Skënderbeu “vret” Partizanin në shtesë, ndeshje e trazuar në shkallët e stadiumit

625
KATEGORIA SUPERIORE/ U mbyllën ndeshjet e javës së 30-të, në “Selman Stërmasi”, në kryesfidën Partizani-Skënderbeu nuk ka “paqe”
Nga Agron KAJA
Ndeshja e fundit e javës së 30-të të Kategorisë Superiore, mbrëmë në “Selman Stërmasi”, ka dhuruar gjithçka, edhe nga ato detaje që nuk i shërbejnë fushës së lojës. Skënderbeu e ka “vrarë” Partizanin në fushën e tij, me një gol në ekstremin e ndeshjes. Mbi të gjitha, fituesi është Skënderbeu, që fiton kur dëshiron, pa luajtur ndonjë futboll mbresëlënës. Sfida e djeshme, e fundit e javës së 30-të, ishte e rëndësishme për të dyja skuadrat, por që në renditje Partizanit i nevojiteshin më shumë tri pikët. Skuadra e drejtuar nga Klevis Dalipi e ka dominuar lojën në 45 minutat e para, duke krijuar lojë e raste, ndërsa i është anuluar një gol, pasi Abdurahimi shkaktoi faull ndaj Vangjelit. Ndërsa Skënderbeu u kujdes shumë, duke dalë rrallë në sulm, në pritje të ndonjë rasti në kundërsulm. Në pjesën e dytë ritmi i lojës ra, Skënderbeu e ekuilibroi paksa, por as edhe zëvendësimet nuk e zgjuan Partizanin, i cili pati shumë pak raste për të shënuar gol. Kjo situatë e shoqëroi këtë ndeshje deri në momentin final, atëherë kur po mendohej se barazimi do të ishte rezultati final, me skuadrat paksa të lodhura fizikisht. Por Daja ka në lojë “xholin” Bruno Dita, zëvendësuesin që shënoi shënoi golin vendimtar, pikërisht me goditjen e parë dhe të fundit të Skënderbeut për këtë sfidë në kuadrat. Minuta e 4-t shtesë, ajo e “vrau” Partizanin dhe ëndrrën e tij për një barazim në këtë sfidë, se për fitoren ishte shumë larg. Skënderbeu “çimentohet” në krye të renditjes me 15 pikë para nga Kukësi i vendit të dytë, dhe vetëm matematika e mban në lojë, pasi do të luhen edhe 6 ndeshje me 18 pikë. Po Partizani pse ngeci? Teknikisht në këto radhë nuk mund të gjykohet, por me çfarë u pa në fushën e lojës, minimalisht duhet thënë se goli nuk vjen nga emri, goli prodhohet në fushë dhe aty të gjithë “demat e kuq” dje kanë qenë “qingjat” e golit. Pas këtij rezultati, Luftëtari i merr vendin Partizanit, por përfiton edhe Kamza. Edhe Kukësi tashmë e blindon vendin e dytë në renditje, ndërsa Partizanit i mbetet që të luftojë për një vend në UEFA Europa Ligë. Në këtë garë ka hyrë edhe Flamurtari pas fitores e Teutën, ndërsa mbijetesa duket se do të diskutohet mes Vllaznisë dhe Teutës deri në fund. Mbetet për t’u parë java e ardhshme, kur Vllaznia do të udhëtojë në Laç dhe Teuta do të luajë përballë Kamzës, një ndeshje e rëndësishme për fatet e sezonit për të dyja ekipet.
E hënë 23 prill 2018, ora 19:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”
PARTIZANI-SKËNDERBEU 0-1
Shënues: Dita 90+4’
FORMACIONET
Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Gojkoviç, Trashi, Asani, Batha, Telushi (Mala 70’), Kardozo (Bardhi 5’, Çani 70’), Progni, Abdurrahimi. Trajner: Klevis Dalipi.
Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Aliti, Mici, Osmani, Nimaga (Gripshi 87’), Lilaj, Muzaka, Gavazaj (Dita 72’), Vila (Krasniqi 61’). Trajner: Ilir Daja
Gjyqtarë: Andi Koçi, Ilir Tartari, Ridiger Çokaj 
KV: Batha 15’, Telushi 62’, Progni 90+1’, Ibrahimi 90+4’/ Nimaga, Osmani

MINUTA E GOLIT
90+4’ GOL 0-1 I futur në lojë si zëvendësues në minutën e 72-të, mesfushori Bruno Dita bëri që të heshtë “Selman Stërmasi”. Në minutën e katërt shtesë, Skënderbeu ka të drejtën e një goditjeje dënimi, topi del jashtë zone, por Dita e kontrollon topin pas gabimit të portierit Hoxha, dhe godet fort duke shënuar.
MINUTA TË VEÇANTA
50’ Ndërpritet për pak çaste ndeshje, pasi tifozët ultras të Partizanit hedhin në fushë flakadanë. Ndërsa në tribunën kryesore, policia ka ndërhyrë duke shoqëruar jashtë stadiumit dy tifozë të Partizanit, të cilët janë konfrontuar me njëri-tjetrin.
74’ Ndërpritet ndeshja për 3 minuta, pasi gjyqtari Andi Koçi kërkoi nga tifozeria e Partizanit që të mos ketë më kore kundër lojtarëve korçarë, gjyqtarëve dhe Presidentit të FSHF-së. Kapiteni i Partizanit, Batha, ka shkuar e ka qetësuar tifozët.
Sigal