SPECIALE SUPERIORE/ Shpëtim Duro: Partizani është më afër fitores

26

“Me gjëndjen aktuale që Partizani po kalon, mendoj se është më afër fitores. Por mos harrojmë se Tirana ka shumë individualitete cilësore në përbërje.”

Sigal

Si i përshkruani 14 javët e luajtura në Abissnet Superiore 2023-2024?

Duke ju referuar 69 ndeshjeve të luajtura në këto 14 javë të Abissnet Superiore, dukshëm pjesa më e madhe e skuadrat kanë treguar oshilacione. Por do të veçoja Egnatian dhe Partizanin, të cilat kanë stabilitet në lojë dhe në rezultate.

Kryesojnë Egnatia dhe Partizani, këtë fundvit, cilën nga këto skuadra e mendoni në kreun e renditjes?

Nisur nga performanca që kanë treguar Egnatia dhe Partizani në 14 javë, mendoj se të dyja e meritojnë vendin e parë. Por nisur nga menaxhimi i ndeshjeve të mbetura deri në fundin e vitit, do të varet vendi i parë.

Java e 15-të, veç ndeshjeve të tjera veçohet për “derbin” Tirana-Partizani, ju e mendoni me “ngjyrë” të kuqe?

Unë shpirtërisht do të dëshiroja që ta fitojë Partizani, skuadër që unë e kam shumë për zemër. Por gjithmonë në ndeshjet “derbi” mes këtyre skuadrave asnjëherë nuk ka favoritë, pamvarësisht gjëndjes që po kalojnë skuadrat.

Pse këtë “derbin” të 172-të duhet që ta fitojë Partizani?

Me gjëndjen aktuale që Partizani po kalon, mendoj se është më afër fitores. Por mos harrojmë se Tirana ka shumë individualitete cilësore në përbërje, të cilët edhe mund të vendosin në çdo moment.

Ku mendoni se Partizani duhet të përqëndrohet më shumë në këtë sfidë?

Në këto ndeshje është i rëndësishëm interpretimi taktik që vendos. Tek dy pika të forta duhet përqëndruar kjo sfidë: Rrapaj që është truri i Partizanit dhe Hasani i Tiranës që është lojtari më i mirë dhe shënues në këto dy sezone.

Mendoni se do të ndikojë bilanci historik që kanë mes tyre Tirana e Partizani?

Në këto ndeshje “derbi” unë them se nuk ndikon shumë bilanci historik që skuadrat kanë me njera-tjetrën. Të dyja skuadrat kanë elementë që mund ta ndryshojnë lojën, sepse kanë organikë edhe për ekipin Kombëtar.

Cilën nga këto dy skuadra e mendoni në katër vendet e para të “Final 4”, apo të dyja?

Në këtë sezon me skemën e re “Final 4”, të gjitha skuadrat do luftojnë që të jenë në vendet 1, 2, 3 dhe 4 në renditjen përfundimtare të katër fazave. Ndërkohë që unë shikoj më të sigurta Egnatian, Partizanin dhe Tiranën.

Shpëtim Duro në karrierën e tij me Partizanin, ka luajtur shumë përballje me Tiranën. Në të gjitha këto sfida ka qënë titullar, por nuk i ka shënuar gol.

NDESHJA E FUNDIT

Ndërkohë, më 19 tetor 2023 është luajtur takimi më i fundit, i 171-të mes këtyre dy skuadrave, të cilin Partizani e fitoi me rezultatin e ngushtë 2-1.

Fitorja 8-0

Në bilancin e 171 ndeshjeve që kanë luajtur mes tyre Tirana dhe Partizani, 8-0 është rezultati më i thellë që Partizani e ka mundur Tiranën, pikërisht në ndeshjen e dytë mes tyre, në muajin mars të vitit 1947. Ky rezultat me këto shifra, nuk është përsëritur më në këtë “Derbi” historik në 76 vite përballje mes tyre.

Golashënues

  TIRANA

Në 14 javët e kampionatit, sulmuesi bardheblu Florent Hasani është golashënuesi më i mirë për Tiranën, me 8 gola të shënuar. Pas tij vjen Kaina me 4 gola, Ardit Hila me 2 gola, si dhe 9 lojtarë të tjerë që kanë shënuar vetëm nga 1 gol.

  PARTIZANI

Te skuadra e Partizanit, Archange Bintsouka është golashënuesi më i mirë me 6 gola të shënuar në 14 javë. Pas tij vijnë Maguette Gueye me 3 gola, Tedi Cara, Alfred Mensah e Arinaldo Rrapaj me 2 gola, dhe 5 lojtarë të tjerë me nga 1 gol.

Partizani kampion

Skuadra e Partizanit koleksionon në historinë e tij 17 tituj kampionë. Të parin në vitin 1947, dhe të fundit në sezonin 2022-2023.

Trajneri

Skuadra e Partizanit vjen në këtë “derbi” me Tiranën duke patur në bankinë Arbër Abilaliaj, i cili e drejton skuadrën e kuqe që nga java e 7-të, pasi u largua

Zoran Zekiç