SPECIALE/ Luhet sfida e 175-të Dinamo-Partizani, flasin ish-futbollistët Andrea Marko dhe Perlat Musta. “Derbi” i kryeqytetit që luhet në Elbasan, a është “endacak”?

51
Sigal

DINAMO – PARTIZANI

HISTORI                              

NOA

Ndeshja e parë

Viti 1950

Partizani-Dinamo        2-2

Ndeshja e fundit

12 shtator 2024

Partizani-Dinamo        2-2

E shtunë, 9 nëntor 2024, ora 17:00 në stadiumin “Elbasan Arena”

BILANC

Janë luajtur                  174

Fitore Dinamo             48

Barazime                     54

Fitore Partizani            72

Golat                  188:236

Ndeshja e rradhës       175

 

Andrea Marko

Kjo sfidë hyn në ndeshjet e një “Derbi” klasik

Si ish-futbollist i Dinamos, në sa ndeshje “Derbi” me Partizanin keni luajtur në karrierën tuaj?

Natyrisht që do thoja kam pafund ndeshje “Derbi” kundër Partizanit. Por unë  edhe pse nuk jam për statistika, nëse i hyj llogaritjeve në 12 vite karrierë, bëhen mbi 35 ndeshje “Derbi” ndaj Partizanit. Gjithsesi,

Në këto ndeshje, veçoni një në kujtesën tuaj si më të bukur, apo më të fortë?

Gjënë më të bukur që kujtoj unë në sfidat kundër Partizanit të lavdishëm, kishim një përbërje që ishin baza e ekipeve tona kombëtare. Dinamo-Partizani mbetet në ndeshjet e një “Derbi” klasik, me stadiumin që mbushej plot e biletat gjëndeshin me vështirësi.

Pasi jeni larguar si futbollist, e keni ndjekur “Derbin” me Partizanin?

Kur u largova si futbollist e kam parë për kënaqësi, për të ngacmuar kujtesën. E kujtoj me emocione të veçanta, këndshëm. “Derbi” është fjalë e madhe. Në plejadën time emra të mëdhenj kanë shkruajtur historinë në futbollin shqiptar.

Do të luhet “Derbi” 175 i kryeqytetit, Partizani historikisht vjen më superior në shifra, e shikoni Dinamon favorite?

Në shifra po, Partizani është superior, por ai është pjesa e fatit dhe zgjidhjet e momentit nga lojtarë të caktuar. Asnjë skuadër nuk do ta humbasë, sepse këtu bëhet diferenca e kapërcimi në renditje. Në një derbi nuk ka asnjëherë superior.

Dinamo-Partizani, do luhet jashtë kryeqytetit, sa vlera humbet në tifozeri dhe në financat e skuadrave?

Kjo është bërë e zakonshme tashmë në Superiore, për faktin se Dinamo e Tirana janë pa stadiume. Rëndësi ka që luhet në Shqipëri, sepse ndeshje të tilla sot ndiqen me shumë interes nga nostalgjikët, por edhe nga tifozeritë respektive.

Partizani ka tifozeri më të madhe se Dinamo, mund të jetë faktor kundër në këtë sfidë?

Unë them se, në kohët e sotme, tifozeria nuk është faktor, Pro apo Kundër. Sepse tifozeria tek ne është shumë e varfër, është e ftohur. Janë grupime të caktuara me 50-60 veta, sipmatizantë dhe fanatikë. Është ndryshe t’i quash tifozë.

Si dinamovit, cili është parashikimi juaj për “Derbi”-in Dinamo-Partizani?

Fiton Dinamo, sepse është më në formë se Partizani. Dinamo po konsolidohet si skuadër dhe ndryshimi i trajnerit ju ka dhënë më shumë besim lojtarëve. Minimumi mund të dalë barazim, që për Partizanin do të ishte si një fitore.

STADIUMI

Është hera e parë që ndeshja “Derbi” Dinamo City-Partizani, do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”. Skuadra dinamovite është e “abonuar” këtë sezon në Elbasan.

BILETAT

Katër çmime biletash po shiten për “Derbin” Dinamo-Partizani. Tribuna VIP 2000 lekë; Tribuna A&B 1500 lekë; Tribunat D, E, F 700 lekë; Tribuna G3 (Miqtë) 500 lekë.

Perlat Musta

“Final 4” e ka zbehur bukurinë e ndeshjeve “Derbi”

Si ish-futbollist i Partizanit, në sa ndeshje “Derbi” me Dinamon keni luajtur në karrierën tuaj?

Në Kampionat e Kupë, në mbi 25 vite karrierë shkojnë mbi 40. Kanë qënë kënaqësi, pasi Dinamo në ato vite ishte nga skuadrat më të mira, ku doli tre herë rresht kampion me Përnaskën, Ballgjinin, Zërin e Targajn, e më pas me Damollarin.

Në këto ndeshje, veçoni një në kujtesën tuaj si më të bukur, apo më të fortë?

Kam luajtur edhe me Iljaz Çeçon e Torez Çirakun, dhe në memorrjen time vijnë kujtime që kishin konkurrencë e kundërshtarë realë, por nuk kishte atë “armiqësi” si me Tiranën. Armiqësinë e kishin tifozët, se ne si lojtarët kemi qënë shokë e miq.

Pasi jeni larguar si futbollist, e keni ndjekur “Derbin” me Dinamon?

Patjetër, sepse në këtë periudhë unë nuk jam larguar nga Partizani, aktualisht jam pjesë e Akademisë. Gjatë periudhës që jam larguar si futbollist, si Dinamo, ashtu edhe Partizani kanë patur oshilacione, por tashmë janë rikthyer si pretendentë.

Ditën e shtunë do të luhet “Derbi” 175  i kryeqytetit, Partizani historikisht vjen më superior në shifra, e shikoni favorit?

Në ndeshje “Derbi” unë mendoj se asnjëherë nuk ka favorit, edhe duke vlerësuar historinë. Kryesore është se kjo lloj formule nuk i jep shumë rëndësi një ndeshje të tillë, por kush do arrijë në “Final 4”. Skema e ka zbehur bukurinë e kampionatit.

Dinamo-Partizani, do luhet jashtë kryeqyetetit, sa vlera humbet në tifozeri dhe në financat e skuadrave? 

Po “derbi” do quhet edhe pse do luhet në Elbasan, sepse ato skuadra luajnë. Pjesa e tifozëve është se sa do ta ndjekin skuadrën e tyre. Por, vetëm Partizani-Tirana është “Derbi” që ka sjellë tifozeri në stadium, ndaj nuk do ndikojë të shtunën.

Partizani ka tifozeri më të madhe se Dinamo, mund të jetë faktor plus për të në këtë sfidë?

Jo, nuk ka të bëjë fare. Unë do të thoja se Dinamo nuk është shquar shumë për tifozeri, edhe në kohën tonë. Tashmë janë zbehur edhe tifozët e Partizanit, dhe mendoj se te të dyja skuadrat nuk do ketë ndikim pjesa e tifozerisë.

Si partizanas, cili është parashikimi juaj për “Derbi”-in Dinamo-Partizani?

Nuk mund të them një parashikim të saktë, sepse Dinamo vjen pas një fitoreje me Elbasanin dhe Partizani pas barazimit me Teutën. Por, mendoj se më afër mbetet barazimi. Nisur nga realiteti e renditja, do jetë një “Derbi” i llogarisë për barazim.

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java 13

Datë 9 nëntor 2024

Egnatia-Vllaznia         14:00

Teuta-Skënderbeu       17:00

Dinamo-Partizani        17:00

(Në “Elbasan Arena”)

Datë 10 nëntor 2024

Laçi-AF Elbasani        14:00

Tirana-Bylis                 17:00

(Në “Niko Dovana”)

RENDITJA                   

Skuadrat        Nd       Pikë

1.Vllaznia        12        21

2.Partizani       12        21

3.Dinamo C    12        20

4.Egnatia         12        19

5.Elbasani        12        16

6.Teuta            12        16

7.Tirana           12        11

8.Skënderbe    12        11

9.Laçi              12        11

10.Bylis           12        10

Java e 13-të, me “Derbi” dhe rikthime në bankinë

Java e 13-të nis me sfidën Egnatia-Vllaznia që do të luhet sot në “Egnatia Arena”, në orën 14:00. Një përballje pretendentësh në Rrogozhinë, ndërkohë paralelisht në “Niko Dovana” të Durrësit luhet sfida Tueta-Skëndërbeu. Në orën 17:00, e gjithë vëmendja do të jetë te “derbi” Dinamo-Partizani që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”, dhe që do të marrë vëmendjen e tifozëve, pasi pritet spektakël. Të dielën, në orën 14:00 do të përballen mes tyre Laçi- Elbasani, një tjetër duel interesant, ndërkohë që java e 13-të mbyllet në “Niko Dovana” në orën 17:00, me ndeshjen Tirana-Bylis. Te Tirana është ulur në bankinë Gugash Magani, i rikthyer pas nëntë viteve te bardheblutë.

“Derbi” i kryeqytetit mbi një “Derbi” lab

Në “derbin” e sotëm Dinamo-Partizani, ka edhe një të veçantë. Katër lojtarë janë produkt i shkollës vlonjate të futbollit. Sulmuesi Dejvi Bregu te Dinamo dhe Arinaldo Rrapaj te Partizani, si dhe portierët Edmir Sali te Dinamo dhe Pano Qirko te Partizani. Kjo përballje do ta bëjë edhe më interesante këtë sfidë, e cila mes tyre do të kthehet si një “derbi” vlonjatësh. E kësisoj, sonte do të luhet një “Derbi” mbi “Derbin”, ku vlonjatët në fushë do flasin “labçe” tek të dyja skuadrat. Ndoshta më parë nuk ka ndodhur një përballje e tillë.