Sot rikthehet Liga e Kampioneve, Mançester Siti- Barcelona eklipson çdo takim

232

Rikthehet edhe një herë në “detyrë” turneu më elitar i futbollit në nivel klubesh, ku marrin pjesë ekipet më të mëdha në Europë. Në fakt, takimet e sotme janë dy takimet nga më të fortat që mund të ofrojë shorti, e në këtë rast, përsëri, shorti vuri përballë Juventusin dhe Dortmundin, në “nderim” të finales së vitit 1997 ku fituan gjermanët, ndërsa ndeshja tjetër flet një tjetër gjuhë, atë të yjeve të futbollit dhe emocioneve të mëdha ku Mançester Siti pret në shtëpi Barcelonën, ashtu si edhe vjet, e këtë herë ndoshta është rasti i “qytetarëve” që të ecin më tutje.

Mançester Siti-Barcelona, ndeshja e milionave dhe e yjeve

Një takim i madh për futbollin botëror, ku përballë do jenë ekipet që në brendi kanë yje të shumtë në numër, që po në të shumtën e rasteve mbajnë edhe titujt si më të mirët në botë. Një përballje që ofron emocione të shumta e për më tepër nuk ka vend për parashikime, pasi të dy ekipet janë në një nivel shumë të lartë. Në fakt, nisur nga situata aktuale në secilin kampionat, Siti vjen direkt pas një fitoreje ndërkohë që Barcelona humbi ndeshjen e fundit, duke humbur kështu edhe mundësinë që të qëndronte në krye. Një përballje e vjetër për këta ekipe, ku në sezonin e vjetshëm ishin katalanasit që arritën të kalonin më tutje, e ndoshta këtë sezon ekziston mundësia që të ndryshohen kahet.
Juventus-Dortmund, kur ritakohet historia e turneut

Një ndeshje e madhe për të dy ekipet, si gjermanët ashtu edhe italianët, ku këta të fundit po bëjnë shumë mirë në kampionat, duke e kryesuar atë, falë edhe Romës që nuk po gjen formën e duhur për të qenë me të vërtetë rivale e denjë e torinezëve. Nga krahu tjetër është Dortmundi, një skuadër simpatike e një trajneri po kaq simpatik por që në Bundesliga ecuria ka qenë tejet e keqe, duke përjashtuar këto 3 ndeshjet e fundit, pasi u kthyen tek fitoret. Por, gjermanët kanë një veçori, ku ecuria në kampionat nuk ka asnjë lidhje me Ligën e Kampioneve, e kësaj duhet t’i ruhet shumë Juventusi, pasi përballë ka një skuadër që e ndërton lojën në bazë të kundërsulmit dhe presingut në gjysmëfushë. Gjithsesi, sido që të përfundojnë këto dy takime, ajo që është e sigurt sonte është loja e bukur në të dy takimet, ku do të shmanget mbrojtja, duke synuar vetëm sulmin.

Takimet e nesërme

Arsenal-Monako, shansi i londinezëve

Një ndeshje që pritet të luhet vetëm për fitore nga të besuarit e Venger, që aktualisht po kalojnë një periudhë të artë në kampionat, me ndihmën edhe të “magjikut” Ozil.

B.Leverkusen-Atl.Madrid, përballja e skuadrave simpatike

Të dyja skuadra shumë simpatike, të dyja skuadra që mund të bëjnë surpriza dhe të dyja skuadra që kanë shansin e tyre të vazhdojnë më tej, por përsëri, më të predispozuar për të fituar sigurisht që janë spanjollë, që dita ditës po shfaqen si ekipi që mund të bëjë diferencën si në Spanjë ashtu edhe në Europë. Mjafton të përmendet ajo humbje që i shkaktuan Real Madridit pak javë më përpara, për të krijuar një bindje më të gjerë në lidhje me këtë. Sa i përket gjermanëve, janë një skuadër që po hasin vështirësi në Bundesligë, por siç dihet nga të gjithë, Liga e Kampioneve ka një tjetër “magji” që mund të përqafohet nga të gjithë.

 Takimet e sotme

Juventus-Dortmund

Man. Siti-Barcelona

Ja si ndryshon Kategoria e Parë me dënimin e Dinamos nga FIFA

Një situatë aspak e mirë për Dinamon që rrëshqiti në renditje nga vendimi i FIFA-s në dëm të klubit, për pagesat që nuk ishin bërë. Një -3 pikë që e dërgon në vendin e 5-të Dinamon, duke humbur kështu jashtë fushe atë avantazh që kishte ndërtuar në fushë. E fituara më e madhe padyshim që është Lushnja, sepse tani nuk e ka më ndjekësen më të afërt me 2 pikë më pak, por me 3, pikërisht Butrintin dhe Bylisin, që të dyja me nga 23 pikë, e një pozicion më poshtë ndodhet Sopoti, që duket si e fituara tjetër e madhe në kampionat. Dinamo, nga ana tjetër, zbret në vendin e 5-të, me 21 pikë, duke pasur pas vetes Pogradecin e 19 pikëve. Një situatë aspak e mirë për dinamovitët që tani e gjejnë veten me -3 pikë për shkak të mos pagimit të detyrimeve ndaj futbollistit serb, duke marrë kështu edhe goditjen e radhës, pasi aktualisht nuk është se po gëzojnë një formë të mirë, nisur kjo edhe nga rezultatet jo shumë bindëse. Tani, ekipet e tjera kanë mundësinë që të krijojnë hapësirat, e Dinamos i duhet që të dyfishojë përpjekjet që të jetë përsëri në ritmin e duhur. Një vendim që sigurisht nuk erdhi në kohën e duhur për kryeqytetasit, por përtej të gjithave tani duhet vetëm të marrin ndeshjet me radhë e të mos krijojnë disavantazh tjetër.

 Java magjike e Superligës, Tirana-Partizani luhet të premten

Kur kampionati shqiptar sapo përcolli një nga ndeshjet më të rëndësishme dhe pa dyshim më të bukurat e viteve të fundit, Skënderbeu-Kukësi, është radha që të lirohet “vendi” për klasiken historike të futbollit shqiptar, ku Tirana pret Partizanin, në stadiumin “Qemal Stafa” këtë të premte, në ora 19:00. Është diskutuar shumë për orarin dhe datën, por në fund të fundit u caktua e premtja si dita më e përshtatshme për zhvillimin e takimit, por sa me fat kjo javë për tifozët e futbollit, pasi në më pak se 5 ditë, do të jenë dëshmitarë të dy prej ndeshjeve më të rëndësishme të futbollit, e sidomos të sezonit aktual, ku janë këto katër ekipe që rivalizojnë për titull, ndërkohë që në takimin e të premtes, si Partizani dhe Tirana do të luajnë vetëm për fitore, nisur nga arsyet jo vetëm për titull por edhe për reputacion, pasi problemet aktuale të dy ekipeve kryeqytetase kanë të njëjtin emër: Laçi. Kujtojmë që bardh e blutë vijnë direkt pas një humbjeve turpëruese me Laçin, një 3-0 dërrmuese për luftën që po bën për titullin kampion, e të njëjtin rezultat mori edhe Partizani që u mund 3-0 nga Laçi, por në Kupë. E lufta e këtyre dy klubeve fillon që tani, që sot, për një ndeshje prestigji, për një ndeshje ku merren shumë më shumë sesa 3 pikë, për një ndeshje që luhet vetëm për tu fituar, në një stadium që duhet të jetë plot.