Sinan Idrizi: Fitorja me Partizanin e merituar, por është në kohë të trazuar!

515
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Administratori i Flamurtarit, tregon atmosferën pas fitores me “Demat e kuq”, njëherësh edhe për situatën në futbollin tonë
Si u ndjetë pas fitores me Partizanin, e kishit menduar tre pikëshin?
Mendoj se ishte një fitore e merituar, sepse skuadra i bëri mirë detyrat që iu dha trajneri para kësaj sfide. Natyrisht që fitorja të gëzon dhe të vendos para përgjegjësive më të mëdha, por problem për ne është se kjo ishte një fitore në kohë të trazuar për ne dhe futbollin shqiptar.

Pse e quani kohë të trazuar, nisur nga ritmika juaj në tetë javë, apo diçka tjetër?
Që është një kohë e trazuar për futbollin shqiptar, kjo ka vite që po e mban futbollin larg kohës. Sepse në këtë situatë nuk flitet vetëm për futboll, por ato dukuri që nuk kanë lidhje me të sot janë prezent. Janë çudira që ndodhin vetëm në Shqipëri. 

Mund të flisni më konkretisht, pasi kështu do ta ketë më të qartë lexuesi i gazetës “Telegraf” se ku është “meraku” juaj në këtë deklaratë?
Po e sjell me humor një fakt që ndodhte në kohën e diktaturës në vendin tonë, kur Kinostudio Shqipëria e Re censuronte filmat, sot po censurohemi ne që financojmë për futbollin. Në komunizëm dënoheshe për çdo gjë, sot kalohet çdo limit kohor nga njerëzit që mendojnë se e drejtojnë, por që në fakt po e prishin futbollin.

Kthehemi tek fitorja me Partizanin, në këndvështrimin tuaj, çfarë shkoi mirë te Flamurtari?
Ndoshta më duhet ti referohem thënies së trajnerit Duro pas ndeshjes, i cili tha midis të tjerave se bllokimi në lojë i mesfushorit Trashi, ishte një nga treguesit e këtij suksesi. Por, për mendimin tim, skuadra funksionoi mirë në grup, besoj kjo duhet veçuar.

Në javën e 9-të, ju keni një tjetër sfidë të vështirë, mendoni fitoren me Kukësin të dielën?
Besoj se trajneri Duro do ta përgatisë mirë skuadrën edhe për këtë ndeshje, e natyrisht që Flamurtari tashmë nuk mendon tjetër rezultat veç fitores me Kukësin. Nuk besoj se do të jetë ndeshje e vështirë, dhe këtë skuadra duket ta ketë mirë parasysh.

Ku e mendoni renditjen e Flamurtarit pas javës së 9-të, cila mbyll edhe fazën e parë?
Ne renditemi në vendin e tretë në tetë javë, dhe ky nuk është tregues i keq, edhe pse mundësitë i kishim për më sipër. Por, duke parë kalendarin që ne ndeshemi me Kukësin, i cili ndodhet në vendin e dytë me 2 pikë para, është e kuptueshme se ku shkon Flamurtari në renditjen e javës së 9-të.

Gjatë ndeshjes së Flamurtarit me Partizanin, jeni shfaqur edhe në shoqërinë e deputetit Bashkim Fino, kishit ndonjë agjendë të veçantë?
Jo absolutisht, jemi takuar thjesht në ndeshje. Unë e vlerësoj pjesën civile të Finos, sepse ka qenë gjithmonë anti-rrymë. Kujtoj që kur ai ishte Kryetar Bashkie në Gjirokastër, e priste Berishën që ishte President, por edhe kur ishte Kryeministër, komunikonte lirshëm me ish-Presidentin. Kjo është arsyeja që më tërheq tek ky politikan i moderuar.

Biseduat edhe për thashethemin, se Bashkim Fino do të kandidojë për President i FSHF-së në Asamblenë Zgjedhore të muajit mars 2018?
Në fakt, unë nga mediet e mësova si lajm, e natyrisht që e pyeta. Por, më dha një përgjigje prej politikani, të cilën unë po e “zbardh” me mendimin tim, se, do të ishte nder për futbollin shqiptar ta kishte Bashkim Finon President të tij.
Që është një kohë e trazuar për futbollin shqiptar, kjo ka vite që po e mban futbollin larg kohës. Sepse në këtë situatë nuk flitet vetëm për futboll, por ato dukuri që nuk kanë lidhje me të sot janë prezent. Janë çudira që ndodhin vetëm në Shqipëri
15 pikë
Kaq pikë ka grumbulluar Flamurtari në 8 ndeshje, me 4 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje, 2 pikë më pak nga Kukësi i vendit të dytë në renditje
Nga Instagrami, Flamurtari zbulon “sëmundjen” në futboll
Në javën e kaluar, Komisioni i Disiplinës në FSHF e dënoi Flamurtarin me 4 ndeshje pa tifozë, pas fitores 1-0 me Kamzën në stadiumin “Flamurtari”, ku tifozët vlonjatë protestuan kundër FSHF-së. Duke mos e pranuar këtë dënim, në përfundim të ndeshjes Partizani-Flamurtari 0-1, në faqen zyrtare në “Instagram” u postua një foto me një dedikim të veçantë ku shkruhej: “Për ty o kanceri i futbollit shqiptar!”
KOMENT
Ku është Moxhi kur Partizani humbet?!
Kemi marrë dje një deklaratë të thatë të Luçiano Moxhit, drejtuesit de fakto të Partizanit, i cili dje ka mbledhur kokë më kokë të gjithë drejtuesit që ka sjellë nga Italia, duke futur në këtë “valle” të tij edhe ata pak shqiptarë që janë në stafin drejtues të kësaj skuadre. Por, deklarata nuk ishte e drejtpërdrejtë prej tij me mediet, sepse ka komunikuar zyrtarisht! Ndoshta i vjen turp, për katrahurën që i ka bërë Partizanit në këtë sezon, edhe mundet, por ai edhe këtë herë e ka gjetur formën, njëherësh edhe fajtorin e kësaj situate. Që nuk është trajneri fajtor, kjo as që nuk vihet në dyshim nga Moxhi, që nuk janë as ata si drejtues, edhe kjo nuk diskutohet, por faji është gjetkë, por te sulmuesi Çani, i cili për deri sa nuk është në formë, tashmë i ka ardhur fundi kompromisit mes tyre. Se ndryshe nuk mund të ndodhte, që Moxhi ta sillte Çanin te Partizani me pagën 20 mijë euro në muaj! Gjithsesi, kur Partizani humbet apo ka ndonjë të veçantë me lojtarët që ai ka sjellë në merkaton e verës, Moxhi mbrohet mjaft bukur, nuk del publikisht të thotë atë çka ja u bëri me dije dje atyre që kishte mbledhur. Sepse ai tashmë e ka të qartë dështimin e tij, por nuk duhet akuzuar, se “Partizani po humbet prej tij”!
Moxhi mbron veten, “djeg” me respekt Çanin! 
Dje paradite, drejtuesit e skuadrës së Partizanit kanë zhvilluar një takim, gjatë të cilit janë fokusuar tek situata në të cilën ndodhet skuadra, kryesisht pas humbjes së të dielës me Flamurtarin. Sipas zëdhënësit për shtyp të Partizanit, Olsi Ranxhi, sulmi ishte pika kryesore e bisedës, duke menduar më shumë për këtë repart. Gjithsesi, në fjalën e Moxhit botuar dje në mediat online, duket se Çani mund të jetë i larguar nga Partizani. “Mendoj se kemi problem në sulm, ndaj me Flamurtarin gjuajtëm vetëm një herë në portë. Kur nuk ke një sulmues që finalizon punën e skuadrës, bëhet më e vështirë! Kam respekt për Çanin, do të shohim nëse do të rikuperohet në kohë, në të kundërt do gjejmë tjetër sulmues”.
Sigal