Speciale/ Edlir Tetova: Egnatia do synojë kalimin e një turi në Konferencë Ligë

89

Flet për “Telegraf” Edlir Tetova, trajneri që fitoi Kupën e Shqipërisë në këtë sezon

Sigal

 

Nga Agron Kaja

Suksesi në fitimin e Kupës së Shqipërisë e ka edhe urimin për trajnerin, si ndjeheni?

Normalisht që gjithë këto arritje brenda një muaji, natyrisht që unë si trajner ia dedikoj skuadrës, qytetarisë e tifozerisë sonë, e në veçanti Presidentit Agim Demrozi. Është ndjesi e veçantë si trajner, edhe pse e kam fituar një Kupë si lojtar.

Ishte Kupa një synim i këtij sezoni për Egnatian, apo lindi gjatë tureve të saj?

Me thënë të drejtën, ne si Egnatia nuk e kishim si objektiv fitimin e Kupës. Sepse mendonim zonën e Europës në renditjen e Abissnet Superiore, por ecuria e mirë edhe në Kupë na bëri të besonim edhe në fitimin e këtij trofeu.

Egnatia nën drejtimin tuaj është quajtur “Hirushja” e Superiores, ju e ndjeni si konsideratë këtë?

Mendoj se kemi bërë një punë të mirë që nga fillimi i sezonit. Me rikthimin tim mendoj se ky epitet (Hirushe) vlen, kryesisht në dy faza, në të tretën dhe në të katërtën. Besoj se është vlerë të quhemi edhe kështu.

Duke shkruajtur emrin e Egnatias në Librin e Artë të fituesve të Kupës së Shqipërisë, tashmë e mendoni skuadrën të denjë për elitën?

Patjetër që po, sepse tashmë e kemi shkruajtur për herë të parë emrin e Egnatias në Librin e Artë të historisë së futbollit shqiptar. Por kjo nuk do na shpërqendrojë për vazhdimësinë, dhe ruajtja e grupit do jetë prioriteti i parë.

Ku mendoni se ishte “çelsi” i suksesit te skuadra juaj: Në menaxhim, në organizim apo në drejtim?

Realisht, duke e parë skuadrën të suksesshme në Kupë, por edhe në kampionat, duhet thënë se të tre këta komponentë që nuk mund të ndahen veç e veç. Kanë qenë të gjithë bashkë, që sollën edhe suksesin e merituar.

Egnatia ka një stadium komod dhe bashkëkohor, sa ndikoi ky terren në arritjet tuaja të sezonit?

Investimet e Presidentit Agim Demrozi janë një realitet te Egnatia dhe këtu është edhe stadiumi. Edhe pse punimet nuk kanë përfunduar, sezonin e ri do të jetë plotësisht në funksion. Ky është një motivim më tepër me komoditetin e tij.

“Lojtari i 12-të” ka qenë shumë i zjarrtë në Rrogozhinë dhe në ndeshjet në transfertë, e vlerësoni tifozerinë tuaj si pjesë të suksesit?

Tifozët tanë janë realisht si lojtari i 12-të për Egnatian, sepse na kanë përkrahur në çdo moment, si në Rrogozhinë, ashtu edhe në ndeshjet në transfertë. Kujtoj atmosferën pas fitores së Kupës, ku ata e kthyen në një festë madhështore.

Cili është projekti juaj më i afërt, duke kujtuar pjesëmarrjen e Egnatias në UEFA Konferencë Ligë?

Pasi kam firmosur me skuadrën dhe Presidenti Demrozi më ka besuar drejtimin edhe për sezonin tjetër, projekti më i afërt te Egnatia është që të synojmë për arritje më të mëdha edhe në UEFA. Pse jo, të kalojmë turin e parë.

Kur keni menduar që të nisni përgatitjet për ndeshjet europiane, e më pas për sezonin e ri?

Më datë 12 qershor skuadra do të grumbullohet fillimisht në Rrogozhinë. Më pas do shohim, sepse kemi tre variante të përgatitjes, në Shqipëri dhe jashtë saj.

 

“Kemi shkruajtur për herë të parë emrin e Egnatias në Librin e Artë të historisë së futbollit shqiptar. Por kjo nuk do na shpërqendrojë për vazhdimësinë, ku do të synojmë kalimin e turit të parë në Konferencë Ligë.”

 

Arritjet

Sezoni 2022-2023

Në Abissnet Superiore

Vendi i 3-të me 52 pikë

Në zonën e Europës

Në Kupën e Shqipërisë

Fituese për herë të parë

Kupën e 71-të në histori

 

 

Pjesëmarrjet

Në Abissnet Superiore

Sezoni 2004-2005

Vendi i 9-të me 28 pikë

Sezoni 2021-2022

Vendi i 8-të me 35 pikë

Sezoni 2022-2023

Vendi i 3-të me 52 pikë

 

Historia e klubit

Klubi i Futbollit i Egnatias u themelua më 15 shtator 1934, nën emrin “22 shtatori” Rrogozhinë, ndërkohë që është riorganizuar në vitin 1964 po me këtë emër. Data e saktë e themelimit KF Rrogozhina është 15 shtator 1964. Në vitin 1991, emri i klubit u ndryshua duke u bërë “Vullneti” Rrogozhinë. Në vitin 1998, emri u ndryshua për herë të tretë duke u quajtur “FK Egnatia” Rrogozhinë, një emër që klubi e mban ende në ditët e sotme. Ndeshjet luhen në stadiumin “Arena Egnatia” në Rrogozhinë, kapaciteti zyrtar 4 mijë vende. President i klubit është Agim Demrozi.

Edlis Tetova

Datëlindja: 14 prill 1983 / Vendlindja: Durrës.

Gjatësia trupore: 183 cm / Pozicioni në fushë: Mbrojtës dhe Mesfushor.

Karriera si lojtar: Teuta 2001-2005; Elbasani 2005-2006; Teuta 2006-2007; Elbasani 2007-2008. Besa 2008-2009; Kamza 2009-2010; Partizani 2010 (Në total 183 ndeshje-6 gola).

Ndeshje me ekipet kombëtare: Viti 1999 me U16 në 2 ndeshje; Viti 2001 me U19 në 3 ndeshje. Në 2003-2005 me U21 në 9 ndeshje.

Sukseset si lojtar: Fitues i Kupës së Shqipërisë me Teutën.

Karriera si trajner: 2018-2019 Nd. Trajner te Skënderbeu; 2020 Ndihmës Trajner te Kukësi 2021. Ndihmës Trajner te Tirana; 2021-2022 Trajner te Ulpiana, Kosovë; 2022 Trajner te Egnatia. 2022 Trajner te Lushnja; 2023 Trajner te Egnatia (Fitues i Kupës së 71-të të Shqipërisë).

ABISSNET SUPERIORE

Halili “blindon” Shehin me kontratë 100 milionëshe

Në sezonin që u mbyll, 2022-2023, skuadra e Tiranës nuk arriti të fitonte trofe. Dhe në ditët e fundit, trajneri Orges Shehi kishte shprehur dëshirën e largimit nga stoli bardheblu, por dje Presidenti Refik Halili i ka shuajtur zërat e largimit. Presion nga tifozët dhe 100 milionë lekë kontratë, këto ishin arsyet që Shehi të qëndrojë edhe një sezon në stolin bardheblu. Shkëndija e Tetovës i kishte ofruar Shehit 80 mijë euro në vit, dhe 20 mijë euro bonus nëse fitonte titullin. Dhe vetë Shehi e arsyetoi këtë ofertë duke vendosur që të jetë ende bardheblu, ku një tjetër motiv ishte video mesazhi që skuadra i kishte bërë teknikut për të qendruar në krye të skuadrës.

 

Zyrtare, Partizani largon drejtorin sportiv

Gjatë fundjavës së shkuar kishte zëra në mediat sportive për një largim të Elton Marinit si Drejtor Sportiv i Partizanit. Vetë fieraku e mohoi me një deklaratë në rrjetet sociale, por dje është zyrtarizuar përfundimisht largimi i tij nga “Demat e kuq”. Partizani njoftoi zyrtarisht mbylljen e bashkëpunimit me Marinin, të cilin e falenderon për gjithçka që ai ka dhënë për klubin e kuq në një vit të suksesshëm, ku Partizani u shpall Kampion i Shqipërisë.

 

Kombëtarja/ Trajneri tregon para mediave axhendën e dy ndeshjeve të Euro 2024

Silvinjo: Moment delikat, do marrim gjashtë pikët

 

Nga Agron Kaja

Dje në mesditë, trajneri i Kombëtares sonë të futbollit, Silvinjo, ka treguar para mediave se çfarë do të bëjë me skuadrën në prag të dy ndeshjeve të rradhës për Euro 2024, me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Për të dyja këto sfida, Silvinjo deklaroi se është i kënaqur me gjendjen e futbollistëve dhe se fokusi i tij si fillim mbetet Moldavia. “Në mendjen time është si fillim sfida me Moldavinë, pastaj Ishujt Faroe. Unë jam i bindur se në këtë debutim timin në Shqipëri para tifozëve kuqezi, do të bëjmë më të mirën për të marrë tre pikët. Besoj se edhe tifozët do të na ndihmojnë që fitorja të jetë e jona. Mundësia për ta fituar këtë ndeshje me Moldavinë është, dhe përveç lojës së bukur, mendoj se është fusha ajo që do ta tregojë. Sepse rezultati nuk është diçka që dihet, duke kujtuar që kemi shtatë ndeshje të kësaj rëndësie”,- kështu e nisi dje bisedën e tij trajneri Silvinjo, i cili theksoi se gjendja e futbollistëve nuk është më e mira, pasi sipas tij, të gjithë vijnë pas një sezoni të gjatë e të lodhshëm. “Gjendja e futbollistëve duhet parë në këndvështrimin e një fundsezoni. Kemi moment delikat me Gjasulën, por kjo është pjesë e punës sonë. Kam folur dhe kam takuar disa lojtarë, të cilët do të jenë pjesë në dy sfidat e radhës, por mendoj se ata në këtë situatë duhet të menaxhohen mirë nga ana jonë. Sepse duhet menaxhuar intensiteti që çdo lojtar të japë 100% në fushë, duhet menaxhim i mirë pasi kemi moment delikat. Jam i kënaqur me listën, ku si fillim kishim 27 lojtarë, e tani mbetën 26. Por kemi edhe të tjerë të rinj dhe me eksperiencë që do të na ndihmojnë”. Ndërkohë që trajneri kuqezi u ndal në ligjëratën e tij edhe tek emrat e lojtarëve, ku Sadikun dhe Muçin i quan të rëndësishëm. “Këtë herë kemi bërë një grumbullim ndryshe. Muçi vjen me një formë mjaft e mirë dhe e meriton që të jetë këtu e të ndihmojë skuadrën. Ndërkohë që me Sadikun kam folur edhe më përpara, dhe ai është lojtar që e njeh mirë zonën dhe golin. Odise Roshi është një lojtar i rëndësishëm për Kombëtaren dhe do të jetë pjesë në muajin shtator, sepse është një lojtar i aftë. Ai është në monitorim, ashtu si shumë lojtarë të tjerë të Kombëtares, por në këto momente kemi dhe të tjerë që mund ta bëjnë më mirë atë rol”. Po si ka menduar Silvinjo të organizojë skuadrën në këto dy ndeshje? “Është një moment delikat sa i përket gjendjes së futbollistëve, sepse disa lojtarë kanë luajtur e disa kanë pushuar. Te portierët shoh se kanë gjendje të mirë, si Strakosha, Kastrati apo Simoni. Ne në këto dy ndeshje do të shkojmë me këta lojtarë që kemi, pa ndryshime”. Në kuadrin e ndeshjeve eliminatore Euro 2024, Grupi E, Kombëtarja jonë pret më 17 qershor Moldavinë në “AIR Albania”, dhe më 20 qershor luan në transfertë me Ishujt Faroe.

 

U lanë jashtë ekipit

Odisa Rroshi (Sakarjaspor), Endri Çekiçi (Koniaspor), Xhakomo Vrioni (Nju England), Arbnor Muçolli (Velje), Ermir Lenjani ((Umraniespor), Lindon Selahi (Rijeka), Jon Mersinaj (Lokomotiva Zagreb)

Lojtarët e grumbulluar

Portierë: Thomas Strakosha, Etrit Berisha, Elhan Kastrati, Simon Simoni.

Mbrojtës: Ivan Balliu, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Frederik Veseli, Enea Mihaj, Adrian Bajrami, Ardian Ismajli, Andi Hadroj.

Mesfushorë: Klaus Gjasula, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Nedim Bajrami, Keidi Bare, Qazim Laçi, Anis Mehmeti.

Sulmues: Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Taulant Seferi, Jasir Asani, Sokol Cikalleshi, Armando Sadiku

Trajner: Silvinjo Kampos Zhunior

 

EURO 2024

Ndeshjet-Grupi E

Datë 24 mars 2023

Rep. Çeke-Poloni                    3-1

Moldavi-Ishujt Faroe  1-1

Datë 27 mars 2023

Poloni-Shqipëri                       1-0

Moldavi-Rep. Çeke     1-1

Renditja

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Rep. Çeke                2          4

2.Polonia                     2          3

3.Moldavia                  2          2

4.Ishujt Faroe  1          1

5.Shqipëria                  1          0

 

Ndeshjet e radhës

Datë 17 qershor 2023

Shqipëri-Moldavi                    20:45

Ishujt Faroe-Rep. Çeke           20:45

Datë 20 qershor 2023

Ishujt Faroe-Shqipëri   20:45

Moldavi-Poloni                       20:45

 

Ndeshjet e Shqipërisë

Datë 7 shtator 2023

Rep. Çeke-Shqipëri     20:45

Datë 10 shtator 2023

Shqipëri-Poloni                       20:45

Datë 12 tetor 2023

Shqipëri-Rep. Çeke     20:45

Datë 17 nëntor 2023

Moldavi-Shqipëri                    20:45

Datë 20 nëntor 2023

Shqipëri-Ishujt Faroe  20:45

 

Rikthimi i Dedes, tashmë në stolin e Elbasanit

Nevil Dede është një nga trajnerët më të rinj në futbollin shqiptar, por nga më të kërkuarit te skuadrat shqiptare të futbollit. Pasi e mbylli me Dinamon në fillimin e këtij viti, 48-vjeçari tashmë ka bërë një rikthim në Elbasan, pasi zyrtarisht i është besuar stoli i kësaj skuadre që do të luajë në Kategorinë e Parë. Prezantimi i tij do të bëhet të mërkurën në stadiumin “Elbasan Arena”. Dede ka qenë pjesë e Elbasanit si futbollist në dy sezone, në 2005-2006 ku edhe u shpallën kampionë, si dhe në sezonin 2008-2009.