Shyqyri Rreli: Ëndrra shqiptare, “Meksika-86″… sa pranë!

983
Nga Bedri ALIMEHMETI
DOSSIER/ Në 87-vjetorin e profesorit, trajnerit që e bëri Shqipërinë pretendente për në finalet e një Botërori 
Ai ka kohë që është bërë pjesë e pandashme e tablosë së përditshme të qytetit të tij të dashur. Ashtu i gjatë e i drejtë si lisat në malin e Dajtit e shohin thuajse çdo ditë në orët e para të mëngjesit bashkëqytetarët e tij tiranas, profesorin (madje kështu i kanë thënë edhe para se të merrte këtë gradë shkencore) në shëtitjen e tij të zakonshme, që zë fill sapo zbret nga apartamenti i një godine shumëkatëshe, ku banon prej kohësh dhe nis rrugëtimin në trotuarin e bulevardit “Zogu i Parë”. Pasi përshkon sheshin “Skënderbej”, kalon më tej nëpër bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të vijuar më pas te kodrat e liqenit artificial. Një ritual i përçdoditshëm që ai më së shumti e bën bashkë me të shoqen. “Më ngjan sikur i shlyej një “borxh” të vjetër, – shprehet ai,- ngaqë ajo ka sakrifikuar shumë për mua edhe për familjen, të cilës për shkak të angazhimeve i kam munguar gjatë”. Gjithnjë vital, i nderuar e i respektuar, tiranasi autokton, bashkëqytetari ynë i moçëm, bir i një prej familjeve më të njohura e më të nderuara në gjithë trevën e Tiranës, e pasur në virtyte, shquar për bujarinë e atdhetarizmin e saj. Ky është Shyqyri Rreli, ai që na bëri të gjithë ne shqiptarët të ëndërrojmë për herë të parë një pjesëmarrje të mundshme të kombëtares tonë në një Kampionat Botëror, ai pra që na e solli aq pranë Meksika-1986, njeriu që më shumë se gjysmë shekulli të viteve të jetës së tij ia ka kushtuar futbollit, i cili pati edhe fatin e madh t’i përjetonte vetë si futbollist edhe si drejtues pankine të gjitha etapat, që përshkoi në gjysmëshekullin e kaluar topkëmba shqiptare. 

Nga partizan në luftën kundër pushtuesit, te fushat e futbollit
Shyqyri Rreli lindi në Tiranë më 18 maj 1930. Pa mbushur ende 11 vjeç për arsye ekonomike u detyrua të punoj këpucar dhe kur qe 14 vjeç, urrejtja për pushtuesit fashistë dhe dashuria e pakufishme për atdheun bën që të dalë malit partizan, fillimisht në çetën e Dajtit e më pas në Brigadën I. Si të gjithë, që së vogli ishte i dhënë pas futbollit, çka e detyronte që edhe atë pak kohë të lirë që kishte ta kalonte me topin. Ndaj, pas çlirimit të vendit iu përkushtua me shumë pasion futbollit, madje duke u stërvitur në mënyrë krejtësisht individuale, arriti një nivel mjaft të kënaqshëm, çka bëri që në moshën 18 vjeçare të luajë për Erzenin e Shijakut, dhe pas një viti inkuadrohet në radhët e Punës së Tiranës, 1949-1951. Pas kësaj, për dhjetë vite me radhë, nga 1952 deri në vitin 1962, Shyqyri Rreli bëhet pjesë e formacionit bazë të Dinamos, me të cilën fiton katër tituj kampion dhe tri kupa të Shqipërisë. Kjo lidhje e ngushtë me futbollin përcaktojë përfundimisht të ardhmen e tij, ndërkohë që përfundon me sukses studimet e larta në ILKF “Vojo Kushi”, ku u diplomua mësues i edukimit fizik. Pas kësaj ushtron profesionin e mësuesit në disa shkolla të kryeqytetit. Ndërpret karrierën sportive më 1962, ku kishte ende edhe shumë për të dhënë. “Por, – shprehet edhe sot ai – nuk kam ndjerë asnjë lloj dhimbjeje, nga që ia lëshova rolin e qendërmbrojtësit të Dinamos, një futbollisti të talentuar si Skënder Halili”. Gjatë 14 viteve si futbollist, Shyqyri Rreli zhvilloi mbi 400 ndeshje, fitoi 4 tituj Kampion, 3 Kupa të Shqipërisë dhe disa kupa të tjera, ndërsa në vitin 1955 u bë “Mjeshtër Sporti”. Në turne të ndryshëm që bëheshin në ato vite si bë BRSS, Kinë, Gjermani etj, ka zhvilluar shumë ndeshje ndërkombëtare, nga të cilat 11 me kombëtaren kuqezi. Në vitin 1969 emërohet pedagog në Universitetin e Sporteve, ku qëndron deri në vitin 1989, duke drejtuar për 17 vite me radhë edhe katedrën e futbollit, pa harruar drejtimin e shumë kurseve për trajnerë dhe kurse pasuniversitare.

Trajner e Profesor, me vlera të larta tekniko-profesionale
Por, duhet thënë se, emri e figura e Shyqyri Rrelit, u lartësua jo vetëm si futbollist e mësimdhënës, por mbi të gjitha si trajner. Ndodhi kështu veçanërisht në atë të kreut të pankinës kuqezi, ku për herë të parë në historinë e topkëmbës shqiptare na bëri të ëndërrojmë të gjithë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në botërorin “Meksika-1986”. Madje, pikërisht për këtë fakt sot në 87 vjetorin e ditëlindjes së tij urimet e futbolldashësve për profesor Shyqyri Rrelin janë të shumtë. Dhe nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Vallë a mund të harrohet ajo fitore 2-0 e 22 dhjetorit 1984 ndaj Belgjikës me gola të Josës (69′) dhe Mingës (86′). Barazimi 2-2 me Poloninë e Boniekut në Mielec më 31 tetor 1984, ndeshjet dinjitoze ndaj Suedisë, Greqisë, Anglisë, Turqisë, Austrisë etj. Pa harruar dy titujt kampion i Ballkanit me U-21 në Tiranë më 1978 dhe në Vollos të Greqisë 1981. Ndërkohë janë edhe dy tituj kampion të Shqipërisë kur drejtoj pankinën bardheblu në sezonet 1987-1988 dhe 1988-1989 duke kaluar dy herë me sukses në turin e dytë të kupës së kampioneve dhe rreshtuar Tiranën mes 16 ekipeve më të fortë të kontinentit. Për vlerat e vecanta tekniko-profesionale, maturinë e ndershmërinë UEFA nga 1989 deri më 1991e ka aktivizuar në rolin e vëzhguesit ndërkombëtar në ndeshje të rëndësishme të veprimtarive të shumta futbollistike evropiane. Por, nuk mbaron këtu. Profesor Rreli gjatë kësaj kohe nuk ka lënë për asnjë çast punën e tij shkencore, për të cilën dëshmojnë më së miri botimet e shumtë. Po kështu edhe pse është në dekadën e nëntë të jetës, ai vijon të mbetet vital në veprimtari të shumta të karakterit shoqëror, në të cilat vazhdon të kontribuojë duke dhënë mendimin e duhur, të thotë fjalën e men[ur e të ëmbël, të mëkoj tek të gjithë dëshirën për të punuar e të rrënjos respektin për njerëzit që nuk reshtin së dhëni shoqërisë, pa thënë se njëri prej tyre është pikërisht ai vetë, profesori i nderuar Shyqyri Rreli, gjenialiteti i madhështisë së të cilit qëndron pikërisht tek thjeshtësia e atij personalitet të pazakontë që e karakterizon gjithnjë.
Shyqyri Rreli 
Datëlindja: 18 maj 1930/ Vendlindja: Tiranë 
Roli: Qendërmbrojtës/ Numri i fanellës: Nr 3 dhe Nr 5
Arsimimi: Akademia e Edukimit Fizik e Sporteve “Vojo Kushi” (1966); Attestato Coverciano Itali (1983) 
Skuadrat ku është aktivizuar si futbollist: Erzeni: 1948; Tirana: 1949-1952; Dinamo: 1953-1962 
Me ekipin kombëtar: 11 ndeshje 
Trofe të fituar si futbollist: Kampion me Dinamon në vitet 1953, 1955, 1956, 1960; Fitues i Kupës së Shqipërisë me Dinamon në vitet: 1953, 1954, 1960; Fitues i Kupës së 50 vjetorit të Pavarësisë: 1962; Fitues i Kupave në dy Spartakiada Kombëtare: 1954, 1959 
Ekipet që ka drejtuar si trajner në periudhën 1962-1998: Ekipet e grupmoshave të Dinamos, 
Shkëndija e shkollës së mjeshtërisë “Loro Boriçi” dhe të AEFS “Vojo Kushi”; Ekipin kombëtar Shpresa U-21 (1975-1981); Zv/trajner i Loro Boriçit me ekipin kombëtar 1976; Trajner i ekipit kombëtar (23 ndeshje) 1980-1985 dhe 1987-1990; Trajner i ekipit të Tiranës (17 nëntori) 1987-1990; konsulent teknik pranë ekipit Teuta të Durrësit 1991; Trajner i Shkumbinit 1995-1996
Kryetrajner i klubit Albanët 1994-1998 
Trofe të fituar si trajner: Kampion i Ballkanit me ekipin Shpresa U-21 më 1978 dhe 1981, dy medalje të arta; Kampion Kombëtar me Tiranën në sezonet 1987-1988 dhe 1988-1989. 
Detyra administrative dhe shoqërore: Pedagog dhe shef i katedrës së futbollit në ILKF “Vojo Kushi”, 1969-1990; Anëtar i Kryesisë së FSHF, 1976-1990; Anëtar i Komisionit të Apelit pranë FSHF, 1998; Anëtar i kryesisë së Shoqatës “Tirana”
Tituj nderi: “Mjeshtër i Madh”, “Qytetar Nderi i Tiranës”, “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Trajner Kombëtar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Fisnikëria Tiranase”. “Legjenda e Futbollit Shqiptar”. Medalje e Punës, Urdhri “Naim Frashëri” kl. III dhe Kl. II
Grada shkencore: Kandidat i shkencave, Profesor Asoc. Dr. i Shkencave. 
Botime të shumta të sferës sportive
Sigal