Sigal

Pas një sëmundje të rëndë, është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare ish-portieri i Kombëtares dhe i Partizanit, një prej figurave më të mëdha të futbollit shqiptar, Mikel Janku. Ai ka qenë një ndër figurat më të spikatura të futbollit shqiptar në vitet 60-të. Pas largimit nga futbolli i luajtur, Janku ka qenë drejtues i klubit Partizani. Nga viti 1992 është përkushtuar në rolin e opinionistit në shumë emisione sportive dhe ka punuar për një periudhë të gjatë kohe si gazetar pranë gazetës Sport Ekspres. Mikel Janku është nderuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me titullin “Nderi i Futbollit Shqiptar”.

Mikel Janku, ka lindur në Tiranë më 25 tetor 1941 Ai ka mbrojtur portën e skuadrës së Partizanit dhe të Kombëtares së Shqipërisë në periudhën 1962-1969 dhe 1964-1967. Ish-portieri i Kombëtares dhe i skuadrës së Partizanit edhe pse kreu një ndërhyrje para dy muajsh, gjendja e tij nuk u përmirësua pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Në karrierën e tij ka punuar edhe si gazetar sportiv duke qenë një opinionist dhe analist ekselent. Ai ka ndërruar jetën në moshën 78-vjeçare, kur mendimi i një specialisti me nivel akademik kishte më shumë se kurrë nevojë për të. Jeta e portierit të famshëm do të niste nga një karrierë ushtarake, tek një tjetër e famshme sikur ishte ajo sportive. Nga një pilot helikopteri mbi Vollga e Don, në një portier i shquar i futbollit shqiptar. Nga Bellova që e zbuloi tek prishja me rusët, tek Bekenbauer, golat e Mylerit, Bestit, turneu i Hanoit, Boriçi, Pano, dhe Maliqati… Mikel Janku, aviatori, portieri i kombëtares, kampioni dhe fituesi i kupave me Partizanin, opinionisti, gazetari, vëllai i madh i familjes Janku. Ishte nxënës i shkëlqyer i vitit të tretë, kur e kanë përzgjedhur në kursin e aviacionit në Shkollën “Skënderbej”. Vetëm një herë në qiell nga fusha e aviacionit në Shijak, me “Jak 18”, një avion i shpejtë, prodhim rus i luftës së dytë botërore dhe me instruktorin Flamur Micka. Rrotat nuk i janë hapur në zbritje dhe e kanë detyruar të qëndrojë 45 minuta në ajër. Në vitin 1958, muaji korrik dhe kur ende nuk kishte bërë 17 vjeç, ai i hipi vaporit “Bjelloostrov” për në Odesë. I përcjellë nga familjarët, me dëshirën për të shkuar e studiuar për tri vite në shkollën e njohur të fluturimit në Bashkimin Sovjetik, fillimisht në Pugacov, pastaj në Bataçjik të Rostovit, u specializua si pilot për helikopterë transporti. Fluturime në zonën e Vollgës, në hapësirat mbi Don, hedhje me parashutë, ndërkohë që ushtronte sport e fliste mirë rusisht. Luan me shkollën si portier, por edhe basketboll, gjimnastikë, ski, patinazh në akull. Ndiqte kampionatin rus, tifoz i “Partizanit” që para nisjes nga Shqipëria dhe i Rostovit e CSKA Moskës. Admironte futbollistin legjendar rus, Viktor Poniedelnik. Nuk e kishte menduar të bëhej pilot, ndërsa futbollist po, pasi luante futboll që në fëmijëri me lagjet, “Mine Peza”- “Rruga Fortuzi”, ku ishin Pano, Halili, Plangaricat etj. Në Shkollën “Skënderbej”, Ismet Bellova, mësuesi i fizkulturës qe ai që gjatë orës së mësimit e stërviste si portier te gropa e kërcimit. Pastaj në ndeshje midis klasave dhe kështu Bellova do t’i hapte një dritare të vogël, për t’u bërë e madhe më vonë. Me profesorin, mikun, pedagogun, radiokronistin, gazetarin e shquar Ismet Bellova, Janku do të ruajë miqësinë, madje do të jenë bashkë në një kabinë të radios përballë një mikrofoni, me miqësi familjare deri në minutat e fundit të jetës.

Ilir Meta : Mikel Janku, shembulli i qytetarisë, edukimit të brezave me vlerat më të mira sportive dhe njerëzore

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kujton me nderim figurën e të madhit Janku, teksa shpreh ngushëllimin për humbjen e këtij personaliteti të shquar të sportit e të gazetarisë sportive.

“Ndaj sot dhimbjen e thellë bashkë me familjen Janku, miqtë e të afërmit dhe mbarë sportdashësit, për ndarjen nga jeta të Mikel Jankut, këtij personaliteti të shquar, të futbollit e sportit dhe gazetarisë sportive.

Mikel Janku do të kujtohet me nderim, jo vetëm për kontributin si titullar i “Partizanit” të madh të atyre viteve dhe i ekipit kombëtar, por edhe si shembull i qytetarisë dhe edukimit të brezave të rinj me vlerat më të mira sportive e njerëzore.

U prehsh në paqe, në lartësitë e pafundme aviator ynë i dashur!”, shkruan Presidenti Meta në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Armand Duka: Miku dhe dashamirësi i madh i futbollit

“Të dashur miq të familjes së futbollit, me hidhërim të thellë, dëshiroj të ndaj me ju lajmin e trishtë se Mikel Janku, ish-portieri i madh i Kombëtares dhe Partizanit, drejtues klubi, mik dhe dashamirës i madh i futbollit, është ndarë nga jeta përgjithmonë. Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, familjen e tij, miqtë dhe të dashurit, besoj dhe shpresoj që kjo humbje e pakthyeshme të lërë brenda nesh kujtimin më të mirë për Mikel Jankun. Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit gjej rastin t’i shpreh familjes dhe miqve të tij ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut më të dashur!”, ka deklaruar Presidenti i FSHF-së Armand Duka, sapo është njohur me lajmin e dhimbshëm.

FK Partizani :

“FK Partizani i shpreh dhe i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Janku dhe të afërmve të tij për humbjen e njeriut më të dashur. Janku kampion dhe fitues i kupave me Partizanin ka mbrojtur portën e të kuqve dhe ekipit tonë përfaqësues në periudhën 1962-1969. Në 70-vjetorin e themelimit, Klubi i Futbollit Partizani i akordoi Mikel Jankut “Medalje të Meritës”.” U PREHSH NË PAQE LEGJENDA E KUQ E MIKEL JANKU!”

Homazhet në nder të tij do të behën tek ish-hotelin “Internacional”, pas Lidhjes së Shkrimtarëve e do të vazhdojnë deri nesër në 11.00.