruar “mëngjarashi” i Kombëtares sonë. Aktualisht, ai është pjesë e Guangju në Korenë e Jugut, ndërsa te Kombëtarja ka mbetur titullar i padiskutueshëm nën drejtimin e Silvinjos.
Ernest Muçi pa President, Hasan Arat tërhiqet nga Beshiktash
Nëpërmjet një njofitimi zyrtar të bërë dje, Beshiktashi ka njoftuar se presidenti i tyre, Hasan Arat është tërhequr zyrtarisht nga detyra e tij në drejtimin e klubit. Lajmi kishte qarkulluar më parë ku tregohej se klubi turk ka probleme financiare, ndërkohë që vetë Arat ka sqaruar në faqen zyrtare të klubit, se vendimi i tij lidhet vetëm me arsye personale. “Sot, me trishtim të papëshkrueshëm kam vendosur të lë pozicionin e presidentit të Beshiktash, për arsye personale. Më 3 dhjetor të 2023, me besimin dhe mbështetjen tuaj erdha në këtë detyrë të nderuar. Eksperienca në këtë periudhë do të mbajë gjithmonë një vend special në jetën time. Falenderoj sinqerisht bordin e Beshiktash që nuk më kanë lënë vetëm në rrugë, por kanë qëndruar në të njëjtën rrugë me votat dhe besimin e tyre”. Pjesë e Beshiktash janë Ernest Muçi e Milot Rashica, ndërkohë që Muçi u afrua kur Hasan Arat si president.
2 SFIDA
Java e 14-të e Kategorisë së Parë veçon dy sfida si kryendeshje: Vora-Flamurtari dhe Lushnja-Kastrioti
Apolonia sot pa presidentin, Kokëdhima i ndëshkuar
Sot në ditën e fundit të muajit nëntor 2024, Kategoria e Parë luan katër ndeshje të javës së 14-të, ndërsa dy të tjerat në datën 2 dhjetor. Por midis tyre, në sfidën Apolonia-Kukësi veçohet dënimi i Presidentit të Apolonisë, Koço Kokëdhima. Zyrtari i lartë i FK Apolonia, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java 14
Datë 30 nëntor 2024
Apolonia-Kukësi 13:30
Burreli-Korabi 13:30
Erzeni-Valbona 13:30
Lushnja-Kastrioti 13:30
Datë 2 dhjetor 2024
Besa-Pogradeci 13:30
Vora-Flamurtari 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Flamurtari 13 32
2.Vora 13 31
3.Besa 13 31
4.Kastrioti 13 23
5.Burreli 13 20
6.Pogradeci 13 18
7.Apolonia 13 15
8.Lushnja 13 15
9.Kukësi 13 13
10.Korabi 13 11
11.Valbona 13 9
12.Erzeni 13 2